Lugina e mullinjve të Llapit

Mullinjtë me ujë ishin me bollëk në pjesën perëndimore të Podujevës. Ata ishin të radhitur njëri pas tjetrit përgjatë tërë rrugës në luginën e fshatrave Majac, Lupç i Epërm e Popovë të Podujevës. Në këtë pjesë kishte edhe mulli vetëm për një familje. Dikur ata ishin të shumtë të numër. Sot, pjesës më të madhe të tyre u kanë mbetur vetëm emrat

Nga Nexhat TOVËRLANI

Gurët nuk po bluanin misrin në një ditë qershori. Ata ishin ndalur së punuari pak përpara nga njëri prej trashëgimtarëve të Mullirit të Lam Binakut në fshatin Majac të Podujevës. Uji këtu është me bollëk edhe në kohët më të nxehta të verës. Por, tash nuk ka punë si më parë. Dikur radhët ishin shumë të gjata nga ata që prisnin për të bluar drithin. Pritjet mund të zgjasnin edhe me javë. Por, tash gjithçka duket se ka ndryshuar.

Tabela e vendosur në derën e Mullirit të Lam Binakut ku tregon orarin e punës e numrin mobil të telefonit nuk i shkojnë shumë këtij objekti të vjetër të ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore. Datën e saktë nuk ia di as Ramadan Krasniqi (1969), njëri prej trashëgimtarëve të këtij mulliri të gurtë. Në tabelë thuhet se punohet nga e marta, që nënkupton se ai tashmë gati ka bërë javën. Të martën që vjen tabelë tjetër do të vendosë vëllai i Ramadanit, i cili është trashëgimtari tjetër i këtij mulliri. Kështu e kanë ndarë hisenë e këtij mulliri të ndërtuar nga gjyshi i tyre, Islami, që shkurt e thërrisnin Lam. Historia e mullirit të tij është e gjatë. Ashtu si vetë jeta.

«Ky mulli kurrë nuk u nalë. Ka punue gjithë. Këtu kanë pru me blue grunë ma shumë, po edhe kallamboq, elb e tërshanë prej Prishtine, Obiliqi, Vushtrrie e Podujeve. Kanë prit deri 1 javë me iu ardhë rendi me blue. Edhe tash biejnë, po ma rrallë», rrëfen Ramadan Krasniqi.

Mulliri i Lam Binakut që gjendet në një teposhte në të majtë të rrugës së asfaltuar të fshatit Majac, ka dy gurë me të cilët mund të bluajë në të njëjtën kohë. Por, trashëguesve të tij nuk u ndodhë që t’i lëshojnë në punë të dy përnjëherë. Kërkesat tash nuk janë të mëdha. «Mullini ka punue edhe gjatë luftës. Njani gur ka blue veç për UÇK-në e tjetri për popullatën. Përpara kjo anë ka pas shumë mulli me ujë. Po tash pas lufte veç ky ka mbet që bluen hala», tregon Ramadani.

Rreth 20 mullinj në një fshat

Edhe mulliri nuk është i tëri si dikur. Ai ka pësuar disa ndryshime të vogla, por që nuk ia humbin vjetërsinë. Ramadani thotë se ia kanë ndërruar kulmin më herët dhe disa renovime të vogla. As dy lugjet e ujit e rrota që sjell boshtin tash nuk janë të drunjta si dikur. Ato janë zëvendësuar me të hekurit në vitin 1962. Ndërsa, pas luftës së fundit, mullirit ia kanë ndërruar edhe dyshemenë ku kanë vendosur pllaka hekuri në vend të dërrasave nëpër vrimat e të cilave dukej mirë uji që kalonte nëpër jazin e mullirit. Uji që vjen në këtë mulli nga lumi i Kaqandollit kalon 500 metra nëpër jaz për të arritur deri në lugjet e tij. Ky ujë që nuk shteron as në ditët e nxehta ishte bërë lehtësim për banorët e kësaj pjese që të ndërtonin mullinjtë të shumtë në fshatrat Popovë, Lupç i Epërm e Majac. S’kishte lagje që nuk kishte një mulli me ujë. Kjo ishte lugina e mullinjve.

Të tri këto fshatra shtrihen në një luginë të ngushtë të rrethuara në tri anë me kodra të larta në lartësi mbidetare rreth 1’000 metra. Ujëvara e këtij burimi fillon në vendin Ushtnore ndërmjet fshatit Kaqandoll e Popovë. Ka marrë këtë emër për shkak të zhurmës që krijon uji që bie nga një lartësi rreth 50 metra. Uji kalon nëpër luginën që përshkon katër fshatra deri në Lupç të Poshtëm, kur edhe derdhet në lumin Llap. Tri pjesët e tjera, në lindje që ka qytetin e Podujevës (Llapashticë, Katunishtë, Bradash), në perëndim Vushtrrinë e në veri Mitrovicën, janë të rrethuara me kodra të larta. Secila kodër ka emrin e vet. Posa të hysh në fshatin Lupç të Epërm, në të djathtë nis Kodra e Zhegrovëve dhe Kodra e Kalasë, kur edhe hyn në fshatin Popovë. Në vazhdim është Kodra e Gurinës, pastaj Livadhi i Qershisë, Orlishta, Kodra e Staneve, Kodra e Potokut te Bajçinovcët dhe Kodra e Kalasë. Ndërsa, në anën e majtë të këtyre fshatrave, është Kodra e Lupçit që lidhet me Popovë. Aty pastaj fillon Kodra e Punovikut, Zanoga, Shpati i Keq dhe ai i Blinit, Ahishta e Madhe, Kunga e Korrizit e deri te Kërrshi i Sokolit. Fshati Popovë printe për nga numri i mullinjve. Aty dikur ishte Mulliri i Nurë Maçastenës, 300 metra më larg tij ishte Mulliri i Metit, pastaj Mulliri i Hys Popovës bashkë me vajavica për shkeljen e zhgunit, gjurmët e të cilit janë ende. Pastaj Mulliri i Haradinit dhe i Përveticëve, Mulliri te Roga e Korrizit, Mulliri i Talit dhe tre mullinjtë e Fejzë Segashit, të cilët kishin aty edhe vajavica. Kurse te Gryka e Kaqandollit ishin edhe 7-8 mullinj të tjerë që janë quajtur Mullinjtë e Pardyzëve në Lagjen Segashë të Popovës.

Në Popovë flamuri kombëtar u ngrit para Vlorës

Në Popovë tash asnjë mulli nuk punon. Të gjithë gati janë të rrënuar. Në këmbë ende qëndrojnë vetëm Mulliri i Agushit dhe ai i Nazifit. I pari i ndërtuar nga balta dhe drunjtë duket shumë i vjetër. Ai ka kohë që nuk ka bluar. Ndërsa Mulliri i Nazifit ishte ndërtuar shumë më vonë. Ai kishte punuar gjatë luftës së fundit për UÇK-në e popullatën. Por, jo edhe pas luftës.

Ademi është njëri prej banorëve të paktë të moshuar të fshatit Popovë. 82-vjeçarit edhe tash i kujtohet se në rininë e tij, kishin mullirin me ujë vetëm për nevojat e tyre familjare, edhe pse në fshat ishin rreth 20 mullinj të tjerë. «Në vitin 1955 e patëm marue me babën një mulli me ujë këtu nalt. Uji vike prej kodrës. Mullini u kanë i vogël, e bluejshim veç për veti se me çue diku ta merrshin ujemin (përqindjen e drithit)», thotë Ademi që edhe tash jeton në Popovë. Mulliri i tij nuk është më.

Dikur fshati Popovë kishte 120 shtëpi në lagjet Mërnica, Potoku, Lagjja e Bajçinovcëve, Segashi, Lagjja e Përveticëve, Orlishta, Lagjja e Maçastenëve, e Rexhovite, Sinani, Murati dhe Lagjja Agushi. Por tash aty kanë mbetur rreth 20 shtëpi. Banorët këtu kultivonin grurin, patatet, misrin, etj. Por me blegtori nuk merreshin shumë për shkak të hapësirave të pakta me livadhe.

Megjithëse fshat i thellë e i rrethuar në tri anët me kodra të larta, asnjëherë nuk u ka shpëtuar luftërave. Në vitin 1921 banorët këtu kishin pësuar nga aksioni i ashtuquajtur «Rrëfija». Luftë këtu kishte pasur edhe në vitin 1945 dhe 1999 ku pati edhe viktima. Por banorët nuk duket se janë thyer nga okupatori.

Hasani, një ish-banor i Popovës, thotë se në vitin 1911 Hys Popova kishte ngritur flamurin kombëtar një vit para se ai të ngrihej në Vlorë nga Ismajl Qemali kur ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë.

E Ramadan Krasniqi i ka edhe dy ditë për të kryer orarin e tij. Ai lutet që të ketë më shumë myshterinj për të bluar drithëra, edhe pse e di se më kurrë nuk do të jetë si dikur.