Luftoje luftën e drejtë

Paqja mbretëron në Ballkanin Perëndimor, por shumëkush po shkon të luftojë jashtë vendit, raporton «The Economist»




Luftëtarë nga Ballkani Perëndimor, duke filluar prej Detit të Azovit deri në Alep, po luftojnë kudo nëpër botë. Aq shumë janë të shqetësuar qeveritarët e tyre sa kanë aprovuar ligje që ndalojnë pjesëmarrjen nëpër luftëra jashtë vendit, ndërsa shërbimet e sigurisë po bashkëpunojnë me ato të huaja për monitorimin e tyre.

Numri i tyre është i vogël. Mirëpo Ballkani është bukur mirë i përfaqësuar në fushëbetejat e huaja.

Serbët ortodoksë po u bashkohen rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, derisa kroatët, të besimit katolik, në po këtë konflikt luftojnë në anën e forcave ukrainase. Shqiptarët myslimanë, boshnjakët dhe myslimanët nga Sanxhaku, rajon ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, kanë shkuar për të luftuar në Irak dhe në Siri. Të gjithë ata i postojnë mesazhet në internet dhe i dërgojnë përshëndetje njëri-tjetrit. Muajin e kaluar dy kroatë postuan një video-xhirim në «YouTube» , duke i porositur «miqtë» e tyre serbë: «Shihemi së shpejti!»

Për serbët dhe kroatët, ky konflikt paraqet reprizë të vetë përleshjes së tyre të armatosur, por po aq edhe një aventurë apo kryqëzatë.

Kohë më parë serbët në lindje të Ukrainës ishin marrë më tepër me konfliktet e tyre të brendshme. Serbi i profilit më të lartë në rajonin e Ukrainës lindore është Radomir Poçuc, dikur zëdhënës i Ministrisë së Brendshme serbe. Muajin e kaluar ai u mor peng nga luftëtarët e tjerë serbë. Ai është turpëruar me fotografi në «Facebook», në të cilat shihej i lidhur, me sy të lidhur dhe me moton «Nderi serb» të shtypur në bluzë.

Shumë serbë janë të lidhur me grupe të vogla ultranacionaliste.

Ata i urrejnë qeveritë e tyre, e urrejnë Bashkimin Evropian dhe janë kundër hyrjes në NATO.  Besojnë se po e zhvillojnë një betejë të krishterë. Në këtë pikë kanë qëndrime të ngjashme me kroatët, të cilët i janë bashkuar batalionit «Azov» të Ukrainës, një njësiti famëkeq për simbolet e tij neonaziste e që ka tërhequr vullnetarë nga e majta ekstreme prej të gjithë Evropës.

Edhe pse fitojnë nam të madh, thotë Kacper Rekawek, hulumtues polak, ata janë relativisht të paktë në numër në Ukrainë, krahasuar me rusët. Ai vlerëson se afro 300 luftëtarë i janë bashkuar secilit krah. Mirëpo me më shumë se 100 serbë që luftojnë në anën e kryengritësve, ata përbëjnë një prej grupeve më të mëdha të të huajve. Kroatët, me 25 apo më shumë luftëtarë, kanë kontingjentin e tretë më të madh të të huajve në anën e Ukrainës.

Në Siri dhe Irak numrat janë dukshëm më të lartë.

Shpend Kursani, autor i raportit për luftëtarët nga Kosova në këto vende, ka thënë se ka identifikuar 232 sish. Në këto vatra të luftës janë 330 boshnjakë, 90 shqiptarë, 70 serbë dhe 12 maqedonas.

Lideri i kontingjentit shqiptar në grupin e «Shtetit Islamik» është Lavdim Muhaxheri, i cili si anëtar i kthyer i grupit është i fiksuar me rejtingun e tij në mediat sociale. Muhaxheri ka xhiruar një video, në të cilën shihet si ia heq kokën një të burgosuri irakian. Kursani thekson se, kur përllogaritet numri i xhihadistëve me përqindjen e numrit të banorëve të atij shteti, Kosova është në krye të listës prej 22 shteteve, Bosnja e dyta e Shqipëria e katërta. E sa i përket përqindjes së myslimanëve në secilin shtet, Kosova renditet e 14-ta, ndërmjet Gjermanisë dhe Spanjës. Bosnja është e 11-ta, ndërsa Shqipëria e 20-ta. Nëntë shtetet e ranguara më së larti janë ato të Evropës Perëndimore.

Sipas Kursanit, shumica e kosovarëve në Siri janë nga rajonet rurale dhe të arsimimit më të ulët. Pothuajse dy të pestat e tyre kanë dosje kriminale. Rreth 34 dihet të jenë vrarë.

Me gjithë besimin e përhapur gjithandej se për shkuarjen e tyre në vendluftim përgjegjës është ndikimi i Arabisë Saudite, Kursani ka vërtetuar se janë të motivuar nga ideologjia e tekfirit, e cila rrjedh prej Egjiptit, ndërsa po përhapet prej kohësh në Kosovë, nëpërmjet imamëve shqiptarë prej Kosovës.

Termi tekfir nënkupton shpalljen e një personi jobesimtar apo shkelës të islamit. Në krishterim ky akt cilësohet si anatemizim.

Shumica e luftëtarëve pas kthimit nga vendluftimet do të përballen me arrestime, përjashtim bën Kroacia ku pjesëmarrja në luftërat e huaja nuk është e ndaluar. Qeveritë ballkanike nuk duan që nacionalistët ekstremë apo kryengritësit e dhunshëm të krijojnë probleme në vendet e tyre.

Sidoqoftë ajo që bie në sy është se shumicën e luftëtarëve nga Ballkani, kur lihet mënjanë feja, i lidh një gjë e vetme – e ajo është kundërshtimi i liberalizmit dhe Perëndimit.