Lopët dhe pushkët

Çka i bën një populli nacionalizmi primitiv, urrejtja, racizmi: shembulli morbid i intelektualëve dhe popëve serbë.

Shtator 1991: Dinjitari i Kishës Serbe Filareti në Kroaci duke mbajtur në duar mitralozin M-53.



Si lind urrejtja? Për shembull kështu: duke imponuar politikën e ngjyrave të reja. Në fillim të viteve ’90 nacionalistët serbë i shpallën luftë ngjyrës jeshile. Gjithçka jeshile lidhej me fenë islame. Në Banjallukë, kryeqytetin e sotëm të të ashtuquajturës Republika Srpska, çdokush që shëtitej me biçikletë me ngjyrë të gjelbër shikohej me dyshim, çdokush që bartte rrobe të gjelbra po ashtu. Një grua u rrah vetëm pse bartte çorapë të gjelbra. Gazetarja e kulturës Liljana Laboviq, e cila gjatë luftës në Bosnjë ishte drejtore e Teatrit Popullor në Banjallukë, në një artikull protestoi kundër një shfaqjeje për shkak se aktorja në rolin kryesor kishte veshur një fustan të gjelbër. Fushata antimyslimane mori përmasa aq absurde, saqë liderët lokalë të partisë së Radovan Karaxhiqit bënë përpjekje për t’ia ndërruar ngjyrën lumit Vërbas, i cili kalon nëpër Banjallukë. Lumi Vërbas ka një ngjyrë të gjelbër në të errët, ndërsa shërbëtorët e Karaxhiqit u përpoqën të derdhin ngjyrë të kaltër në lumë.

Jovan Rashkoviq, një psikiatër dhe në fillim të viteve ’90 lider i serbëve të Kroacisë, në një tubim në Banjallukë më 1991 iu drejtua masës me këto fjalë: «Shiteni një lopë, blini një pushkë! (…) Do të krijojmë një shtet, të cilin do ta quajmë Krajina. Krajina është territor unik. Lumi Una nuk i ndan krajinasit nga Kroacia nga krajinasit e Bosnjës. Una nuk është kufi. Do ta shterim duke e pirë dhe ajo s’ka për të qenë kufi!»

Shitni lopët, pini ujë lumi, por pini aq shumë derisa të shteret krejt lumi në mënyrë që të mos jetë më kufi i natyrshëm mes serbëve. Kjo ishte porosia e Jovan Rashkoviqit – e thënë me autoritet intelektual. Ndoshta nuk është rastësi që si lideri i serbëve të Kroacisë Rashkoviq ashtu edhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiq ishin psikiatër – një profesion që merret me gjendjen nervore dhe shpirtërore të njeriut. Psikiatri është i kualifikuar jo vetëm për t’i ndihmuar njerëzit të braktisin depresionin. Ai po qëlloi nacionalist mund t’i hedhë njerëzit në humnerë. Intelektualët nacionalistë nuk kanë aq respekt për jetën e njeriut, por, në fund të fundit, as për popullin e vet. U pëlqen thjeshtë të luajnë me masën, aty shohin reflektimin e ideve të tyre të çmendura. Rrjedhimisht, nuk është befasi që Rashkoviq në një bisedë me kryetarin e Kroacisë Franjo Tuxhman kishte thënë: «Serbët janë popull budalla!»

Për të përhapur urrejtjen duhet propagandë. «Duhet të thoni mjaft herë një gënjeshtër dhe pastaj përsëriteni, njerëzit mund të fillojnë t’i besojnë asaj», ishte i bindur Joseph Goebbelsi, shefi i propagandës së Adolf Hitlerit. Për Goebbelsin bota kryesisht është më primitive se ç’mund të merret me mend: «Propaganda përherë duhet të jetë e thjeshtë dhe të ketë mundësinë e përsëritjes». Në njërin nga numrat e revistës «Knjizhevne novine» akademiku nacionalist Milorad Ekmeçiq më 1988 shkruante: «…dhuna është nëna e krijimit të shteteve nacionale dhe kryesisht dhuna në luftë. Çdo nacionalizëm fillon me mbledhjen e përrallave dhe këngëve epike dhe ky është nacionalizëm elitar. Studentëve të mi u tregoj një anekdotë nga fillimi i shekullit në Pragë. Në kafehanen kryesore të qytetit u mblodhën dhe zunë vend njerëzit pranë tavolinës, ashtu si ne tani. Pastaj dikush hyri dhe pyeti se çfarë do të ndodhte nëse mbi koka do të binte pullazi i kafehanes. Përgjigjja ishte se ky do të ishte fundi i lëvizjes kombëtare çeke». Kështu e shihnin veten edhe intelektualët nacionalistë serbë në prag të agresionit të Beogradit kundër popujve të tjerë: ata ishin bartës të projektit nacional serb, i cili gjoja donte të ruante Jugosllavinë, por pa u dhënë të drejtë popujve të tjerë të thonë mendimin e tyre në çfarë Jugosllavie do të jetonin.

Në rastin e Serbisë krahas intelektualëve në rolin e propaganduesve të nacionalizimit u gjendën edhe klerikët e Kishës Ortodokse Serbe, një institucion që gëzon popullaritet te masat e gjëra. Më 1991 nga Amerika u kthyen në Serbi eshtrat e Nikollaj Velimiroviqit, një kleriku fashist, i cili ishte dekoruar nga Gjermania naziste dhe i cili kishte parë ngjashmëri mes Adolf Hitlerit dhe Sveti Savës, shenjtorit kryesor të Kishës Ortodokse Serbe. Velimoriviq pas Luftës së Dytë Botërore emigroi në Amerikë, sepse s’donte të jetonte në Jugosllavinë komuniste. Pasi nuk e kishin pranuar në ushtri – Velimiroviq ishte trupshkurtër dhe shëndetlig -, ai ndoq shkolla teologjike dhe pas studimeve në Rusi e Gjermani doktoroi në teologji në Universitetin e Bernës në Zvicër, pastaj titullin doktor i filozofisë e mori në Universitetin e Oxfordit. Kur filloi Lufta e Parë Botërore qeveria e atëhershme serbe e dërgoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që bashkë me shkencëtarët Mihajlo Pupin dhe Nikola Tesla të propagandojnë «luftën e drejtë të Serbisë». Për Velimiroviqin ishte e qartë: «Serbia është fqinj i Europës, por Serbia nuk është Europë». Pak a shumë ngjashëm mendonin edhe dinjitarët e kishës dhe intelektualët serbë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Ata e shihnin Europën jo si hapësirë të vlerave liberale dhe si mbrojtëse të të drejtave të njeriut, por vetëm si «mbrojtëse të krishterimit kundër ngjyrës jeshile». Pak para se ushtarët e tij të fillonin të masakronin mbi 8 mijë burra e djem në Srebrenicë Ratko Mlladiqi kishte thënë: «Ka ardhur dita t’u hakmerremi turqve». Myslimanët e Bosnjës për të ishin turq, pasardhës të «osmanëve të urryer».

Ku të shpie urrejtja? Për shembull në shkatërrimin e qyteteve si Dubrovniku. Kur e pyetën kryetarin e Trebinjës në Bosnjë se përse po e qëllonin me granata Dubrovnikun, një qytet të mbrojtur nga UNESCO, ai tha se do të ndërtonin një Dubrovnik edhe më të vjetër. Kur i pushtuan zonat afër Dubrovnikut ushtarët (kryesisht malazezë) punën e parë që bënë ishte të fotografoheshin pranë pishinave të vilave të këngëtares Tereza Kesovija dhe gazetarit të njohur Goran Miliq. Kjo ishte fitorja simbolike e llumit shoqëror kundër botës urbane. Por, për të goditur këtë botë urbane duhet të ketë intelektualë që nxitin llumin. Njëri ndër ta ishte Radovan Samarxhiqi, historian dhe shkrimtar, anëtar i Akademisë së Shkencave të Serbisë (SANU), drejtor i Institutit Ballkanologjik, dekan i Fakultetit Filozofik në Beograd, autor librash mbi kishën serbe, historinë e Dubrovnikut dhe të Kosovës. Kur Dubrovnikut i kanosej rreziku nga soldateska serbe Samarxhiq, i cili kishte hulumtuar në arkivat e qytetit, tha: «Situata për Dubrovnikun nuk është e rrezikshme. Ai është qytet i prostituuar i hotelierëve, ku vijnë gjyshe amerikane, pederë britanikë, francezë budallenj dhe daktilografe gjermane».

Përballë kësaj situate të ngarkuar me nacionalizëm edhe për Kishën Ortodokse Serbe ishte e qartë: «Serbët s’mund të jetojnë më bashkë me kroatët. (…) Pjesët e Kroacisë duhet t’i bashkohen shtetit amë të popullit serb, Republikës së Serbisë» (nga letra dërguar Lordit Carrington në vjeshtë 1991). Kështu marrëzia shkon duke u zgjeruar. Atëbotë nëpër Serbi qarkullonte libri «Serbët – populli më i lashtë» i filologes Olga Lukoviq-Pjanoviq, ku me seriozitet të madh nënvizohej se sipas serbëve e ka marrë emrin Siberia, se një numër i madh i gjermanëve kanë prejardhje serbe dhe se gjuha kineze është pasuruar me fjalë të shumë fjalëve serbe. Pastaj konstatimi kulmor: «Shqiptarët ua kane borxh serbëve tokën ku jetojnë, emrin që bartin para botës dhe gjysmën e gjuhës që flasin».

Intelektualët dhe kisha ecnin bashkë në vampirizimin e shoqërisë. Në shtator 1991 dinjitari i Kishës Serbe Filareti u fotografua në Kroaci duke mbajtur në duar mitralozin M-53. Në atë fotografi shihet edhe akademiku serb Rastisllav Petroviq.

Çfarë filloi si politikë e ngjyrave të reja në Banjallukë përfundoi kështu: u shkatërruan 16 xhami, pesë tyrbe, Sahatkulla, e cila ishte ora e parë publike në Bosnjë-Hercegovinë. Xhamia Ferhadija ishte e mbrojtur nga UNESCO. U hodh në ajër më 7 maj 1993. Myslimanët u përzunë, në qytet mbeti vetëm lumi Vërbas. Vetëm ngjyrën e gjelbër në të errët nuk arritën t’ia ndryshojnë lumit nacionalistët serbë. Edhe Una ende ekziston si lumë.