Lugina e braktisur

Lugina e Preshevës po zbrazet dita ditës nga shqiptarët. Banorët thonë se janë të diskriminuar nga politika serbe e të anashkaluar nga Tirana e Prishtina. Politikanët lokalë sipas tyre po i shikojnë vetëm përfitimet e veta, derisa mirëqenien e popullit nuk e kanë prioritet. Përkrahje nuk kanë e as nuk presin nga Serbia, të cilën e konsiderojnë armike, derisa nga Shqipëria e Kosova kanë dëgjuar vetën deklarata, pa vepra konkrete.




Praninë e shtetit në të cilën jetojnë e shohin vetëm me mbipopullimin me policë e xhandarë përskaj kufirit me Kosovën. Me një papunësi që sillet prej 70 deri në 80 për qind, ata nuk shohin perspektivë për të ardhmen, shkruan sot «Koha Ditore».

Ndërkaq qeveria e Kosovës që vazhdon të merret me pasojat e prezencës së Serbisë në Kosova, edhe për një kohë nuk do ta ketë në agjendë çështjen e shqiptarëve të Luginës. Të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, nuk i kanë as për së afërmi shqiptarët e Luginës.

Banorët që has në qytetin e Preshevës hezitojnë të flasin për problemet që i kanë.

«Politikanët pyesni si jetojmë», thotë një i ri duke rritur dozën e nervozizmit. «Sidomos pushteti i sotëm e ka likuiduar Preshevën, një bankë e kemi, nuk kemi gjyq, nuk kemi asgjë, pushteti i sotëm është më i keqi që e ka qeverisur Preshevë», shfryn ai mllefin. Ai nuk pret të bëhet mirë. «Po çfarë të bëri mirë, edhe ne me ik si refugjatët sirianë». «Presheva po zbrazet», përfundon ai.

E Nerdoani një i ri tjetër nga Presheva thotë se duan të jetojnë si të gjithë shqiptarët e tjerë. Sipas tij, politika shqiptare nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e gjendjes së banorëve. Ka theksuar se është mirë që të kërkohet që shqiptarët e Luginës të kenë aq të drejta sa serbët e Kosovës. Për ta gjendja nuk ka ndryshuar në 100 vitet e fundit.