«Luajmë për Zvicrën! Ku është problemi?»

Futbolli në Zvicër është fushë e projektimit të integrimit të të huajve dhe ëndrrave. Valon Behrami, njëri prej autoriteteve të kombëtares zvicerane, flet hapur se ç’domethënë të jesh shqiptar, të kesh pasaportë zvicerane dhe të luash për Zvicrën. Dhe tregon përse nuk dëshiron që Zvicra të luajë kundër Shqipërisë në Francë.

Shaqiri, Djourou, Rodriguez apo vetëm Müller, Meier e Schneider? Kombëtarja e futbollit e Zvicrës është pasqyrë e shoqërisë multikulturore. Imazhi: Shuttersrtock



Max Frisch, më i madhi shkrimtar zviceran i shekullit 20-të, dikur, duke kritikuar agresivitetin e bashkëkombësve të tij kundër të huajve, kishte shkruar: «Ne ftuam fuqi punonjëse, por erdhën njerëz». Këta njerëz sot janë pjesë e Zvicrës. I gjen gjithkund. Kamerierë në stacionin e trenit, mbikëqyrës të rendit në transportin publik, në banka e sigurime, në zyra kontabiliteti dhe auditimi, në zyra avokature dhe komunale. I gjen edhe në kombëtaren e futbollit të Zvicrës! A është kombëtare, kur për të luajnë lojtarë me emra si Shaqiri, Djourou, Rodriguez dhe jo vetëm Müller, Meier e Schneider?

Është një temë delikate. Dhe në Zvicër diskutohet me kujdes të madh. Për trajnerin e kombëtares nuk është me rëndësi çfarë sfondi etnik ka një lojtar. Punë e trajnerit është që t’i angazhojë në fushën e gjelbër futbollistët më të mirë me pasaportë zvicerane. A janë ata vetëm me letra apo edhe me zemër zviceranë? Një pyetje relevante për biologë, ndoshta, por jo për trajnerin. I cili në Zvicër quhet Vladimir Petkoviq. Kur ishte zgjedhur trajner i Zvicrës disa gazetarë zviceranë reaguan me refleks: «A do të ketë tani tensione në ekip kur një serb trajnon kombëtaren tonë, për të cilën luajnë gjashtë shqiptarë?»

Petkoviq nuk është serb, por kroat i lindur në Sarajevë. Gjatë kualifikimeve për Kampionatin Europian në Francë Petkoviq nuk i angazhoi dy lojtarë të njohur (Barnetta dhe Schwegler). Kundër këtij vendimi protestoi Stephan Lichtsteiner, njëri nga yjet e Juventusit. Ai mendonte se Barnetta dhe Schwegler e kishin vendin në ekipin kombëtar. «Nuk e kam fjalën për dhe , por për atë që populli edhe më tutje të mund të identifikohet me ekipin kombëtar. Është temë e ndjeshme, e di këtë. Por është një temë, ndaj të cilës nuk duhet të mbyllemi», kishte deklaruar Lichtsteiner.

Kjo deklaratë e Lichtsteiner mund të interpretohet dhe keqinterpretohet në mënyra të ndryshme? Nëse për kombëtaren zvicerane luajnë shumë të huaj, a domethënë kjo se populli zviceran nuk mund të identifikohet më me ekipin? A janë fajtorë «zviceranët e tjerë» (ata me prejardhje të huaj) që nuk ka mjaft «zviceranë të vërtetë» që luajnë mirë futboll dhe e kanë vendin në kombëtare? Lichtsteiner mund të jetë duartrokitur nga racistët në Zvicër kur e ka hapur këtë temë, por ai nuk ka ofruar asnjë zgjidhje. Në atë çast që një qytetar i huaj merr shtetësinë zvicerane, ai ka të drejtë të angazhohet politikisht, por edhe të luajë për kombëtaren e futbollit, nëse i plotëson kushtet.

Në lidhje me këtë temë ka folur të dielën në «SonntasZeitung» të Zürichut Valon Behrami, një prej figurave më të fuqishme në ekip dhe me autoritet. «Nuk kam fare probleme me Lichtsteinerin. Dhe: Lojtarët që kanë edhe pasaportë të dytë duhet të sillen më kujdesshëm dhe me senzibilitet me këtë temë. Nuk mund t’i fusni të dy këmbët në një këpucë. Shpesh zemërohem me gazetarët shqiptarë, të cilët djelmoshat tanë i pyesin: a ndihesh zviceran apo shqiptar? Nëse ata thonë se natyrisht janë edhe shqiptarë, atëherë ditën tjetër kjo nxirret kështu në gazetë. Ndërsa në Zvicër thuhet: lojtarët nuk po deklarohen se janë pjesë e jona. Kështu ata gjenden nën presion të madh, të cilin pothuaj se nuk mund a kontrollojnë».

Kjo është një përgjigje e mençur e Valon Behramit, i cili nuk sheh kundërthënie mes përkatësisë etnike shqiptare, prejardhjes nga Kosova dhe shtetësisë zvicerane, e cila të mundëson të luash për kombëtaren e Konfederatës Helvetike. Bota e sotme globale është pak më e ndërlikur se ajo e shekullit 19-të, kur mori hov mobilizimi nacional. Deklarata e Behramit është e kundërta e asaj që kishte thënë babai i Taulant Xhakës pas përleshjeve në Beograd në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë. «Edhe sikur të më vdiste djali në Beograd për flamur, do të isha krenar», citohej ai nga mediumet shqiptare atëbotë. A do t’i thoshte të njëjtat fjalë nëse lojtari do të quhej Granit Xhaka? I cili, siç dihet, luan për Zvicrën – me vullnetin e tij të lirë, pa asnjë detyrim. «Ne jemi ndër më të mirë në Europë», thotë Granit Xhaka. Ne? Cilët ne? Natyrisht ai e mendon Zvicrën, për të cilën luan.

Për Valon Behramin nuk ka asnjë dilemë. «Ndihem zviceran dhe luaj për Zvicrën. Pikë. E kam thënë këtë tashmë dhe jam ballafaquar me vështirësi. Në Shqipëri më kanë akuzuar se nuk kam respekt. U hapën pastaj shumë debate. Por për mua kjo nuk është temë. Brenda ekipit po ashtu nuk është temë. Është e qartë se ne kemi një mentalitet pak më ndryshe. Qytetarët me shtetësi të dyfishtë janë – si të them? – ndoshta një grimë më të ekstrovertuar, po ashtu më të hallakatur. Ndërsa zviceranët e Zvicrës nuk janë të tillë. Por ku është problemi? Nuk shoh ndonjë problem».

Në intervistën për «SonntagsZeitung» Behrami tregohet në nivelin më të mirë të mundshëm të pjekurisë, gjë që nuk mund të thuhet për ndonjë lojtar tjetër shqiptar në ekipin e Zvicrës. I pari që duhet përmendur është Xherdan Shaqiri, i cili shpesh e ka reduktuar veten në vrapues pas topit. Behrami thotë se kolegët e tij me origjinë të huaj i këshillon të tregojnë respekt të madh për Zvicrën. «Por nuk e di për secilin se nën çfarë ndikimi ndodhet, çfarë kërkon familja apo këshilltari». Nuk duhet fantazi e madhe për të kuptuar se për cilët futbollistë e ka fjalën Behrami. Sigurisht për ata që brenda një kohe të shkurtër nga majat e futbollit europian zbresin në ekipe mesatare për shkak të ndikimit të familjes dhe këshilltarëve të pazoti.

Po u kualifikua Shqipëria në Kampionatin Europian do të mund të lante edhe kundër Zvicrës. Behrami nuk do të dëshironte një lojë të tillë. Reagimi i tij tingëllon si psherëtimë: «Oh, jo, ju lutem jo». Ai i frikësohet diskutimeve që do zhvilloheshin, sepse «kjo s’do të kishte të bënte më me futboll».
Të luash për Zvicrën si lojtar me origjinë të huaj domethënë të zhvillosh një betejë edhe jashtë stadiumit dhe në shumë fronte. Trajneri Petkoviq ka një përparësi në këtë situatë: dikur ai ka qenë punëtor social dhe di të sillet me njerëz. Pas shkrimeve në mediumet zvicerane ku shtrohej pyetja nëse Zvicra është e gatshme të ketë një trajner të kombëtares me prejardhje të huaj, Petkoviq, pa u pyetur fare nga gazetarët, protestoi kundër «kritikave aspak objektive» dhe kundër «polemikës dhe propagandës». Nuk ishte shtruar çështja e prejardhjes kur trajner i Zvicrës ishte Ottmar Hitzfeld, i cili është lindur në Gjermani.

Gjatë vjeshtës Federata e Futbollit e Zvicrës do të zhvillojë negociata me Petkoviqin për vazhdimin e kontratës. Granit Xhaka thotë: «Nëse një trajner e arrin Kampionatin Europian: përse duhet një tjetër? Ai na njeh neve, ne e njohim atë dhe filozofinë e tij». Valon Behrami nënvizon: «Raportet e mia me Petkoviqin janë shumë të mira. Nëse pas tij do të vinte dikush, me të cilin nuk jemi në valë të njëjta, atëherë do kisha probleme me motivim».

Me kualifikimin e Zvicrës në Francë do të shkojë edhe një pjesë e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Çfarë do të thoshte sot Max Frisch? «Ftuam fuqi punonjëse dhe erdhën njerëz, të cilët na dhuruan një kombëtare futbolli, e cila mund të arrijë çerekfinalen në Francë». Beherami dhe Xhaka njëzëri kanë thënë: caku i Zvicrës në Francë duhet të jetë «së paku çerekfinalja».