Lufta për presidentin e ardhshëm shqiptar

Zgjedhja e presidentit të ardhshëm mund të bëhet një luftë për pushtet brenda koalicionit qeverisës, i cili pritet gjithashtu të emërojë një kandidat pa kërkuar mbështetjen e opozitës.

Presidenti Republikës dhe kreu i KLD-së Bujar Nishani. Foto: LSA



Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se koalicioni i tij qeveritar i qendrës së majtë do të bie dakord mbi emrin e presidentit të ri – që pritet të emërohet në këtë pranverë – pa kërkuar një konsensus me partitë opozitare.

«Ne do të diskutojmë brenda koalicionit tonë gjatë vitit 2017 dhe do të kemi edhe vështirësi për të zgjedhur emrin», tha Rama në konferencën e fundit për shtyp për vitin 2016, të mbajtur më 30 dhjetor.

Analistët besojnë se zgjedhja e Presidentit të ri, i cili emërohet nga parlamenti, mund të kthehet në një luftë për pushtet midis Partisë Socialiste të Ramës dhe partnerit të saj të koalicionit, Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI-së, të udhëhequr nga kryetari i parlamentit, Ilir Meta.

Ata thonë se zgjedhja e kreut të shtetit do të zbulojë gjendjen e marrëdhënieve dhe balancën e pushtetit midis dy partive përpara zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për në qershor.

Kushdo që do të zgjedhet do të jetë presidenti më i dobët ndër vite, për shkak të reformave gjyqësore që do të hyjnë në fuqi në vitin 2017, të cilat do ta zhveshin presidentin nga disa kompetenca të rëndësishme.

Presidenti i shtatë që kur Shqipëria futi sistemin pluralist politik do të emërohet në pranverë në një proces që pritet të fillojë në prill dhe të përfundojë në muajin maj, para se parlamenti të shpërbëhet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit.

Presidenti aktual, Bujar Nishani, u zgjodh në korrik të vitit 2012 me vetëm 73 votat e partisë së atëhershme në pushtet, Partisë Demokratike të qendrës së djathtë.

Nishani ishte një deputet i Partisë Demokratike në atë kohë. Si rezultat, si president, ai shpesh është akuzuar për paragjykim dhe është rreshtuar pas interesave të demokratëve, tani në opozitë.

Vetë Nishani ka treguar se mund të kandidojë për mandatin e dytë si president, në këtë rast Partia Demokratike në opozitë mund ta mbështesë përsëri kandidaturën e tij.

Lufta për pushtet sapo ka filluar

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike, i cili shërbeu si këshilltar politik i dy presidentëve të mëparshëm, tha për BIRN se deklarata e Ramës – se mazhoranca do të emërojë kryetarin e ri pa kërkuar mbështetjen e opozitës – nuk ishte befasi.

«Ata kanë votat e nevojshme (në parlament)», vuri në dukje ai. «Për më tepër, që nga viti 1992, vetëm një president ka ndjekur një propozim të partive të krahut të majtë», shtoi ai.

Sipas Krasniqit, çfarë mbetet për t’u parë është nëse presidenti i ardhshëm i përket Partisë Socialiste të Ramës, PS-së, apo nëse emri i tij «kthehet në një ujdi politike brenda paketës së pushtetit mes PS-së dhe LSI-së».

Mero Baze, drejtor i gazetës Tema, tha për BIRN, se ai beson se zgjedhja e presidentit do të jetë një çështje e dy aleatëve që drejtojnë qeverinë, socialistëve dhe LSI-së, dhe do të shihet si një test i vazhdimësisë së mundshme të koalicionit të tyre, i cili ka filluar në vitin 2013.

«LSI-ja mund ta përdorë procesin për të fituar më shumë pushtet brenda koalicionit dhe në skenën e përgjithshme politike», tha ai.

«Gjithashtu, bisedimet mbi presidentin pritet të vendosin se si raporti i pushtetit do të ndahet në mes të palëve, nëse ata vendosin të shkojnë së bashku në koalicion në zgjedhjet e qershorit», shtoi ai.

Lutfi Dervishi, ligjërues në Universitetin e Tiranës, i tha BIRN-it se do të ishte mirë që të ketë një president i cili nuk është nga ndonjë prej partive politike.

Megjithatë, shtoi ai, se varet nga dakordimi mes mazhorancës dhe opozitës mbi një kandidat të profilit të lartë që qëndron mbi palët.

«Përvoja 26 vjeçare në pluralizëm ka treguar se skenari më i mirë është që të kemi një president mbi palët. Por unë jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodh», paralajmëroi ai.

«Pritjet e një konsensusi mes dy kampeve këtë herë do të reduktohen në një konsensus mes dy partive në pushtet, PS-së dhe LSI-së», shtoi ai.

Baze beson se një president konsensual nuk ka gjasa, sepse, kur Partia Demokratike ishte në pushtet, ka zgjedhur kryetarë njerëzit të cilët ishin të partisë.

«PD ka vendosur një shembull të keq, duke zgjedhur deputetët e saj si kryetarë dhe kështu ka krijuar një traditë të presidentëve politikë që pritet të vazhdojë», tha ai.

Dervishi gjithashtu beson se qeveria e qendrës së majtë e Ramës do të duan të kërkojnë hakmarrje për atë që ndodhi në vitin 2007 dhe në vitin 2012, kur PD-ja ka zgjedhur deputetët e saj si kryetarë.

«Shumica e majtë ka tani momentin e saj politik për hakmarrje», theksoi ai.

Presidenti më i dobët

Analistët besojnë se presidenti i ri do të jetë më i dobëti që vendi ka pasur ndonjëherë në aspektin e pushtetit.

Siç vuri në dukje Afrim Krasniqi, reformat e reja gjyqësore që pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2017 do të reduktojnë ndjeshëm fuqinë e kreut të shtetit mbi sistemin e drejtësisë.

«Presidenti i ri do të ketë kompetenca më pak kushtetuese në historinë e Republikave shqiptare, përkatësisht nga viti 1925 deri në vitin 1928 dhe nga viti 1991 deri më tani», theksoi ai.

Lutfi Dervishi thotë se deri në vitin 2008, presidenti është parë si një figurë që mund të mbrojë institucionet e pavarura nga tirania e shumicës në parlament.

Por PS-ja dhe PD-ja vendosën në vitin 2008 që të bëjnë ndryshime kushtetuese, të cilat hapën rrugën për zgjedhjen e një presidenti me shumicë të thjeshtë të votave.

Kjo ndryshonte nga dispozita e vjetër në kushtetutë, e cila thoshte se presidenti mund të zgjidhet vetëm nga një shumicë cilësore e parlamentarëve.

«Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, për fat të keq, presidenti bëhet një figurë simbolike», tha ai.

«Në momentin që ai mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të votave ka reduktuar shanset e tij për uljen fuqisë së shumicës në pushtet», përfundoi Dervishi.

Si votohet Presidenti i Shqipërisë?

Sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, një grup prej të paktën 20 deputetëve ka të drejtë të propozojë emrin e një kandidati presidencial në parlament, i cili është përgjegjës për përzgjedhjen e fituesit me anë të një votimi të fshehtë midis 140 deputetëve.

Nuk ka debat për kandidatin. I tërë procesi mund të zgjasë deri në pesë javë dhe përfshin pesë raunde.

Në raundin e parë, kandidati duhet të fitojë të paktën tre të pestat e 140 votave, ose jo më pak se 84.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton shumicën e nevojshme, votimi përsëritet brenda një jave deri në raundin e tretë.

Në qoftë se, pas raundit të tretë, asnjë kandidat nuk ka mbledhur mbështetjen e së paku 84 deputetëve, në raundin e katërt dhe të pestë presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 71 votave.

Në qoftë se një kandidat i suksesshëm nuk do të shfaqet në pesë raunde votimi, vendi duhet të shkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

(https://www.reporter.al/lufta-per-presidentin-e-ardhshem-shqiptar/)