Lufta e shqiptarëve për robëri



Feja apo kombi përpara? – e shtronin pyetjen dikur qarqet nacionaliste dhe fetare. Të parët e kishin nga xhelozia për lirinë e ushtrimit të fesë në ish-Jugosllavi, kurse të dytët duke u ndjerë të rrezikuar nga ndjenja kombëtare që ziente në ndërgjegjen e shqiptarëve. Fakt është që atëbotë në Qabe mund të pelegrinoje lirisht, kurse Tiranën as nuk mund ta pëshpëritje pa pasoja.

Shqipëria apo Turqia? – shtrohet dilema ndërkohë. «Le ta marrë në dorë Turqia këtë punën tonë…», nuk thonë vetëm laikët, si pa të keq. (Si mund të vijnë laikët në këtë ide?!) Një nostalgji për kohën e Turqisë ndihet nëpër mjedise të ndryshme shqiptare. Turqia – ndërmjetësi kryesor i islamit te shqiptarët. Çfarë mund të merret me mend, është nostalgjia për kohën e socializmit. Fundja ajo është një periudhë e përjetuar nga shqiptarët e sotëm. Për më tepër, aktorë të kësaj periudhe duhet ta justifikojnë rolin e tyre në atë sistem. Po kjo me Turqinë?! Edhe sikur t’i referohesh historisë, ajo nuk e sugjeron një bashkëjetesë të lumtur që do të ndillte mall për atë kohë. Prandaj, qarqe të caktuara e shtrojnë gjithmonë e më me urgjencë ridefinimin e statusit të Perandorisë Osmane në historiografinë shqiptare. Ata ndërkohë e kanë filluar këtë punë me shumë zell. Revizionistët e historisë ligjërojnë për turqit si për një aleat të padyshimtë në krah të shqiptarëve – nga fillimet e pushtimit osman, deri te bombardimi i NATO-s, kur Turqia vërtet nuk e ka pasur rolin kryesor, por aeroplanët turq paskan qenë më të zellshmit në sulmet ndaj caqeve serbe! Aq më parë duhet ndërhyrë kur kjo histori, sipas disave, është e Enver Hoxhës, i cili e ka ngritur edhe mitin e Skënderbeut.

Sigurisht që ky ligjërim në opinionin shqiptar nuk është më autentiku. Kërkesa për revidimin e historisë tanimë është depozituar zyrtarisht nga autoritetet e larta turke, duke u dekonspiruar si sponsori i këtij revizionizmi. Para ca kohe, kryeministri i Turqisë e proklamoi ringjalljen e turqizmës në Shqipëri dhe në Kosovë. Shqiptarët në Maqedoni tanimë janë dorëzuar vetë. Por, çka vjen pas ndryshimit të rolit të pushtuesit dhe akulturimit?

Ajo që e ka nxitur për ca islamizmin te shqiptarët është favorizimi nga aktorë të jetës kulturore dhe politike shqiptare të traditës së krishterë. Para së gjithash ndoshta simbolika politike e Ibrahim Rugovës dhe ligjërimi i Ismail Kadaresë. Kjo rrymë e ka përhapur tezën se Perëndimi i ka trajtuar me indiferencë shqiptarët për shkak të braktisjes së krishterimit dhe vëmendjen e tij do ta fitojnë kur do t’i qasen atij përsëri. Këto qëndrime i kanë bërë të ndihen keq edhe ata shqiptarë, të cilët islamin e kanë vetëm çështje individuale. Ndonëse Kadare e kishte tërhequr me gjysmë zemre këtë tezë, ajo ishte edhe njëra ndër çështjet e polemikës Qosje-Kadare, e cila, ndonëse e ka zbutur këtë diskurs, e la një shije të hidhur në opinion.

Marrëdhëniet me Turqinë le të njohin nivele të papara deri më tani. Nuk e di se dikush e kundërshton këtë dhe mund të kishte diçka kundër kësaj. Por kjo duhet të ndodhë në emër të së ardhmes, e jo të së kaluarës. Asnjë miqësi nuk guxon të ndërhyjë në historinë e tjetrit. Enver Hoxha vërtet e ka institucionalizuar figurën e Skënderbeut, por nuk e ka zbuluar atë dhe as e ka krijuar kombin shqiptar. Ai e ka afirmuar edhe figurën skajshmërisht kontraverse të Haxhi Qamilit, që e kërkonte «babën», domethënë Turqinë, dhe lidhjet e gjakut me Turqinë. Mirëpo, haraçi që kërkon ndryshimi i fakteve historike dhe kulturore është më i shtrenjti që mund të paguajë një popull: mohimi i një të kaluare të hidhur shumë të gjatë dhe i një të ardhmeje me integritet. Sikur po përmbyset gjithçka. Pyetja që shtrohet është: për çka u shkrinë plejada të tëra të njerëzve më të zgjuar nga të gjitha fetë dhe krahinat shqiptare më parë? Për cilat vlera e frymëzonin dhe kundër kujt e ftonin të ngrihej popullin e tyre rilindësit shqiptarë?

Nuk ka kuptim të argumentohet më thellë e drejta e Zotit që kanë shqiptarët për një entitet të emancipuar politikisht. Pranimi i një debati të tillë do të thoshte kompromis në këtë çështje të ditur. Ndryshimi i historisë është thirrje e hapur për nënshtrim. Ndërkohë që historia e popujve njeh vetëm përpjekje për çlirim. Ajo nuk ofron evidencë kur një popull t’i jetë përkushtuar pushtimit nga një shtet tjetër. Nënshtrimi në rrafshin individual nuk është psikologjik, kurse në planin kolektiv është ahistorik.

Atyre që janë të disponuar për një gjë të tillë, ndoshta iu thotë diçka dialogu i Adem Demaçit me një politikan të një shteti baltik në një forum ndërkombëtar, ashtu si e rrëfen ai. «Përse insistoni kaq shumë në pavarësinë e Kosovës, një autonomi është shumë e mirë?», i ishte drejtuar me pedagogji ai Demaçit. Përgjigjja e Demaçit: «Nëse ju e lakmoni aq shumë autonominë, aplikoni për atë. Rusia do të jetë shumë e lumtur t’ju marrë në gjirin e saj!» Ai ishte zhdukur si me shkop magjik. Shtetet baltike janë i vetmi përjashtim historik, që nën presionin ushtarak dhe politik të Stalinit aplikuan vetë për t’u futur në Bashkimin Sovjetik. Tani i falen momentit të dobësimit të kësaj federate, duke e shfrytëzuar rastin të arratisen të parët nga ajo.

Nga ky këndvështrim qartësohet, përtej patosit dhe folklorit, porosia e njërit nga protagonistët më të spikatur të përpjekjeve për formimin e shtetit shqiptar, Hasan Prishtina: «Ruajuni nga mallkimi i historisë!»