Ma mirë në Kuvendin e Kosovës se në Asamblenë e Ankarasë

Debati i sotëm në Kuvendin e Kosovës nuk ishte i nivelit të lartë, me ndonjë përjashtim. Megjithatë, vlera e demokracisë u pa: në Kosovë mund ta kritikosh presidentin pa u frikësuar se shkon në burg. Në Asamblenë e Ankarasë diçka e tillë nuk është e mundshme.




Depërtim apo deportim. Gjatë ditës së sotme qytetarët e Kosovës patën rastin të shohin deputetë që nuk e dinë këtë dallim mes fjalëve. Janë të paaftë në kuptimin gjuhësor dhe kjo është shenjë mjerimi. Këta njerëz përpilojnë e miratojnë ligje. Këta njerëz duhet të lexojnë ligje. Duhet të lexojnë Kushtetutën. Ndonjëri prej deputetëve lë përshtypjen e analfabetit funksional. Di të lexojë, di të lidhë shkronjat, por nuk arrin ta kuptojë efektin që prodhojnë shkronjat. Kindapim apo kidnapim? Kontekst apo kontest? Situvata apo situata? Terminologji apo treminologji? Hallka apo allka? Operacion apo aparacion? Status apo statut? Si në çdo debat parlamentar edhe ky i sotmi ishte i paparë. Gjuha e keqpërdorur është shpjegimi më i mirë se përse niveli i politikës mbetet kaq i ulët në Kosovë.

Megjithatë, edhe ky debat e ka një të mirë. Vlera e demokracisë u pa: në Kosovë mund ta kritikosh presidentin dhe çdokënd pa u frikësuar se shkon në burg. Në Asamblenë e Ankarasë diçka e tillë nuk është e mundshme. Pas përfundimit të debatit deputetët e Kosovës mund të vërshojnë kafehanet e Prishtinës apo të kthehen në familjet e tyre pa frikë se policia do të trokasë në dyert e tyre për t’i marrë në burg, sepse kanë kritikuar një pushtetar. Dhe kjo është vlera e demokracisë. Ndonëse demokracia kosovare ende mbetet në nivel foshnjor, megjithatë dy dekada nën tutelën perëndimore, përkundër anëve negative, kanë pasur edhe një efekt pozitiv: ata që pas luftës vrisnin kundërshtarë politikë për shkak të kritikës duket se nuk kanë më një guxim të tillë. Ky nuk është një përparim i madh, por prapëseprapë, krahasuar me Asamblenë e Ankarasë, është një dallim i madh.

Natyrisht që edhe në Turqi kritika është e mundshme, por mundësitë po ngushtohen për gazetarë, shkrimtarë, artistë, përfaqësues të shoqërisë civile. Kush kritikon padishahun që sundon nga pallati me 1000 dhoma, ai duhet të llogarisë me më të keqen. Një lider opozitar gjendet në burg, tjetrit i kërcënohet një padi nga Erdoani për lëndim shpirtëror. Në fakt ky opozitar kishte thënë se Erdoan ka qenë i afërt me Fetullah Gylenin, hoxhë efendiun, siç e quajnë mbështetësit e tij. Dhe kjo është e vërtetë: Erdoan dhe Gylen bashkë e kanë marrë pushtetin, bashkë kanë sunduar, qëllimi i tyre ka qenë të demontojnë ushtrinë si shtyllë e Turqisë properëndimore, laike. Kur dukej se këtë qëllim e arritën mes tyre shpërtheu një konflikt: gylenistët akuzuan erdoganistët se janë korruptuar, se i kanë tradhtuar idealet. Prokurorë të afërt me Gylenin filluan hetimet kundër njerëzve të afërt të klanit Erdoan, i cili u kundërpërgjigj ashpër. Kacafytja vazhdoi dhe eskaloi më 15 korrik 2016, kur një grup ushtarakësh, gylenistësh, ithtarësh të perëndimit dhe urrejtës të regjimit provuan ta rrëzojnë Erdoanin nga pushteti.

Dikur Erdoan dhe Gylen qenë bashkë. Për shembull në dasmën e futbollistit Hakan Shykyr, familja e të cilit vjen nga Prishtina. Imami Gylen dhe adhuruesi i tij, Erdoani, atëbotë kryetar i Stambollit. Dy prijës të islamit politik: Erdoani që kishte thënë se «për ne» demokracia është tren, nga i cili zbresim kur të arrijmë në cak, Gyleni që kishte një ëndërr: demontimin e shtetit kemalist. Në këtë betejë turke kosovarët nuk kanë përse të fusin hundët. Është betejë e huaj.

Sa i përket shkollave gyleniste në trevat shqiptare: le të mbyllen menjëherë, por – dhe këtë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e përmendën fare në debatin e sotëm – me rëndësi është të mbyllen edhe shkollat e Fondacionit Maarif, i cili kontrollohet direkt nga qeveria turke. Nëse duam ta zbrazim kontejnerin – le ta zbrazim krejt! Nuk mund të protestosh kundër rrëmbimit të gylenistëve dhe të shkosh për vizitë në një shkollë të Fondacionit Maarif, siç ka bërë, ta zëmë, kryeministri i Kosovës. Por, në këtë situatë emocionale është mirë që Skenderbegët e Ilirisë të mos e humbin krejt kontrollin, duke shpërthyer me sharje e vokabular racist ndaj Turqisë dhe sidomos duke u përpjekur të tregojnë njëfarë superioriteti kulturor ndaj një kombi me 80 milionë banore. Nuk janë 80 milionë Erdoana. Turqia është vend i ndarë në dy tabor: njëri tabor (ai properëndimor) e sheh Erdoanin si despot, tjetri e madhëron si shpëtimtar. Kjo betejë do të vazhdojë. Momentalisht Erdoani duket se është në epërsi, sepse kontrollon aparatin represiv. Por asnjë regjim represiv nuk mund të mbajë pushtetin përgjithmonë. Për të folur për Turqinë (si për çdo vend tjetër) duhet edhe pak dije, informacion, ekspertizë. Të shtënat me pushkë gjuetie nëpër Facebook shumëkënd në Kosovë po e nxjerrin qesharak para opinionit. Problemi më i madh i Kosovës në këtë aferë nuk është Erdoani, problemin e kemi në Prishtinë – te një grup njerëzish që shkelin ligje e Kushtetutë dhe nuk u dridhet syri. Problem nuk janë vetëm organizatorë e rrëmbimit të qytetarëve turq. Problem është edhe doktor Pal Lekaj kur del në televizion dhe thotë: «Osht nji interar Ankara-Prishtinë-Ankara…». Itinerar apo interar? E mjera, e dashura gjuhë shqipe!