Luftimi i informalitetit rrit të hyrat në Buxhetin e Kosovës

Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot ambasadoren e Holandës, Gerrie Willems, dhe përfaqësuesin e FMN-së Ruud Vermeulen, me të cilët diskutoi për proceset zhvillimore ekonomike në Kosovë.

Ministri Hoti duke falënderuar Ambasadën e Holandës dhe ambasadoren Gerrie Williems për ndihmën e dhënë në proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, shprehi nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet dy vendeve, transmeton Koha.net.

Ai gjithashtu i njoftoi të pranishmit për procesin buxhetor, politikat fiskale, për bashkimin e ATK-së dhe Doganës në një agjenci te vetme, për zhvillimet ekonomike të vendit si dhe për masat të cilat janë marre për të luftuar ekonominë jo formale, masa të cilat kanë ndikuar dukshëm edhe në rritjen e të hyrave buxhetore në Buxhetin e Kosovës.

Ndërsa, ambasadorja e Holandës Gerrie Willems dhe përfaqësuesi i FMN-se Ruud Vermeulen shprehën gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon e në veçanti në fushën e statistikave, ku ambasadorja e Holandës Willems e njoftoi Ministrin Hoti për vendimin e Holandës për të ofruar asistencë teknike për Kosovën përmes FMN – së, në fushën e financave dhe statistikave.