Lugina imiton serbët e Kosovës, themelon Asociacionin shqiptar




Mbështetje unanime i kanë dhënë përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës deklaratës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

 

Në mbledhjen e mbajtur të shtunën nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Preshevës, kanë marrë pjesë 43 këshilltarë.

Por mbledhja u bojkotua nga Partia e Veprimit Demokratik, që udhëhiqet nga deputeti në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, si dhe nga Unioni Demokratik Shqiptar i Ramiz Zylfiut.

Përmes deklaratës që përmban gjashtë pika, Asociacionit të Luginës së Preshevës i është dhënë fuqi e njëjtë juridike me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Në çdo rast do të aplikohen parimet e reciprocitetit.

Sipas pikës katër të deklaratës, organet e Asociacionit do të themelohen mbi bazën e statutit që do të miratohet nga asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës.