Macroni dhe ringjallja e Europës

Triumfi i Macronit është fitore shumëdimensionale. Ai ka demonstruar se Franca nuk është shtet ku racizmi dhe përgojimi antieuropian mund të fitojnë në zgjedhje. Ai ka rifuqizuar idenë europiane dhe ka ngritur mundësinë që Franca e Gjermania të bëhen tok për ringjalljen e idealizmit europian. Ai ka goditur anglezët smirëzi që votuan për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, shkruan Roger Cohen në «New York Times».

Emmanuel Macroni, i cili doli prej askund një vit më parë në krye të një lëvizjeje të re politike, nuk bëri premtime mendjelehta e as nuk ishte kryelajm. Foto: Shutterstock



Nuk është se fitoi vetëm Emmanuel Macroni dhe i cili në moshën 39-vjeçare do të bëhet presidenti më i ri në historinë e Francës. Nuk është se ai thjesht me mposhtjen e Marine Le Penit mposhti edhe forcat e nacionalizmit ksenofob të shfrytëzuara prej presidentit amerikan, Donald Trump. Është me rëndësi se fitoi me qëndrimin e vendosur në mbrojtje të Bashkimit Europian të zhytur në kriza, dhe kështu riafirmoi idenë europiane dhe vendin e Europës në një botë që i duhet fuqia dhe vlerat e saj.

Dhe kjo erdhi pak pas vendimit dëshpërues të Britanisë së Madhe për dalje nga Bashkimi Europian, dhe i dha shuplakë fytyrës së injorancës dashakeqe antieuropiane të Trumpit. Prandaj fitorja ishte kritike. Macroni e vuri në pah këtë mesazh duke iu adresuar përkrahësve në Paris shoqëruar me himnin e Bashkimit Europian, «Odes së gëzimit» të Beethovenit, e jo me «Marsejezën». Ky ishte një gjest i fuqishëm i hapur.

Animi i prirë prej Le Penit për një Europë të nacionalizmit dhe racizmit është shmangur me natën e mbrëmshme. Presidenti rus, Vladimir Putin, mbështeti Le Penin për një arsye: donte ta shkërmoqte unitetin europian dhe zgjidhte nyjën europiane me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend të kësaj, qendra u mbajt, dhe bashkë me këtë lidhje, e ruajti edhe civilizimin.

Europa e federalizuar është themeli i stabilitetit dhe prosperitetit europian të pasluftës. Projekti ofron mundësinë më të mirë për europianët e rinj për të përmbushur këtë premtim. Është «fati i përbashkët» europian, siç e ka theksuar edhe Macronin në fjalimin e tij, ai që vihet para flamujve të Francës dhe të Bashkimit Europian. Nëse e mendojmë ndryshe këtë punë, i bie ta harrojmë historinë. Dhe nuk ishte befasi se pse kancelaria gjermane, Angela Merkel, nëpërmjet zëdhënësit të saj, menjëherë e uroi fitoren «për një Europë të fuqishme dhe të bashkuar».

Kjo do të kërkojë reforma. Europa, e vetëkënaqur, ka humbur rrugën. Macroni e ka pranuar këtë. Ka deklaruar: «Dua të vendosë sërish lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe Europës». Më shumë transparencë, më shumë llogaridhënie dhe më shumë kreativitet kërkohet për këtë qëllim. Asnjë mrekulli nuk ia ka dalë ta reklamojë veten në mënyrë më të mjerueshme se Bashkimi Europian veten.

Macroni, i cili doli prej askund një vit më parë në krye të një lëvizjeje të re politike, nuk bëri premtime mendjelehta e as nuk ishte kryelajm. U doli në krah refugjatëve; mbrojti monedhën e përbashkët të Europës, euron; dhe ishte i përgatitur për t’ua thënë francezëve troç se nuk mund t’ia kthejnë shpinën modernizmit dhe përparimit.

Nëpërmjet fushatës me argumente të arsyeshme ia doli t’ia merrte anën Le Penit, e cila ia kishte dalë të fitonte mbi 20 për qind në raundin e parë e duke kaluar 30-shin në balotazh, duke fituar me 65 për qind të votave. Kjo ka ndodhur në kohën e lajmeve të rreme të Trumpit, dhe në përgjithësi të rrenës, andaj ky ishte një demonstrim se arsyeja dhe koherenca kanë peshë në politikë.

Tani nis puna e madhe. Për herë të parë në Francë e djathta ekstreme ka marrë më shumë se një të tretën e votave, reflektim i zemërimit në vendin ku po humben vendet e punës, po dështojnë politikat për integrimin e emigrantëve dhe ku po stagnon ekonomia. Macroni, i cili ka thënë se është i vetëdijshëm për «zemërimin, ankthin dhe dyshimet», dhe ka premtuar të adresohen të gjitha pakënaqësitë sociale duke ringjallin shpresën dhe mundësinë në Francë. Dhe nëse nuk do të ketë ndryshim, atëherë do të jetë Le Peni që do të shënojë ngritje të re.

Dhe ndryshimi zor se mund të marrë formë në Francë. Është një vend i lidhur fort me «acquis», ose të drejtat e kërkuara, të mishëruara në shtetin e mirëqenies sociale. Shumëkush ka provuar. Shumëkush ka dështuar.

Është edhe më e zorshme pa mbështetje të fuqishme parlamentare, dhe Macronit i duhet përkrahja. Muajin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Lëvizja e tij, «En Marche!» duhet të organizohet shpejt për të përfituar prej fitores së tij. Ka moment të jashtëzakonshëm. Spektri tradicional politik i Republikës së Pestë – që deri tani qeverisej herë prej socialistëve të qendrës së majtë e herë prej republikanëve të qendrës së djathtë – është shkërmoqur me themel.

Mbase ky element, pa paralele të ngjashme në historinë e re politike europiane, dhe statusi i Macronit si i pavarur centrist, i kanë dhënë mundësi për t’i bindur më në fund francezët se ata mund të ruajnë – si gjermanët, holandezët, suedezët dhe danezët – bërthamën e sistemit të mirëqenies, duke krijuar njëherësh një treg më fleksibël pune që u jep shpresë të rinjve. Me 25 për qind të rinisë të papunë, Franca po ia bën sherrin vetes.

Nëse Franca e marr përpjetën edhe njëherë, do të shënojë ngritje edhe vetë Europa. Kjo do të ishte një goditje e fuqishme kundër shkollës nacionaliste-autokratike – Le Penit me shpurën e saj të maskimit politik, lolos ksenofob, Nigel Farange në Britani (mik i Trumpit), Putinit në Moskë, Erdoanit në Turqi, dhe afërmendsh kundër vetë presidentit amerikan, papërgjegjësia e të cilit në raport me aleatët europianë të Amerikës ka qenë e tmerrshme.

Triumfi i Macronit është fitore shumëdimensionale. Ai ka demonstruar se Franca nuk është shtet ku racizmi dhe përgojimi antieuropian mund të fitojnë në zgjedhje. Ai ka rifuqizuar idenë europiane dhe ka ngritur mundësinë që Franca e Gjermania të bëhen tok për ringjalljen e idealizmit europian. Ai ka goditur anglezët smirëzi që votuan për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian (dhe ta bënin pashmangshëm të vështirë procesin negociator të daljes nga BE-ja).

Mbi të gjitha, me inteligjencën dhe qytetarinë e tij, kulturën dhe syçelësinë e tij, Macroni ka hequr qafe pengesën që nxiste injorancë dhe mendjengushtësi që doli prej Zyrës Ovale të Trumpit dhe kërcënon të korruptojë thelbin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

«Vive la France! Vive l’Europe!» Më mirë s’ka ku shkon.