«Lugina e Diellit» ndërtohet mbi shtëpitë e shkatërruara të shqiptarëve

Aty ku nisi ndërtimi i 300 shtëpive të lagjes «Lugina e Diellit» në Zveçan, shumë shqiptarë kishin shtëpitë e tyre, raporton KTV.

Serbët e asaj ane i dëbuan duke ua shkatërruar shtëpitë. Derisa tash Qeveria e Serbisë në të njëjtin vend mendon për t’i kthyer serbët e shpërngulur në Serbi.

Të mllefosur me këtë nismë, aktivistë të Iniciativa Qytetare për Veprim nga Mitrovica përmes fotografive në të cilat shiheshin ish-shtëpitë e shqiptarëve protestuan para qeverisë.

Bujar Voca fajëson kryeministrin Isa Mustafa, i cili, sipas tij, po qëndron duarkryq dhe nuk po lëviz që të ndalojë realizimin e këtij projekti.

Aktivistët nuk e kanë ndërmend ta ndalen me kaq. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera ditët në vazhdim.