Lufta kundër kuçedrës tek duhet të fillojë

Demarkacioni, me rrëmujën e (pa)nevojshme që e shkaktoi, s’është gjë tjetër pos edhe një manifestim i kapjes së shtetit. Pyetja që duhet shtruar është se si u pozicionua opozita apo, madje, a kemi ne fare opozite?

Ilustrmi: Shutterstock



Si të pritet lajmi për ratifikimin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi? Si «mëkat i ëmbël», meqë për heqjen e vizave për udhëtim në Europë «dhamë tokë», siç mendon një pjesë e opozitës e, bashkë me të, edhe një pjesë e mirë e qytetarëve? Apo, se gjithçka ishte në rregull që në fillim, por opozita nuk zgjodhi mjete për t’u faktorizuar? Si një fatalitet – le të bëhet «çka është shkruar», sepse me këso institucionesh të pabesueshme s’mund të pritet më shumë, prandaj, sidoqoftë, mirë që u hoq një pengesë e madhe në rrugën për procese të reja?

Në fakt, po ta «kthejmë filmin» pak më prapa, nuk është zor të shihet se gjithë ajo rrëmujë e (pa)nevojshme që u shkaktua rreth miratimit të demarkacionit s’është gjë tjetër pos edhe një ndër manifestimet e shumta të kapjes së shtetit. Hashim Thaçi, atëherë në postin e kryeministrit, kishte prirjen të dukej bashkëpunues me ndërkombëtarët, prandaj nuk është larg mendsh t’u ketë thënë anëtarëve të Komisionit shtetëror për demarkacion «hajde, grahni, kryejeni», me shpresë se do të arrinte një rezultat të shpejtë dhe, sigurisht, meritat t’ia përshkruante vetvetes. Madje edhe e ka kërkuar si kusht për liberalizim të vizave, që të ketë jehonë më të madhe! Përndryshe, po ta bënte transparent të tërë procesin dhe të kërkonte edhe bashkëpunimin e opozitës, tashmë kjo punë do të ishte e kryer e harruar, pa zhurmë e pa bujë.

Në vrap pas sherreve

Meqë puna është kështu, atëherë opozita, në vend që të kapet pas shkaseve të veçanta apo edhe të dyshimta (si ky me demarkacionin), dhe sherreve të përditshme, do të duhej të pozicionohej ndaj situatës në tërësi të kapjes së shtetit. Asgjë s’mund të jetë legale në një shtet të kapur, prandaj së pari duhet të kthehet rendi e ligji. Më e rrezikshmja është të mësohemi me gjendjen e tanishme dhe ajo të na duket normale. Por, për ta ndryshuar këtë gjendje duhet që edhe vetë të mos jesh i korruptuar, apo të mos kesh agjenda problematike politike. Për fat të keq, mes forcave politike nuk është tërhequr një vijë e tillë, e qartë.

Së pari duhet konstatuar se AAK e Nisma nuk mund të jenë kurrfarë opozite, ato janë parti të formuara për t’i rehatuar liderët e tyre, e shumta dy-tre veta dhe, mundësisht, për të kafshuar sadopak kulaçin e pushtetit. I vetmi kuptim i Ramush Haradinajt në politikë do të ishte sikur t’i kundërvihej Thaçit dhe partisë së tij, e cila e ka kapur shtetin, por u pa se ai as që e paska pasur ndërmend këtë gjatë tërë këtyre viteve, qëkur kërkon me ngulm të bëhet kryeministër. Partitë tjera mbesin vetëm si monedha për kusuritje, ndonëse prej tyre duhet veçuar Alternativën e Ilir Dedës, i cili deri më tash duket shumë racional e parimor.

Sytë, pra, kanë qenë e mbesin të drejtuar kah Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, as këto të dyja nuk rrezatojnë shumë sinqeritet. Vetëvendosje (të themi pjesa e mbetur, sepse ende nuk dihet se ç’do të dalë pas ndarjes së saj), jo vetëm me qëndrimin ndaj ratifikimit të demarkacionit, tregon një lloj autizmi ndaj shteteve perëndimore, pa ndihmën e të cilave Kosova kurrë nuk do të arrinte deri këtu. Thua se ato për të as që ekzistojnë, apo sikur ne jemi një ishull i vetmuar në mes të Paqësorit, pranë të cilit anijet nga bota kalojnë rrallë e përmall. Angazhimi i saj për bashkim me Shqipërinë, ndërkaq, jo vetëm që është i parealizueshëm në këtë kohë, por edhe krekosje që vetëm dëme mund të sjellë. A nuk është e tepërt dhe mosmirënjohëse, për shembull, që ShBA-së, e cila ka meritat më të mëdha që u bëmë me shtet, tash t’ia hedhësh fytyrës një gjë, për të cilën ajo nuk është e gatshme ta pranojë? Apo nuk e dinë se lëvizje të tilla tektonike nuk mund të bëhen pa konstelacion të volitshëm të fuqive të mëdha. Martti Ahtisaari, për të na e siguruar edhe këtë sovranitet jo krejt të plotë, ka shkuar madje edhe deri në Kinën e largët! Në të vërtetë, me një qëndrim të tillë Vetëvendosja sikur me vetë dëshirë e ka ndihmuar politikën e deritashme të ndërkombëtarëve «stabiliteti para vlerave demokratike», duke u bërë e padashur për ta dhe duke e ndihmuar kështu tërthorazi PDK-në të duket më e pranueshme! Pastaj është ironi se si VV, e cila kryesisht i tërheq të rinjtë, nuk ka një orientim të fuqishëm për Europën, si e vetmja perspektivë për të ardhmen e tyre e të këtij vendi.

Lufta me kuçedrën

LDK-ja, ndërkaq, duke i pasur rregullisht problematike zgjedhjet në kreun e saj, tregon se ka luftë të brendshme jo parimore për pushtet mes oligarkëve rivalë dhe lokalë, e jo demokraci të brendshme dhe ndërrim normal të gjeneratave të kuadrove. Sikur të mos ishte kështu, ku do të mund të merrte guxim ende Fatmir Sejdiu të thotë se është i gatshëm ta drejtojë LDK-në, pasi që në kohën e tij ishte vështirë të dallohej vija se ku përfundonte LDK e ku fillonte PDK, ndërsa pasi që e ka pranuar titullin «kryetar nderi», ai faktikisht edhe e ka pranuar edhe pensionimin politik!

Edhe «institucionalizimi» i saj, i deklaruar shumë herë, më shumë duket oportunitet, deri sa mezi pret që të hidhet në krahët e koalicionit me PDK-në.

Nuk ka dyshim se një qeveri e LDK-së do të ishte më e mirë edhe kështu siç e ka gjendjen kjo parti, por është fjala për t’i zgjuar nga letargjia votuesit dhe për t’i fituar zgjedhjet me përqindje më të lartë. Sikur LDK e Vetëvendosje të gjendeshim bashkërisht të në një front të deklaruar kundër korrupsionit e kapjes së shtetit, atëherë nuk është larg mendsh që do t’u jepnin një shpresë dhe nxitje të re votuesve të pakënaqur të tërë spektrit politik. Duke qëndruar të rezervuara ndaj njëra-tjetrës, ato vetëm sa zgjojnë dyshime se kanë qëllime të sinqerta. Sidoqoftë, një LDK anemike dhe një Vetëvendosje të pozicionuar kundër tërë botës perëndimore, drejt së cilës synojmë edhe ne, janë larg të qenit opozitë e duhur.

Gjendja në Kosovë kërkon lojtarë më të fortë e më seriozë. Po shërbehem me një përshkrim të përmbledhur të gazetarit të njohur boshnjak, Kemal Kurspahiq, për gjendjen në vendin e tij, e cila – do të pajtoheni – i ngjan asaj të Kosovës si veja-vesë:

«Nëse qëllim është rendi shoqëror i bazuar në korrupsion; nëse motivi kryesor i marrjes me politikë dhe luftës për pushtet është zotërimi me të mirat publike dhe zënia e pozitave prej të cilave me të besueshmëve do t’u ndahen punët më prestigjioze, kontratat më fitimprurëse, lokacionet më me perspektivë; dhe sidomos nëse si luftëtarë kundër korrupsionit ofrohen përfituesit e tranzicionit, të cilët nga asgjëja kanë arritur pasuri të pashembullt – atëherë kjo nuk është punë e cila mund të përfundojë me betimet solemne mbi pranimin e standardeve e vlerave evropiane».

Me një fjalë, lufta kundër korrupsionit ngjan me luftën kundër kuçedrës! Dhe ne jetojmë në iluzione se mund të bëhet mirë!