Lokalin ku ndodhi vrasja në Basel e frekuentonin sidomos shqiptarët

Në Café 56 në Kleinbasel u vranë dy veta dhe një tjetër u lëndua rëndë. Sipas dëshmitarëve, barin ku ka ndodhur ngjarja e frekuemtojnë para së gjithash persona me origjinë shqiptare. Ndërkohë janë identifikuar viktimat dhe ka informacione për autorët e sulmit.

Pamje nga Kleinbaseli. Foto: stephenallen75 / Shutterstock.



Të enjten mbrëma, shkurt pas orës 20, në Kleinbasel (Baseli i vogël) ka ndodhur një shkëmbim zjarri. Sipas Prokurorisë së Baselit dy burra hynë në Café 56 dhe shtinë disa herë. Me këtë rast dy burra humbën jetën, kurse një tjetër mori plagë të rënda. Autorët e sulmit, sipas prokurorisë, nuk janë kapur akoma.

Prokuroria në një komunikatë ka publikuar të dhëna për autorët që janë arratisur. Kërkohen dy burra ndërmjet 30 dhe 40 vjeç, me flokë të zeza dhe rreth 1,75 metra të gjatë. Ata, thuhet, kanë pasur veshur tesha të errëta; njëri ka pasur një pallto lëkure ngjyrë kafe, apo të zezë. Sipas disa të dhënave, autorët janë nga Evropa lindore.

Një dëshmitar ka thënë për medien «20 Minuten»: «Isha në Coop në Badischer Bahnhof për të blerë diçka. Kur u ngjita sipër, shiheshin vetëm dritat mavi. Përreth pashë dhjetë vetura të policisë dhe dy ambulanca.» Dëshmitari i është bindur policisë. Ai dëshmon: «Policë të armatosur ishin duke e bllokuar të gjithë vendin para kafenesë.»

Dëshmitari thotë më tej: «Unë e njoh barin, kam qenë vetë disa herë aty. Atë e frekuentojnë para së gjithash shqiptarët.» Edhe ndër shokët e tij është pëshpëritur se viktimat janë burra me prejardhje shqiptare. Por: «Ata nuk kanë jetuar këtu, por kanë qenë turistë.»

Ndërkohë, transmeton Tages Anzeiger, janë identifikuar të tre viktimat e rastit. Të vrarët janë dy shqiptarë 28 dhe 39 vjeç. I plagosuri, i cili ndërkohë nuk është më në rrezik jete, është gjithashtu një shqiptar 24 vjeç. Nuk është sqaruar akoma arsyeja e agresionit. Hetuesit e përjashtojnë një sfond terrorist të sulmit.

Pronari i kafesë, 43-vjeçari S. I., nuk ka qenë në lokal kur ka ndodhur ngjarja. Ai nuk ka qenë në gjendje të thonë më shumë se «jam shumë i shqetësuar». Përndryshe Kleinbasel (Baseli i vogël) kap pjesën e djathtë të Rheinës dhe përfshin disa lagje të qytetit të vjetër. Kleinbaseli është edhe sot pjesa e qytetit të njerëzve të thjeshtë, ndërkohë që shtresa e lartë jeton në Grossbasel (Baselin e madh). Kleinsbaseli llogaritet si lagja e emigrantëve. ks