«Lutjet e Mëngjesit»: Delegacion tepër i madh i Kosovës – 23 politikanë e përcjellës bëhen gati të shkojnë në Washington

Në krye të delegacionit të Kosovës do të jetë presidenti Hashim Thaçi. Në listën e gjatë të delegacionit nuk gjenden emrat e Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit. Por, është ftuar Besim Beqaj, i cili ballfaqohet me një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës. Ftesa e një politikani të tillë i bën absurde thirrjet e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, se Kosova duhet të luftojë korrupsionin dhe keqqeverisjen. Llogaritet se vetëm biletat e avionit do të kushtojnë së paku 23 mijë euro, pa përmendur këtu akomodimin, drekat, darkat dhe mëditjet.

Washingtoni në dimër.



Si çdo vit edhe sivjet, në ditët në vijim, në Washington do të mbahen të ashtuquajturat «Lutje të Mëngjesit», një aktivitet tradicional, ku marrn pjesë politikanë amerikanë dhe liderë të ndryshëm nga bota. Delegacioni kosovar sivjet pritet të këtë «dimensione kineze»: sipas një liste që e ka parë «Dialogplus» pritet që nga Prishtina drejt Washingtonit të nisen 23 politikanë e përcjellës të tyre.

Në krye të delegacionit do të jetë presidenti Hashim Thaçi, ndërsa pas tij ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli dhe Besim Beqaj, ministër i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, i cili është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe nga mediat shpesh është përmendur në konteskt të aferave korruptive. Ftesa e një politikani të tillë i bën absurde dhe të pabesueshme thirrjet e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, se Kosova duhet të luftojë korrupsionin dhe keqqeverisjen. Nga partia e ashtuquajtur socialdemokrate (PSD), e cila dominohet nga figura që braktisën Lëvizjen Vetëvendosje, është ftuar Dardan Sejdiu. Në «Lutje të Mëngjesit» do të marrin pjesë edhe politikanë të pakicës serbe.

Në listën e delegaconit kosovar mungon emri i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Nga mesi i janarit zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte njoftuar për «Zërin e Amerikës», se ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare për vizën e kryeministrit nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët e qeverisë thanë atëherë se Haradinaj do të udhëtonte në SHBA për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Nëse për 23 anëtarët e delegacionit bileta e avionit nga Prishtina në Washington kushton mesatarisht 1000 euro, atëherë vetëm udhëtimi pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 23 mijë euro. Po aq – në mos më shumë – pritet të harxhohen edhe për akomodim, dreka, darka dhe mëditje.