Lorik Cana: «Ekipi kombëtar është e vetmja gjë që e bashkon Shqipërinë»

I përjashtuar me karton të kuq në ndeshjen me Zvicrën, kapiteni i Shqipërisë nuk do të jetë në takim me Francën, atdheun e tij të dytë, këtë të mërkurë. Por ai mbetet ambasadori më i mirë për të paraqitur tokën dhe njerëzit e vet. Para ndeshjes me Francën Lorik Cana ka folur për gazetën franceze France Football. dialogplus sjell ekskluzivisht intervistën e plotë.

Lorik Cana.

Një një intervistë, para ca vitesh, ju patët deklaruar : «Një ditë do të shkojmë në një turne të madh». Kjo ditë ka ardhur. A mos doni t’ju pickoj që ta besoni se nuk jeni në ëndërr ?

(Buzëqesh.) Kjo ka qenë gjithmonë një nga ëndrrat e mia. Por për një kohë të gjatë, kam menduar se unë nuk do ta jetoja këtë në terren. Ky kualifikim, janë trembëdhjetë vjet luftë, sakrifica, gëzime, mundime, emocione të mëdha. Fanella e ekipit kombëtar të rrëqeth trupin, të jep emocione, një gëzim dhe një krenari që as nuk krahasohen me ato që ti i ndjen në klub. Arritja e diçkaje historike për vendin tonë, mundësia për të luajtur në terren, thjesht sa e ka shtuar gëzimin tonë.

Për çfarë është historike kjo arritje ?

Për ata që janë jashtë realitetit tonë dhe jashtë asaj çfarë përfaqëson ekipi kombëtar për Shqiptarët, është e vështirë ta kuptojnë se çfarë ndjen kombi ynë tek gjendet për herë të parë në skenë, për të treguar vlerat tona dhe shpërblyer njerëzit tanë. Nuk dëgjohet shumë duke u folur për Shqipërinë. Ja përse kjo kupë do të ketë një jehonë të jashtëzakonshme për ne.

Përtej anës sportive, kjo kupë përbën pra një fushatë të madhe publiciteti për Shqipërinë ?

Ne duam të jemi ambasadorë të mundshëm të kombit tonë. Shumica e njerëzve nuk na njohin. Ata nuk e kanë vetëdijen se shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit. Nuk ngjan me asnjë tjetër. Në një botë ku flitet për tolerancë ndërmjet feve, një nga udhëtimet e para të papës Françesku ka qenë në Shqipëri. Përballë botës mbarë, ai e ka si shembull vendin tonë ku bashkëjetojnë pa asnjë problem katër fe : Kisha ortodokse, kristianizmi dhe islami, plus bektashinjtë, një degë e islamit. Ata nuk e dinë se tek Shqiptarët ka bjondë, brunë, sy blu, sy kafe… Kjo kupë është një mjet për të trokitur në derën e Europës dhe për të thënë : „Jemi këtu.“

A ndiheni i mveshur me një lloj misioni ?

Kjo është forca dhe bukuria e asaj që bëjmë. Ka shumë pak gjëra të afta që ta përmbysin një ide, që t’i rrëzojnë pengesat e t’i thyejnë paragjykimet, siç e bën këtë muzika apo sporti. Dhe ne duhet ta përdorim këtë. Kemi një rol për të luajtur, siç e bën këtë dhe prej vitesh madje një artiste e re tashmë e njohur botërisht, Rita Ora (këngëtare dhe aktore në Pesëdhjetë nuancat e Grey). Edhe ajo vjen nga Prishtina (ku është lindur) dhe flet sa herë që e ka mundësinë se ka shumë talente tek ne. Kjo është shumë e rëndësishme. Afro 70% e popullsisë së Kosovës (Shtet i pavarur me shumicë shqiptare) është nën njëzet e pesë vjeç, kemi një komb të ri që ka nevojë ta ndihmojnë dhe të ketë një perspektivë. Kjo kupë është mjeti më i mirë për ta thënë këtë, troç dhe fort.

Kujt ? Europës, botës apo vendit tuaj ?

Ekipi kombëtar është e vetmja gjë që ka arritur të na bashkojë të gjithëve rreth flamurit tonë. Ai na lejon t’i dërgojmë botës një mesazh bashkimi, por edhe vendit tonë. Shqiptarët kanë talent, gjëra të bukura për të ofruar, por sidomos, duan të jenë të bashkuar.

Kjo është e lidhur me historinë e vendit tuaj ?

Kemi një realitet që nuk ekziston askund tjetër, tek asnjë popull tjetër. Kur luajmë, ka po aq mbështetës që vijnë nga jashtë vendit sa nga brenda vendit. Nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Zvicra… Kemi një diasporë të stërmadhe. Duhet ditur se pas fundit të konfliktit (lufta e Kosovës, më 1999), kishte më shumë banorë jashtë vendit se brenda vendit ! Ka gjithmonë të shpërngulur nëpër konflikte, por asnjëherë në përmasa të tilla, dhe këtë, populli ynë e ka jetuar si një padrejtësi të madhe të historisë, ndërkohë që ideali që na e kanë lënë trashëgim të parët tanë, është pikërisht që të kemi një vend të vetëm, një komb të vetëm. Kjo është arsyeja që njerëzit janë të gjithë prapa ekipit kombëtar, sepse ai e mbart lart këtë ideal, që prej pak më shumë se dhjetë vjetësh.

Kjo mbështetje, është një motor nxitës, por edhe një barrë. Si e përjeton grupi këtë ?

T’iu japësh pak lumturi dhe krenari këtyre njerëzve që jetën e përditshme e kanë tashmë të vështirë, kjo s’blihet me asgjë. Kur jemi kthyer nga Armenia (ndeshja e kualifikimit, më 11 tetor, 0–3), kishte njëzet a tridhjetë mijë vetë që na prisnin në Tiranë. Kënaqësia jonë është që të shohim një komb të lumtur. Kjo është e jashtëzakonshme.

Ju patët hyrë fuqishëm në eliminatore : fitore në Portugali dhe në Serbi, barazim në Danimarkë. A është ky çasti që ju keni besuar se do të kualifikoheni ?

Me kalimin e ndeshjeve, e kemi ndjerë se ishim duke kapërcyer një cak, që nuk ishim vetëm një ekip fundesh renditjeje që nganjëherë iu merrte ndonjë pikë të mëdhenjve. Por që të mendonim se mund të kualifikoheshim, kishte ende një hendek të madh. Kemi arritur diçka të pagjasë, sidomos në grupin ku ishim. Por duke iu afruar fundit, përballë Portugalisë dhe Serbisë, kemi ngrënë gola pas minutës së 90-të, sepse përpiqeshim të shtynim përpara dhe jo të siguroheshim, dhe e tërë kjo për ta arritur kualifikimin sa më shpejt.

Ju e kishit ndarë me…

(Ndërpret.) Tepër ! Kjo na ka bërë që të bëjmë marrëzira, por ishim aq të përqëndruar tek kualifikimi sa nuk na ka shqetësuar. Dhe kur e kemi arritur, kemi hequr një barrë të stërmadhe.

Kjo është përfundimtare apo kjo peshë mund t’ju bjerë përsipër gjatë kësaj kupe ?

Shumë njerëz besojnë se ekipi i Shqipërisë është aty vetëm falë formulës së Kupës së Europës e cila kualifikon më shumë ekipe se më parë, por harrojnë se ne nuk kemi kaluar nga ndeshja direkte ! E kemi merituar gjerësisht kualifikimin tonë. Për herë të parë, Shqiptarët nuk kanë pse të mbështesin Gjermaninë, Italinë apo Zvicrën. Tani janë mbështetës të ekipit të tyre kombëtar.

Ju e njihni mirë Francën, ngaqë keni luajtur për Nantes, Paris dhe Marseille, Marseille ku ju duhet të kishit luajtur kundër Bluve…

(Buzëqesh.) Këto janë shakatë e fatit. Kjo bën pjesë tek ato historitë që do t’ua tregojmë fëmijëve tanë më vonë. Sigurisht, Franca është një kundërshtar i veçantë sepse është vendi im i dytë. Kam nënshtetësi franceze. Pas tokës së vendlindjes, është vendi ku ndihem më mirë. Edhe Marseille është sigurisht e veçantë për mua sepse kam luajtur për OM (nga 2005 deri 2009).

A është e vërtetë se ju nuk donit ta hasnit në ekipin e Francës ?

Po, sepse Blutë do të jenë shumë të fortë. Është thjesht një çështje niveli. Doja të shmangnim Spanjën dhe Francën, që për mua janë favoritet e kësaj kupe.

E megjithatë, dy herët e fundit, keni kaluar mirë…

Po, është e vërtetë (1–1 në Rennes dhe 1–0 në Shqipëri), por Franca do të luajë në shtëpi, dhe dy herët e fundit që ajo ka organizuar një kupë, i ka fituar. Ajo do të ketë mbështetjen e një kombi të tërë, do të jetë shumë e ndërlikuar për kundërshtarët. Franca do të përfundojë në krye të grupit.

Ju thatë para pak se kishit nënshtetësinë franceze. Nuk keni shprehur keqardhje ndonjëherë që të mos luani me fanellën blu ?

Pas Botërorit 2006, Raymond Domenech pati thënë se kisha bërë një zgjedhje shumë të shpejtë dhe se mbase do të më kishte marrë në ekipin e Francës. Por unë nuk ndjej absolutisht asnjë keqardhje. Përkundrazi. Është krenaria më e madhe e karrierës sime dhe e jetës sime që kam zgjedhur t’i përfaqësoj të mijtë.

Po kombëtarja zviceriane, nuk ju ka tunduar ? Ju keni jetuar atje nja dhjetë vjet…

Im atë, që ka qenë lojtar ndërkombëtar jugosllav tek të rinjtë, ka ikur në Zvicër më 1990 për ta mbyllur karrierën në Montreux. Kam qëndruar afro dhjetë vjet atje. Detyrimisht, ndeshja me Zvicrën nuk ishte aq e lehtë për mua. Ashtu si për shumicën e shokëve të mi të ekipit, që disa janë lindur atje. Madje kemi një (Taulant Xhaka) që vëllai (Granit) i luan për Zvicrën ! Por unë nuk e kam pasur kurrë nënshtetësinë zviceriane, kam ikur në Paris pak kohë përpara. Sidoqoftë, për mua, nuk bëhej fjalë që të vishja një fanellë tjetër përveç asaj të Shqipërisë. Në vitet 90, mblidheshim në familje për të shikuar ndeshjet e Shqipërisë, gjë që s’ishte aq e rëndomtë në atë kohë. Taret, Strakoshat, Muratët, i shihja në televizion kur isha i vogël. Dhe s’kisha tjetër veç një dëshirë, të bëhesha si ata. Në fakt, nuk kam qenë kurrë përballë një zgjedhjeje, sepse që në fillim, zgjedhja ishte bërë. Kjo është arsyeja që, me ndërmjetësimin e Edvin Muratit (ish-lojtar i PSG dhe i Lille), jam afruar vetë unë tek Federata shqiptare.

Ju jeni bërë ndërkombëtar në moshën njëzet vjeç. Ju kujtohet kundër kujt ?

Kundër Zvicrës. Edhe këtu, një shaka e historisë.

Dhe ju e mbani mend datën e kësaj ndeshjeje të parë ?

Sigurisht që po. Më 11 qershor 2003.

Dhe trembëdhjetë vjet më vonë, ditë më ditë, Shqipëria nis historinë e vet në kampionatin europian, kundër Zvicrës !

E pabesueshme ! S’më kishte vajtur në mend !

Ç’do të kishit thënë në atë kohë ?

Se do të shkruaja një libër, dhe se do të ishte libër i mirë ! (Qesh.) Jo, sinqerisht, po të ma kishin thënë këtë, do të kisha nënshkruar menjëherë. Por do ta kisha pasur të vështirë ta besoja…

© Urim Nerguti për përkthimin shqip.