Lunacekut s’i kanë pëlqyer hiç veprimet e opozitës në Kuvend

Aksioni i opozitës në Kuvendin e Kosovës nuk i ka pëlqyer përfaqësueses për Kosovën në Parlamentin e Evropian, Ulrike Lunaçek.




«Hedhja e vezëve dhe bllokimi i punës së Kuvendit nuk është një praktikë e mirë për të adresuar kritikën», ka thënë Lunacek.

Madje mendimin e saj Lunaçek ua ka thënë në takim edhe përfaqësuesve të partive opozitare.

«Hedhja e vezëve në parlament nuk do të duhej të ishte pjesë e debatit politik. U thashë miqësisht edhe anëtarëve të opozitës. Aq sa mbaj në mend, parlamenti kërkoi nga kryeministri raportimin. Me sa di unë, kryeministri Mustafa ka qenë i pari që ka ardhur për të informuar kuvendin menjëherë pasi janë arritur marrëveshjet», ka thënë Ulrike Lunaçek, raportuese për Kosovën në PE.

Lunacek ka folur edhe për liberalizmin e vizave, porse, deklaratat e saj nuk përkojnë me ato të zyrtarëve kosovarë.

Derisa ministri i integrimeve, Bekim Çollaku, ka deklaruar disa herë rresht se vitin e ardhshëm do të liberalizohen vizat, Lunacek nuk është e sigurt se diçka e tillë do të ndodhë në fund të vitit të ardhshëm.

Kjo, për faktin se migrimi ilegal e ka dëmtuar këtë proces si dhe Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

«Nuk është e jona të premtojmë, është çështja se a do t’i përmbushë Kosova të gjitha kriteret. Shanset janë të mira që këtë progres në vitin 2016. Presidenti i komisionit evropian, Junker, është duke e shtyrë përpara liberalizimin e vizave për Ukrainën, ndërsa të tjerët duan që Gjeorgjia të marrë liberalizimin. Unë vazhdimisht u them të gjithëve, nuk mund të ndodhë që Ukraina e Gjeorgjia të marrin liberalizim pa u liberalizuar vizat edhe për Kosovën», ka thënë Lunacek.

Lunacek ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, do të ishte një e arritur e madhe, ndërkohë që është deklaruar e bindur se shumë shpejt Kosova dhe BE-ja do të përfundojnë çështjen e MSA-së.

Lunacek po e udhëheq delegacionin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, gjatë vizitës në Kosovë, me ç’rast janë pritur nga presidentja Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.