Loja me letra e familjes Xhaka

Pas Granit Xhakës edhe babai i tij tani i ka dërguar një letër opinionit shqiptar. Heshtja do të ishte punë më e mençur, sepse letrat patetike nuk e bëjnë këtë familje sportive as më shumë, as më pak patriotike.

Granit Xhaka.

Para disa javësh Granit Xhaka iu drejtua opinionit shqiptar me një letër publike. Aty futbollisti i ekipit kombëtar të Zvicrës tregon se ka vendosur të luajë për këtë shtet dhe jo për Kosovën. E shkruar me gjasë kokë më vete, pa konsultim me trajnerin apo me ndonjë profesionist të relacioneve publike, letra mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

Granit Xhaka shkruan: «Unë si Granit jam interesuar dhe kam angazhuar stafin tim që të punojë në këtë drejtim, nëse është e mundur të luaj me Kosovën apo jo. (…) Kam punuar me muaj të tërë për një gjë të tillë. (…) Disponoj gjithë dokumentet që datojnë me fillimin e qershorit që bashkëpunëtorët e mij të autorizuar nga unë kanë bërë gjithça që të bëhej realitet një gjë e tillë».

Kur letra u botua e përkthyer nga mediumet zvicerane, Xhaka i zemëruar tha se gazetarët e kishin përkthyer atë gabimisht, sepse ai nuk paskësh thënë kurrë se ka dashur të luajë për Kosovën. Si është e mundur një tërheqje e tillë? A është e mundur që Xhaka synonte t’i thoshte opinionit shqiptar se ka dashur të luajë për Kosovën, por shpresonte se kjo s’do të bëhet publike nga mediat zvicerane? Ky do të ishte naivitet i madh. Dëmi bëhet edhe më i madh kur Xhaka përpiqet që para zviceranëve të mohojë atë që ka shkruar në shqip: se ka dashur të luajë për Kosovën.

Trajneri i Zvicrës, kroati Vladimir Petkoviq, ka deklaruar se Xhaka i ka thënë se në letrën e tij drejtuar opinionit shqiptar nuk gjendet ndonjë fjali që sugjeron se ai ka dashur të luajë për Kosovën. Në këtë lojë me letra e deklarata dikush ashiqare nuk po e thotë të vërtetën. Petkoviq në një intervistë për gazetën «Neue Zürcher Zeitung» ka shprehur keqardhje që Xhaka e ka shkruar letrën. Trajneri dyshon nëse letra e Xhakës ishte mënyra më e mirë për të komunikuar me publikun dhe thotë: «E kemi këshilluar që në rast të vështirësive herën tjetër të na drejtohet neve».

Në mediat zvicerane letra e Xhakës nuk u prit mirë, sidomos për shkak të tonit patetik, i cili ishte mjaft kumbues edhe për opinionin shqiptar të mësuar me brohoritje patriotike dhe skenderbegiane. Qëllimi i letrës ishte t’i tregohet fansave shqiptarë se sa patriotike është familja Xhaka. Fundja, a nuk luan Taulant Xhaka për Shqipërinë? A nuk qenkësh kjo dëshmi e mjaftueshme për patriotizmin e familjes Xhaka? Nuk mungonin në letrën e Granit Xhakës as flamuri, himni, Adem Jashari.

Kështu kjo çështje ngrihej në nivel të betejës kombëtare për nder, krenari e burrëri, patriotizëm dhe përkushtim për atdhe. Gjëra për të cilat Granit Xhaka nuk ka asnjë nevojë. Si futbollist i talentuar ai kudo që luan e lartëson edhe vendin prej nga vjen, por prapë duhet vënë pak gishtin në kokë: është fjala për futboll dhe jo për jetë e vdekje. Futboll do të luhet edhe pasi Xhaka të përfundojnë karrierën.

Me siguri shumë huliganë nga Kosova dhe diaspora e kanë akuzuar Xhakën për tradhti. Me tipa të tillë Xhaka nuk mund të merret vesh me letra. Ata meritojnë vetëm një përgjigje: injorim! Xhaka nuk po e bën këtë, por po vajton e përbetohet se vjen nga një familje patriotike, se vetë është patriot, babanë e ka patriot, familjen e ka patriotike. Të hapësh debat me këso fjalësh me huliganë të futbollit nuk është punë e dobishme.

Dhe debatin me këtë strukturë tani e vazhdon edhe babai i Granit Xhakës, Ragipi. Edhe ky ka shkruar këtë javë një letër dhe e ka shpërndarë andej-këndej nëpër portale. Me një gjuhë odash babai ankohet se «djemtë e mi» janë etiketuar si tradhtarë, si njerëz që shesin veten. Ragip Xhaka thotë se dikush i kërcënonte të mos vijnë në Kosovë djemtë e tij. Për këto gjëra ai duhet ta njoftojë policinë, autoritetet e rendit në Kosovë dhe në Zvicër dhe jo të bëjë aludime nëpër portale.

Muhabetet me fansa injorantë, të qorruar, s’kryejnë punë. Opinioni publik i ka ligjet e veta të funksionimit dhe nuk bëhet merak kur Ragip Xhaka në letrën e tij shkruan: «Që ta dini shpirti me ka dhimb, zemra më ka lëshuar». Letra e Ragip Xhakës kulmon me kërkesën që disa mediume, tifozët dhe Federata e Futbollit e Kosovës t’i kërkojnë falje Xhakës për «dëm shpirtëror». «Një kërkim falje na e keni borxh mua, familjes Xhaka edhe gjithë shqiptarisë», shkruan Xhaka senior.

Kjo mënyrë e komunikimit me opinionin publik vetëm do të përtërijë polemikat e zhurmshme, fjalët boshe për «tradhti» dhe «mungesë patriotizmi». Heshtja do të ishte punë më e mençur për të gjithë Xhakat, sepse letrat patetike nuk e bëjnë këtë familje sportive as më shumë, as më pak patriotike. Granit dhe Taulant Xhaka janë futbollistë të mirë, njerëz me gjasë të mirë, ata kanë një baba me siguri patriot, gjithsesi mbarë familja Xhaka ka dhënë kontribute të ndryshme për Kosovën dhe për Shqipërinë. Ndaj akuzave të ulëta që mund të vijnë nga ndonjë fans ata nuk duhet të reagojnë fare. Ndryshe vetëm do të lejojnë që injorantët t’i tërheqin në batakun e fjalosjeve të kota virtuale. Luani me top dhe jo me letra.