Lufta në Siri: vdes vëllai i djaloshit Omran

Fotografia e Omranit 5-vjeçar të mbuluar me gjak, i cili nxirret nga rrënojat e luftës në Halep të Sirisë, ka qarkulluar në mbarë botën dhe ka tronditur shumë njerëz. Por, siç njoftojnë mediat gjermane, vëllai i Omranit ka vdekur nga lëndimet.

Omrani, 5-vjeçar, viktimë e luftës në Siri. Foto: Aleppo Media Center, Twitter

Kjo skenë ka tronditur botën: Omrani 5-vjeçar, një fëmijë sirian nga qyteti i Halepit, rri ulur në veturën e ndihmës së shpejtë, flokët i ka të mbuluara me pluhur, trupin e rrobat me gjak. Një fotografi që është botuar gjithandej rruzullit si simbol i luftës dhe vuajtjes së fëmijëve.

Tani mediat gjermane kanë bërë të ditur se vëllai i tij ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve që ka marrë në luftën që po zhvillohet në Halep. Këtë e ka bërë të ditur fotografi që ka qenë i pranishëm me rastin e shpëtimit të Omranit. Vëllai i tij 10-vjeçar ishte plagosur si Omrani gjatë një sulmi të mërkurën, i tha Mahmud Raslan agjencisë gjermane të lajmeve DPA. Ai vdiq nga lëndimet që kishte marrë në bark. Lajmin për vdekjen e vëllait të Omranit e ka konfirmuar edhe televizioni ABC News, duke u thirrur në njoftimet e aktivistëve në Halep.

Fotografi tha se kishte takuar familjes e Omranit dhe i kishte shprehur ngushëllime. Sipas tij gjendja e djaloshit të premten në mbrëmje ishte stabile pas një operacionit, por të shtunën gjendja e tij u keqësua në mënyrë dramatike.

Pamjet e Omranit tronditën njerëzit në mbarë botën. Fotografitë e tij i kishte publikuar Aleppo Media Center (AMC). «Mund t’i them botës se në Halep çdo ditë vdesin dhjetëra Omranë», deklaroi Ibrahim al-Haxh nga organizata opozitare Helmetat e Bardha. «Po atë natë kemi qenë të detyruar të nxjerrim fëmijë të vegjël nga rrënojat në lindje të Halepit». Ata, shtoi al-Haxh, nuk patën fat dhe vdiqën.

Si ndihmës vullnetar Ibrahim al-Haxh për çdo ditë ballafaqohet me pamje të tilla. «Puna jonë nga ora në orë po bëhet më e vështirë», tha ai. (DPA/Spiegel Online)