Lista e votuesve në Maqedoni «pastrohet» nga shqiptarët

30 mijë votues nga gjithsej 39'502, sa dyshoheshin si votues fiktiv, dy të treta e të cilëve shqiptarë, janë fshirë nga lista e votuesve në Maqedoni. KSHZ nuk e tregon përkatësinë etnike të votuesve të fshirë, por listës së komunave me më tepër votues të fshirë i prijnë vendbanimet shqiptare në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Kumanovë. Besohet se nga 30 mijë votuesit e fshirë, 20 mijë janë shqiptarë. Ata kanë edhe një afat që nga 27 tetori deri më 16 nëntor të paraqiten gjatë shqyrtimit publik për t’u rikthyer në listë.

Foto: Flat art / Shutterstock

Gjithsej 30’467 votues, shumica e të cilëve besohet të jenë shqiptarë, janë fshirë nga lista e votuesve në Maqedoni dhe nuk do të kenë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ata kanë edhe një mundësi që të rikthehen në listë, edhe atë gjatë shqyrtimit publik të listës zgjedhore që do të zgjasë 20 ditë. Por nëse edhe kësaj radhe interesimi për t’u regjistruar do të jetë sikurse ai gjatë afatit të parë 20-ditor, atëherë nuk pritet ndonjë ndryshim qenësor i shifrave.

Dyshimet se pjesa më e madhe e tyre, apo mbi 20 mijë, janë shqiptarë, bazohen në faktin se edhe gjatë publikimit të listës së parë të votuesve prej 39’502 vetave që u cilësuan si të dyshimtë dhe fiktivë, zyrtarisht u tha se dy të tretat janë shqiptarë. Këto dyshime se shumica e 30 mijë votuesve të fshirë janë shqiptarë, i kanë rritur të dhënat zyrtare të publikuara nga KSHZ, ku nuk tregohet përkatësia etnike e këtyre votuesve, por vetëm komunat dhe zonat e votimit prej nga vijnë ata.

Një e treta e zgjedhësve që nuk janë paraqitur dhe që janë fshirë nga lista e votuesve janë në njësinë e gjashtë zgjedhore, ndërsa të tjerët në njësinë e dytë dhe të parë zgjedhore, e cila përfshin rajonin e Shkupit dhe të Kumanovës. Por, edhe pse në këto dy njësi përbëjnë kryesiht elektorat maqedonas, përsëri listës së votuesve që do të fshihen i prijnë vendbanimet shqiptare. Komuna e Çairit është e para edhe në nivel republikan me 4’079 votues që nuk janë paraqitur dhe 3 që janë refuzuar, që gjithsej kanë 4’082 zgjedhës të fshirë nga lista e votuesve. Pas Çairit vijnë dy qytetet më të mëdha të banuara me shqiptarë nga njësia e gjashtë zgjedhore, Tetova dhe Gostivari me 2’600, gjegjësisht 2’198 votues të fshirë. Pas këtyre dy qyteteve, në listën e përgjithshme pasojnë komunat nga njësia e parë dhe e dytë, të banuara përsëri me shumicë absolute shqiptare, si ajo e Sarajit, që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë 1’666 votues më pak. Pas Sarajit vijnë komunat e përziera, ku shqiptarët poashtu janë në përqindje të madhe, si Shuto Orizare me 1’667 votues të fshirë dhe Gazi Baba me 1’526 votues të fshirë. Ato pasohen nga Kumanova me 1’400 votues të fshirë dhe Kërçova me 916 votues të fshirë. Pasojnë komuna të tjera të banuara kryesisht me shqiptarë, por me numër më të vogël të votuesve të fshirë. Përveç se shqiptarë, shumica e votuesve të cilët janë fshirë nga lista e zgjedhësve në Maqedoni, besohet se një numër i konsiderueshëm i tyre janë emigrantë.

Pas vendimit të liderëve të katër partive për mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor dhe pas kontrollit elektronik dhe administrativ, KSHZ publikoi listën e votuesve e cila numëron 1’770’736 votues. Ky numër është për 9’392 votues i vogël dhe ka ardhur si rezultat i fshirjes së 30 mijë votuesve të dyshuar si fiktivë dhe shtimit të votuesve që kanë mbushur 18 vjet.

Kjo listë nuk është përfundimtare, pasi KSHZ pret vërejtjet nga partitë politike të cilat e kanë marë listën për shqyrtim. Një mundësi për ndryshime do të ketë gjatë shqyrtimit publik që do të hapet nga 27 tetori deri më 16 nëntor. Në këtë periudhë do të kenë të drejtë të paraqiten edhe 30 mijë votuesit të cilët nuk u paraqitën në afatin e parë. Gjatë kontrollit të 39’502 votuesve, KSHZ ka zbuluar edhe 6 persona të vdekur, 51 me banim ose punë të përkohshme jashtë vendit, gjegjësisht të zhvendosur ose në diasporë, 54 që persona kanë humbur të drejtën e votës për arsye të ndryshme, gjegjësisht nuk ndodhen në listën e votuesve dhe 2 persona që kanë dorëzuar kërkesa për ndryshim të të dhënave në listën e votuesve dhe të njëjtat janë ndryshuar.

Disa nga komunat me numër më të madh të votuesve të fshirë:

Komuna Gjithsej të kontestuar Kanë dorrëzuar aplikim Janë pranuar Janë refuzuar Nuk kanë aplikuar (janë fshirë)
Çair 5411 1332 1329 3 4079
Tetovë 3174 574 574 0 2600
Gostivar 2662 464 464 0 2198
Saraj 2413 750 747 3 1663
Shuto Orizare 1789 122 122 0 1667

 

Gazi Babë 1754 228 227 1 1526
Kumanovë 2071 671 669 2 1400
Kërçovë 1339 423 422 1 916