«Lufta e parë e shekullit 21»

Citate të intelektualëve nga mbarë bota për luftën e Kosovës para 19 vitesh




Timothy Garton Ash, publicist dhe ligjërues në St. Anthony’s College të Universitetit Oxford.

«Kjo ishte lufta e parë europiane e shekullit 21, sepse Europa e shekullit 20-të ka marrë fund më 1989 apo më së voni më 1991. Mirëpo, ne po i hyjmë rrezikut që këtë luftë ta mbiinterpretojmë: ajo nuk ka marrë fillin e saj si një luftë e re model apo si luftë humanitare. Ajo ka filluar si ushtrim i diplomacisë së detyruar, e cila dështoi. Politikanët tanë dëshiruan ta aplikonin Clausewitzien fjalë për fjale, kur ata luftën e vërtetë e konsideronin vetëm si një vazhdim të politikës. Ata u mbyllën në të vërtetën e vjetër, ku lufta zhvillon dinamikën e saj dhe rrotullon gjithçka. Së dyti, unë mendoj se lufta në Kosovë, përkundër gabimeve dhe dobësive, është pjesë e një prekjeje të lehtë në modelin e ri të rendit liberal në Europë. Ndërkaq, sa i përket pjesës tjetër të botës këtu nuk jam aq i sigurt. Lufta lindi nga kuptimi i ri i marrëdhënieve shtetërore në një Europë, ku falë BE-së, OSBE-së, Këshillit të Europës etj., jemi mësuar me përfytyrimin e një sovraniteti të ndarë apo të kufizuar».

 

Eric Hobsbawm, ish profesor i historisë në Birbeck College, Londër

«(Luftën e Kosovës e shoh) … si aktin e parë të shekullit 21. Fjala është për luftën e parë, e cila u zhvillua pa sistem global të shteteve. Për herë të parë që nga shekulli i 18-të pjesë të gjëra të  botës gjenden jashtë sistemit ndërkombëtar. Përveç kësaj kjo është lufta e parë e zhvilluar me armë Hightech (nëse nuk marrim parasysh disa prova kundër Irakut). Është bërë e mundshme që caku të goditet më mirë, por përdorimi i armëve më efektive favorizon edhe frivolitetin më të madh. Dhe natyrisht lufta ka treguar edhe kufijtë e kësaj teknologjie. Fundja, kjo është lufta e parë, e cila u zhvillua nën kushtet e – siç mund të thuhet – sovranitetit të konsumentëve. Ne sërish gjendemi në situatën, të cilën Thomas Hobbes e konsideronte si normale: Leviatani (simbol për shtetin e gjithëpushtetshëm te filozofi anglez Hobbes v.j.) mund të bëjë gjithçka që dëshiron, përveç se t’i detyrojë njerëzit të rrezikojnë jetën. Për disa shekuj me radhë politika mbështetej në hipotezën e kundërt. Ky kthim te Hobbes ka të bëjë ndoshta vetëm me Amerikën, mirëpo lufta në Kosovë u drejtua nga politikanë, të cilët niseshin nga ajo se populli i tyre nuk do të pranonte viktima.»

 

Günter Grass, shkrimtar gjerman, nobelist

«Unë i përmbahem përvojës se lufta nuk zgjidh asgjë. Mirëpo, nganjëherë është e domosdoshme dhe nuk mbetet gjë tjetër. (…) Është dashur shumë më herët të ndërhyhet në veprimet e Milosheviqit. Si qëndron puna me kujtesën tonë nëse kemi harruar se çfarë ka ndodhur para vetëm disa vitesh për çdo ditë në Sarajevë? Shtimi me armë zjarri ndaj një qyteti të hapur, ndaj tregjeve, ndaj ndërtesave të shkollave – ata që kanë bërë këtë kanë qenë serbë të mbështetur nga Milosheviqi! Marrëveshja e Daytonit kishte lënë plotësisht anash konfliktin e Kosovës thua se ai nuk ekzistonte fare – ky ishte një gabim, për të cilin ne tashti kemi marrë llogarinë.»

 

Andrei Plesu, intelektual rumun, ish-ministër i punëve të jashtme

«Nëse gjykohet nga pikëpamja e vlerave më të larta humaniste lufta nuk mund të arsyetohet kurrë. Nuk ka arsyetim të marrësh armën në dorë dhe të vrasësh njerëz. Normale do të ishte që konflikti të zgjidhej pa përdorur mjete të tilla. Edhe në qoftë se për këtë luftë të kishte ekzistuar Rezoluta e OKB-së, ajo do të ishte e pikëllueshme për nga brutaliteti. Tashti është kështu që ky konflikt me Jugosllavinë në pikëpamjen e së drejtës ndërkombëtare ka sjellë diçka radikalisht të re. Janë shfaqur kritere plotësisht të reja, të cilat e bëjnë legjitime intervenimin jashtë vendit përkatës, kritere, të cilat janë në kontekst me çështjen e rëndësishme mbi statusin e të drejtave të njeriut. Aktualisht nocionet tradicionale të sovranitetit dhe të së drejtës për ndërhyrje janë duke u riformuluar. Bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar se agresionet kundër individit, pavarësisht se ku ndodhin, nuk mund të pranohen duke qëndruar indiferent. Në kohën tonë ekziston një obligim i fuqishëm për intervenim nga ana e shoqërisë botërore. Sikur në vitet tetëdhjetë të ishin pyetur rumunët se a do të dëshironin një intervenim të BE-së apo NATO-s për të hequr qafe Çausheskun mbase secili do të ishte dakord. Për këtë arsye konflikti aktual për ne paraqitet ndryshe: ne e dimë se ç‘domethënë të jetosh nën një diktator, kundër të cilit nuk mund të ngresh krye. Ne e dimë se ç’domethënë vetëm të ëndërrosh se vjen dikush të na çlirojë prej asaj kundër së cilës ne jemi të pafuqishëm. Ajo që ndodhi në Jugosllavi për ne nuk është diçka plotësisht e re, gjatë diktaturës së Çausheskut diç e tillë prore fanepsej nëpër kokat tona. Për fat të keq atëherë nuk intervenoi askush. Kësaj radhe u vendos për intervenim, gjë që unë e vlerësoj si legjitim. Sa i përket shoshitjes formale të këtij legjitimiteti, kjo do të jetë detyrë e juristëve të së drejtës ndërkombëtare».

 

Salman Rushdie, shkrimtar nga India

«Unë kam qenë për operacionin e NATO-s në Kosovë, sepse argumentet e prezantuara në thirrje të të drejtave të njeriut më dukeshin të bindshme. Shumë shkrimtarë, intelektualë, artistë dhe majtistë absolutisht të bindur mendonin ndryshe. Njëri nga argumentet e tyre ishte: nëse po në Kosovë, atëherë pse jo në Kurdistan? Pse jo në Ruandë dhe në Timorin Jugor. Çuditërisht kjo retorikë shkakton të kundërtën e asaj që ata mendojnë se përfaqësojnë. Sepse sikur të kishte qenë e drejtë të intervenohej edhe në këto raste të tjera, gjë që vendet perëndimore atëbotë gabimisht e kishin lënë pa e bërë, atëherë padyshim që ishte e drejtë të mbroheshin kosovarët, dhe përballë sfondit të gabimeve të mëhershme tashti bëhet gjithnjë e më qartë se vendet perëndimore – se ne – kësaj radhe më në fund kemi vepruar drejtë. Argumenti më i rëndësishëm i atyre që hidhnin poshtë intervenimin në Kosovë ishte se aksioni i NATO-s paskësh vënë në lëvizje të plotë dhunën që kishte dashur ta evitojë, kështu që faj për masakrat, nëse e shohim kështu, në të vërtetë paskësh Madeleine Albright. Këtë tezë unë e quaj moralisht të poshtër, sepse ajo i shfajëson vrasësit e vërtetë, dhe përveç kësaj është katërçipërisht e rrejshme. Nëse lihen anash të gjitha emocionet dhe shikohet logjistika e vërtetë e masakrave të Milosheviqit, shumë shpejt bëhet e qartë se tmerret janë planifikuar me kujdes. Por nuk krijohen plane të detajuara për zhdukjen e mijëra njerëzve vetëm sa për të qenë i përgatitur për rastin që të reagosh me një hap të shpejtë ndaj një sulmi perëndimor. Një masakër planifikohet, sepse dëshirohet të kryhet një masakër. (…)Sarajeva e lashtë multikulturore është shkatërruar me luftën e Bosnjës. Edhe Kosova e lashtë është zhdukur, ndoshta përgjithmonë. Kosova ideale e Tony Blair është një ëndërr. Ai dhe kolegët e tij tashti do të duhej të angazhoheshin për ndërtimin e një krijese politike, të lirë dhe etnike shqiptare, e cila ndërkohë, me sa duket, është bërë pashmangshmëri historike. Kohërat e pasluftës nuk janë kohëra për ëndërrimtarë».

 

André Glucksmann, intelektual francez

«Çështja është e qartë: krimet po zgjerohen dhe po zgjatin më tutje. Qëllimi është po aq i qartë: të çlirohet Kosova. Në përdorimin e mjeteve nuk guxon të ketë ngurrim: nëse sulmet ajrore nuk mjaftojnë për një kohë të gjatë, atëherë angazhimi në luftë i trupave tokësore do të jetë i domosdoshëm dhe do të kërkohet nga shumica e qytetarëve. Sa më parë që të përgatitemi për këtë aq më të besueshëm do të jemi. Si mund t’i bindim politikanët? T‘u thuhet atyre se Kosova është përafërsisht e madhe sa landi i Schleswig-Holstein-it? Se ushtria jugosllave nuk është më ajo «armata lavdiplotë e Jugosllavisë»? Dhe se ajo nuk është gjë tjetër veçse një forcë pushtuese? Nëse aleanca më e fuqishme ushtarake nuk di ta çlirojë këtë copë tokë me madhësi të një shamie xhepi, atëherë Clintoni, Blairi, Chiracu, Jospini dhe Schröderi duhet të na dhimbsen. Atëherë ata, lart mbi varret e Roosevelt-it, Churchill-it dhe de Gaulle-it, duhet të na shpjegojnë se si ishte e mundshme D-Day (dita e zbarkimit të forcave aleate në Normandi dhe mposhtja e Hitlerit); si mundi të çlirohej një kontinent i tërë nga kthetrat e «Rajhut të Tretë», derisa kosovarët i lihen vrasësve. Qytetari i denjë, i cili nuk e ka humbur ndjenjën për proporcione dhe për qesharaken, vetëm do të qesh me zë të lartë. Të qesh derisa t’i dalin lotët, lotët e një fëmijë të humbur gjatë arratisjes».

 

István Eörsi, shkrimtar hungarez

«Prapëseprapë unë besoj se NATO-ja bëri diçka të rëndësishme, kur mendoi, kur deklaroi se njeriu, pa marrë parasysh se qytetar i cilit shtet është, prapë është element konstituiv i së drejtës ndërkombëtare. Fusha pas betejës në kokat tona është aq e shkretë nga shkaku se ne nuk mund t’i vlerësojmë konsekuencat e këtij hapi të parë. Çfarë interesash do të vendosin në të ardhmen për këtë, në çfarë kushtesh mund të pasojnë hapa konkretë pas kësaj përvoje? A mund të arrijmë në periudhën afatgjatë që Milosheviqët – dhe Pinoçetët – pa marrë parasysh se në sferën e kujt të interesit gjenden, të shohin se të drejtat e tyre jonjerëzore janë në rrezik? Po hapen opsione të jashtëzakonshme – dhe njeriu vërtetë ka dëshirë që për këtë të vras mendjen, i lirë nga dogmat dhe frazat e çjerra».

 

Bora Qosiq, shkrimtar serb në ekzil

«Ky popull (serbët,v.j.) është krenar për gjithçka, sidomos për krenarinë e tij, të cilën e mbron dhe e kultivon. Mirëpo, njeriu, çdo individ, së pari do të duhej të ishte krenar për shpirtin e tij. Por si të mos lëndohet ky thesar në vetvete nëse të gjithë ne jemi të pashpirt dhe zemërgur kundër një populli, siç janë shqiptarët? Për këtë popull, i cili sot po shkon drejt asgjësimit, bashkëvendësit e mi në shesh as që duan të dëgjojnë. Pa kuptuar se kështu ata shkelin dinjitetin e tyre».

 

Orhan Pamuk, autor turk

Në një ese me titull «Zemërimi i një kombi të pafat» shkrimtari turk Orhan Pamuk konstaton se me përndjekjen e shqiptarëve edhe «ne (turqit) zhdukemi nga Europa». Këtë mendim ai e mbështet nga mësimet që kishte nxjerrë prej vizitave që u kishte bërë të afërmëve të tij ditën e Kurban Bajramit; këtë vit (1999) kjo festë e religjionit islam përkonte me sulmet e NATO-s dhe dëbimin masiv të shqiptarëve të Kosovës. Përballë pamundësisë evropiane për të ndalur dhunën, opinioni turk – madje edhe intelektualët proeuropianë – kishin zënë të shqetësoheshin mbi epilogun e luftës.

 Përgatiti dhe përktheu nga gjermanishtja: Enver ROBELLI