«Lugina e Diellit», lagje për serbët e kthyer në Kosovë

Në Beograd është prezantuar projekti i ndërtimit të lagjes për të kthyerit në veri të Kosovës «Lugina e Diellit».




Në këtë lagje, sipas asaj që njofton B92, do të jetojnë 1.500 të kthyer e ndërtimi i saj do të fillojë së shpejti.

«Ky është hap historik për kthimin e popullit tonë në Kosovë e Metohi. Brenda një kohe të shkurtër do të vihet guri themeltar në lokacionin e përgatitur krejtësisht për ndërtim»,ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq duke shtuar se fillimi i punimeve pritet gjatë disa javëve të ardhshme, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar «se sot është ditë e madhe për serbët në Kosovë , por edhe për të gjithë serbët nga Kosova të cilët para 16 vjetësh u dëbuan në Serbinë qendrore për shkak se është projekti i parë pas 16 vjetësh të cilin me forca të bashkuar e bëjnë Qeveria e Serbisë, Zyra për Kosovën, Argjipeshkvia Rashkë – Prizren dhe pushtetet lokale serbe në Kosovës bashkë me përfaqësuesit serbë në institucionet e përkohshme të administratës në Prishtinë».
«Ky projekt ka për qëllim t’iu mundësojë 1,500 vetave që edhe sot janë të dëbuar në Serbi që bashkë me të afërmit e vet të vijnë e të jetojnë në Kosovë, në vendet ku kjo është e sigurt», ka thënë Gjuriq.
Ministri për Pushtetin Lokal në Qeverinë e Kosovës Lubomir Mariq ka thënë se shpreson që ky projekt të përfundojë brenda një viti e gjysmë.

Episkopi Teodosije ka thënë se projekti për kthim ka rëndësi shumë të madhe.
Kryetari i Zveçanit Ivan Todosijeviq ka deklaruar se «Lugina e Diellit» është projekti më i madh Serbisë në Kosovë që nga vitit 1990 dhe se me të Serbia dëshmon se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e saj.

Lagjja do të ndërtohet në veri të Kosovës, në pozitën strategjike të rëndësishme ndërmjet Mitrovicës e Zveçanit.