Loja për numëruesit e votave, LSI kalon në disavantazh pa nisur gara

Një skemë teknike, por e konsideruar me rëndësi vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve i ndan grupet e numërimit të votave mes partive «opozitare» dhe «mazhoritare», por kjo skemë ka hyrë në qorrsokak, pasi nuk është e qartë se cilat parti i përkasin mazhorancës dhe cilat opozitës.

Mbledhje e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Foto: Malton Dibra/LSA



Partia Lëvizja Socialiste për Integrim bëri të ditur se po i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për të kundërshtuar një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e numëruesve të votave në zgjedhjete 25 qershorit, me synimin për të ruajtur pozicionin e saj aktual në këtë hallkë kyçe të administrimit zgjedhor.

Sipas vendimit të KQZ, LSI do të duhet t’i nënshtrohet shortit me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet duke ndarë efektivisht përgjysmë të drejtën e propozimit të numëruesit të tretë të grupeve të numërimit. Partisë Republikane iu caktua e drejta për emërimin e numëruesit të katërt.

Ndryshimi në dukje i vogël pritet të rrisë akuzat e ndërsjellta gjatë procesit të numërimit.

Luan Rama, nënkryetar i LSI e kritikoi vendimin e KQZ-së si një nga shkeljet e shumta ligjore që sipas tij, PS dhe PD po bëjnë në kurriz të LSI-së. Sipas tij, vendimi është «një dëshmi tjetër e radhës, e pafytyrësisë politike, e hipokrizisë e atyre që flasin dhe premtojnë se duan të bëjnë shtet, por në fakt sillen në kundërshtim me ligjet e shtetit, në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës».

Përgjatë zgjedhjeve të shkuara, akuzat kanë qenë të shumta mbi manipulimin e procesit të numërimit të votave nga grupet e numërimit dhe partitë politike e shohin praninë e vet në këto grupe numërimi si faktor kyç në suksesin e tyre në zgjedhje. Akuzat kanë qenë se numëruesit e partive mund të kalojnë një votë nga një parti te një parti tjetër, në kushtet kur partia nuk ka numërues që t’ia ruajë votën.

Kodi zgjedhor aktual, i miratuar me kompromis mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste krijoi grupe të numërimit të votave me katër anëtarë, numër i barabartë me synimin për të mos i dhënë asnjërës palë avantazh numerik si dhe për t’u garantuar të dy palëve, pozitë dhe opozitë, rol të barabartë në numërimin e votave. Kodi thotë se dy partitë e mëdha, konkretisht PS dhe PD emërojnë nga një anëtar, ndërsa anëtarët e tretë dhe të katërt emërohen nga parti parlamentare që i përkasin konkretisht mazhorancës dhe opozitës, me kushtin që të kenë më shumë se dy deputetë në Kuvend. Në rast se në mazhorancë ka më shumë se dy parti të vogla, e drejta për numërim i caktohet partive sipas një shorti, ku zakonisht njëra parti emëron gjysmat dhe tjetra gjysmat. E njëjta gjë ndodh nëse ka më shumë se dy parti të vogla nga opozita.

Por ky sistem hyri në kaos në zgjedhjet e vitit 2015 për pushtetin vendor, kur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ra detyra të kuptonte se cilat qenë parti mazhorance dhe cilat i përkisnin opozitës.

Parimi i kodit zgjedhor është që numëruesit të ndahen mes mazhorancës dhe opozitës, dy me dy. Por PDIU kaloi nga opozita në mazhorancë para zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Një komunikim kafkesk i parapriu vendimit të KQZ-së në atë kohë. Kjo e fundit i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë dhe pyeste se si qenë radhitur partitë politike parlamentare.

Kuvendi, i cili drejtohej nga LSI i përgjigjej KQZ-së duke i dërguar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2013, të cilat vetë KQZ i kishte miratuar. LSI qe në atë kohë e vetmja parti aleate, pjesë e koalicionit qeverisës të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 me më shumë se dy mandate deputetësh. Kjo do të thoshte se ajo kishte të drejtën të emëronte të gjithë numëruesit e tretë në të gjitha grupimet e numërimit. PDIU nga ana e saj kërkonte për herë të parë të drejtën e emërimit të numëruesve. Nëse do të qëndronte në opozitë, asaj do t’i takonte të hynte në short me Partinë Republikane. Por në çastin që kaloi në maxhorancë, ajo nuk mund të merrte numërues nga opozita pasi cenonte vetë frymën e Kodit Zgjedhor. KQZ vendosi më 2015 të përjashtonte PDIU-në nga grupet e numërimit, duke ruajtur pozicionin e LSI-së.

Situata është edhe më e komplikuar aktualisht, kur LSI rezulton njëkohësisht pjesë e qeverisë por edhe e sulmuar nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike dhe efektivisht gjendet në rolin e opozitës në zgjedhje. PDIU është gjithashtu në qeveri, por teknikisht jo në qeveri, ndërkohë që garon e vetme si të gjitha partitë e tjera. Partia Demokratike teorikisht është në opozitë, por praktikisht mban 5 poste ministrore në kabinetin «Rama».

Partia Republikane, e cila mori 3 mandate deputetësh si opozitë më 2013 aktualisht ka vetëm një mandat, (dy të tjerët kanë kaluar te LSI), ndërsa vetë PR konkurron vetëm nominalisht këto zgjedhje pasi ka aleancë të fshehtë me Partinë Demokratike dhe kryetari e drejtuesit e saj janë në listat e PD-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e fshehu sikletin e vet në vendimin e marrë më 12 qershor. Vendimi thotë se «komunikimi kafkesk me Kuvendin e Shqipërisë» qe zhvilluar edhe kësaj here si më 2015. KQZ i kërkoi Kuvendit të dinte se cilat parti qenë në mazhorancë e cilat në opozitë. Kuvendi i dërgoi sërish rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013, ku PS e LSI janë në qeveri ndërsa PD, PDIU e PR janë në opozitë.

KQZ vërejti më tutje se mungesa e koalicioneve parazgjedhore e bën të pamundur të dallohet se cilat parti garojnë majtas dhe cilat djathtas.

«Për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25.06.2017, nuk është regjistruar në KQZ asnjë koalicion zgjedhor, ku partitë politike përmes marrëveshjes për krijimin e  tij, shprehnin vullnetin duke u renditur me partitë e shumicës qeverisëse apo të opozitës parlamentare. Ky fakt e vështirëson identifikimin e partive politike të shumicës parlamentare dhe partive të opozitës parlamentare», thuhet në vendimin e KQZ-së.

Procesi i administrimit zgjedhor në Shqipëri është i politizuar, ku palët politike kanë rënë dakord të ruajnë njëra-tjetrën se mos u vjedhin votat. Kjo vlen vetëm për partitë e mëdha. Partitë e vogla jashtëparlamentare ose të krijuara nga deputetë të pakënaqur me partitë e tyre nuk kanë rol në administrimin zgjedhor. Këto parti duhet të shpresojnë në ndershmërinë e numëruesve të partive parlamentare për t’i numëruar votat e tyre. Kuptohet, askush nuk është kaq naiv sa për të shpresuar!

(https://www.reporter.al/loja-per-numeruesit-e-votave-lsi-kalon-ne-disavantazh-pa-nisur-gara/)