Liria

Ángela Figuera Aymerich



Dhe kësisoj u rritën qenie duarlidhura – Empedokli

I vëmë pikë, na thanë me të shtëna.
Dhe ne i vumë. Dhe ne i fshimë të gjitha.
Një shkarravinë e zezë. Një burg i ri.

Në ditsh të sillesh mirë, atëherë
fjalë të lejuara mund të shqiptosh,
si dimër, dritë, hispanitet, sombrero.
(Po qe se gjuha nga turpi të përcëllon,
var një tabelë në qafë si memec,
shtri dorën dhe lyp të holla)

Në i mbathsh këpucët ashtu siç duhen mbathur,
në trotuarin tjetër mund të kalosh
për diell ose për një copë strehëz.
Në i pagofsh taksat me rregullsi,
në zyrë mund të shkosh, në atelie,
mund të djegësh vetullat ose thonjtë ,
gjoksin ta copëtosh e të fitosh famë.
Po dhe dëfrime të ndershme do të kesh:
me një kalim korteu, me një film
nga ata që çdo censurë i lejon,
me një futboll të mirë, me një gotë birrë,
me emisione radioje të paqme
dhe çdo të diel pasdite me nga një meshë.

Veç për lirinë mos fol, mos mendo,
mos shkruaj edhe kurrë mos lejo
që në të bardhë të syve të të shfaqet,
as që në rroba të të erëmojë
as që pas një filli floku të të kapet.

Dhe sidomos, o mik, kur të biesh të flesh,
lirinë poshtë nënkresës mos e fshih,
me shpresë të shohësh në ëndërr ditë më të mira.
Se mund të ndodh të ngrihesh ndonjë natë
përgjumësh duke folur për lirinë,
të harrosh edhe të dalësh nëpër rrugë,
duke thërritur çartas për lirinë,
të hapësh dyer e të hapësh dritare,
të vrasësh roje e të vrasësh mace,
të thyesh fenerë e të thyesh çezma,
t’u prishësh gjumin njerëzve paqësorë,
se atëherë, o vëlla, merr fund kjo punë
e vetëm zoti mund të të ndihmojë.

Përktheu: Aurel Plasari