LSDM-BDI arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje!

Lidhja Socialdemokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë arritur marrëveshje për ligjin e gjuhës shqipe dhe pjesën më të madhe të platformës së përbashkët të partive shqiptare. Pritet të dakordohen edhe për disa çështje të tjera të platformës së përbashkët qeverisëse. Zaev edhe zyrtarisht ka njoftuar që nga BDI ka marrë konfirmim se do t’i japin nënshkrimet për mandatin qeveritar.




Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim i ka dhënë dritë jeshile propozim-ligjit për avansimin e gjuhës shqipe, si dhe ka vendosur që deputetët e kësaj partie t’i japin nënshkrimet Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë. Këtë e konfirmoi zyrtarisht vetë kreu social-demokrat, i cili njoftoi se Qeveria e ardhshme do të bëhet publike më 8 ose 10 mars, kur dhe do të propozohet edhe në Kuvend për të marë aminin e deputetëve.

«E di që mbrëmë udhëheqësia e BDI-së ka marrë vendim t’i japë nënshkrimet, sepse si parti e dytë u kushtëzuam nga presidenti i shtetit Gjorgji Ivanov të sigurojmë nënshkrime që të na jepet mandati. Tanimë këto siguruar. Unë besoj se ka ngelur një pjesë e vogël e bisedimeve rreth formimit të Qeverisë, sepse çështjet më të rëndësishme, programi i ardhshëm qeveritar, platforma e LSDM-së, platforma e partive shqiptare, ligji për përdorimin e gjuhëve janë unifikuar. Ato ishin çështjet thelbësore», deklaroi Zaev.

Ai nuk saktësoi se kur do t’i marrë edhe zyrtarisht nënshkrimet nga deputetët e BDI-së, por burime nga dy partitë thonë se nënshkrimet do të jepen nesër. Burime brenda partisë së Ahmetit bëjnë të ditur se deputetët që në takimin e mbrëmshëm të kryesisë i kanë deponuar nënshkrimet të cilat tani ndodhen tek Ahmeti dhe pritet të formalizohen të premten. Zëdhënësi Bujar Osmani tha se BDI nuk negocjon për dhënie mandati, por për arritje të marrëveshjes përfundimtare. Ai tha se kryesia të premten do të diskutojë edhe për pikat e tjera të platformës qeverisëse. Megjithatë ai e la të hapur mundësinë që edhe para arritjes së marrëveshjes përfundimtare të jepen nënshkrimet, nëse kreu i partisë Ali Ahmeti vlerëson se duhet të meret një hap i tillë.

«Një fazë e rëndësishme e procesit është përmbyllur, nesër vazhdojmë me pjesët e tjera të përputhjes së platformës. Mbështetja nënkupton fundin e një procesi të marrëveshjes, kështu që do të presim më tej të shohim se si do të rrjedhin bisedimet për çështjet e tjera, edhe pse kryetari Ahmeti ka të drejtë statutare dhe pëlqim nga kryesia në pjesën e dhënies së mbështetjes për mandat nëse vlerëson ashtu, pa e thirrur kryesinë e partisë. Megjithatë këtë do t’a lëmë për vlerësim shtesë nëse mund të bëhet marrëveshje parapërfundimtare për bashkëqeverisje», tha Bujar Osmani.

Zëdhënësi i BDI-së u shpreh se ligji i ri për gjuhën shqipe nuk është zgjidhja ideale dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Por, sipas tij është një zgjidhje optimale e cila mbyll aspektin ligjor të një teme të lënë hapur për vite nga Marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja mes BDI-së dhe LSDM-së nuk është bërë zyrtare, por jozyrtarisht pjesë të marrëveshjes tanimë kanë dalë në opinion nga funksionarë partiak. Sipas referimeve të para ligji për avansimin e gjuhës shqipe, parasheh përdorimin zyrtar të saj edhe gjatë udhëheqjes së seancave nëse kryetari ose nënkryetari i Kuvendit është shqiptar, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe nga ministrat në mbledhje të Qeverisë. Në të dyja rastet gjuha shqipe edhe do të flitet edhe do të shkruhet zyrtarisht. Gjithashtu edhe dokumentet të cilat institucionet qëndrore dhe lokale do të lëshojnë për qytetarët shqiptarë do të lëshohen në gjuhën shqipe.

Presidenti Ivanov – një barrierë

Pengesa e fundit dhe e vetme, prej së cilës ekziston edhe më tej droja në opinion për dështimin eventual të marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së është presidenti Gjorgji Ivanov. Ai duhet që t’i japë Zoran Zaevit mandatin për formimin e Qeverisë nëse Zaev siguron 61 mandate. Por gjatë takimit të zhvilluar javë më parë me liderët e partive parlamentare, Ivanov pati kushtëzuar mandatarin e ri që të mbajjë llogari për sigurinë e vendit, si dhe të ruajë karakterin unitar të shtetit.

Ndërkaq nga VMRO-DPMNE, partia amë e presidentit Gjorgji Ivanov, tanimë ka dalë me vlerësime se marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së nënkupton ridefinim të Maqedonisë. «Atë që e kemi paralajmëruar gjatë tërë fushatës parazgjedhore, tani e shohin të gjithë, LSDM­ja tenton vetvetiu të garojë në zgjerimin e ofertës ndaj partive shqiptare që të vijë në pushtet me çdo kusht. LSDM-ja fuqishëm ka hyrë me qëllim për ridefinim të Republikës së Maqedonisë. Ajo për këtë qëllim të saj planifikon ta shkelë Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. Këtë nuk do ta lejojmë», thotë VMRO­DPMNE­ja.

Pas kësaj deklarate edhe më tepër është rritur rreziku që presidenti Ivanov të dalë me vlerësim të njëjtë dhe me arsyetimin se prishet sistemi unitar i shtetit dhe Kushtetuta, me qëllim që të mos ia japë Zaevit mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme. Presionet në këtë drejtim janë shtuar edhe nga Kisha Ortodokse maqedonase, të cilët kanë dalë me vlerësim të njëjtë. Arqipeshkvia e Ohrit është mbledhur sot dhe ka apeluar deri te liderët politikë që të ruajnë pozitën që ka në Kushtetutë gjuha maqedonase në territorin e Maqedonisë, si dhe të ruhet karakteri unitar i shtetit. «Të tanishmen dhe të ardhmen e Maqedonisë e shohim nëpërmjet ruajtjes së karakteri unitar të Maqedonisë, ndërsa për këtë ne kemi nevojë për pajtim të ndërsjelltë dhe unitet kombëtar. Duke synuar kah kjo, populli ynë fetar, duhet të udhëhiqet nga vlerat e krishtera», kanë thënë nga Arqipeshkvia e Ohrit përmes një kumtese me shkrim.

Përndryshe, Maqedonia që nga muaji nëntor i vitit të kaluar vazhdon të udhëhiqet nga një Qeveri teknike sipas Marrëveshjes së Përzhinos, ku bënte pjesë edhe LSDM, e cila e udhëhoqi vendin për 40 ditë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Me përfundimin e zgjedhjeve, sipas marrëveshjes, u shkarkuan ministrat dhe zëvendësministrat e LSDM-së dhe në vend të tyre u kthyen funksionarët e VMRO-DPMNE-së. Por në krye të Qeverisë mbeti edhe më tej kryeministri teknik, Emil Dimitriev, si dhe ministrat me kompetenca teknike dhe pa të drejtë të sjelljes së vendimeve të reja.

Besa dhe Aleanca do t’i japin nënshkrimet për Zaevin

Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët edhe para zhvillimit të bisedimeve, kanë konfirmuar se do t’i japin nënshkrimet e tyre që lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, të marrë mandatin për formimin e Qeverisë. Por, këto dy parti kanë thënë se dhënia e nënshkrimeve nuk nënkupton me automatizëm edhe votimin e Qeverisë së re. Kusht për këtë është pranimi i platformës së përbashkët të partive shqiptare. BDI për rrjedhën e bisedimeve me LSDM-në ka njoftuar në vazhdimësi edhe Aleancën për Shqiptarët dhe ka marrë miratimin e saj për marrëveshjen e arritur deri në këto çaste, andaj dhe pritet që Aleanca për Shqiptarët të votojë pro qeverisë së ardhshme. Por, nga kjo parti nuk saktësojnë nëse do të jenë edhe ata pjesë e kësaj qeverie. Funksionari i LR-PDSH-së, Arben Taravari ka njoftuar se Aleanca për Shqiptarët, ku bën pjesë partia e tij e drejtuar nga Ziadin Sela, do të vendosë nëse do të jetë pjesë e Qeverisë së re ose do të mbështesë atë dhe realizimin e platformës nga pozicioni i opozitës.

Nga Lëvizja Besa disa herë kanë përsëritur se nuk janë të interesuar për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme, por do ta mbështesin një Qeveri mes LSDM-së dhe BDI-së, nëse pranohet platforma e përbashkët e partive shqiptare. Kusht për të qenë edhe kjo parti pjesë e koalicionit qeveritar është që Qeveria e ardhshme të pranojë platformën e Lëvizjes Besa për Ridefinimin e shtetit, në të kundërtën Besa vetëm do të mbështesë Qeverinë dhe implementimin e platformës së përbashkët.