Liqeni i Luzernit – treva e virgjër e Zvicrës

Të gjithë kanë shëtitur këndej në ditët e rinisë, me trena, anije, autobusë. Nga asnjë klasë nuk kanë shpëtuar Kishëza e Tellit, Livadhi Rütli, Guri i Schillerit, Selisbergu dhe Rrëshqitja e Kodrës (Bergsturz) në Arth-Goldau. Për banorët e këtij vendi këto janë një obligim për t’i parë, i cili në shpirtrat e rinj lë gjurmë të pashlyeshme. Prandaj të gjithë vendorët kanë një përjetim dezhavy, kur udhëtojnë nëpër këtë trevë. Këtu filloi gjithçka! Jo me Adamin dhe Evën, por me shigjetarin Tell dhe me guvernatorin provincial Gessler...

As verës, as dimrit nuk mund të na kalojë pa e parë: treva përreth liqenit të Luzernit.



Ai që vetëm zgurdullon sytë jashtë, nuk sheh asgjë. Çfarë fëshfërin para syve, në brendinë e vëzhguesit dëshiron të vijë në vete, si imazh dhe përshtypje, si ndjenjë dhe si mendim. Burri që gjendet atje te dritarja përballë shikon peizazhin i shtangur si me magji, duket se ka uri të madhe ndaj botës, por prapëseprapë herë pas here mbyll sytë, thua se atë që ka parë duhet ta palosë dhe ruajë në depot e vetes së tij. Çfarë depërton këtu përmes syve dhe veshëve duhet të sinkronizohet me atë që tashmë gjendet aty. Imazhet zgjojnë përvoja, kujtime, gjëra të mësuara më herët dhe qëmoti të harruara. Liqeni i Luzernit me kodrat që i bëjnë roje – Pilatus, Rigi, Bürgenstock dhe viganët edhe më të lartë me majat e tyre të bardha në prapavijë – : për çdokënd që është rritur në këtë vend dhe ka shkuar këtu në shkollë kjo është treva absolutisht më e virgjër helvetike. Të gjithë kanë shëtitur këndej në ditët e rinisë, me trena, anije, autobusë. Nga asnjë klasë nuk kanë shpëtuar Kishëza e Tellit, Livadhi Rütli, Guri i Schillerit, Selisbergu dhe Rrëshqitja e Kodrës (Bergsturz) në Arth-Goldau. Për banorët e këtij vendi këto janë një obligim për t’i parë, i cili në shpirtrat e rinj lë gjurmë të pashlyeshme. Prandaj të gjithë vendorët kanë një përjetim dezhavy, kur udhëtojnë nëpër këtë trevë. Këtu filloi gjithçka! Jo me Adamin dhe Evën, por me shigjetarin Tell dhe me guvernatorin provincial Gessler, me Arnold von Melchtal, Walter Fürst dhe Werner Stauffacherin bashkë me gruan e tij edhe më të trime. Në Küssnacht përfundon Hohle Gasse (rrugica ku, sipas legjendës, Wilhelm Telli vrau guvernatorin Gessler, vër. e përkth.), këtu u lanë hesapet me tiranin, pamëshirshëm. Ecim nëpër treva të ngopura me mite e legjenda, saga dhe me dijen çuditërisht të pasur me heronj, të cilën na e tregojnë librat shkollor. Aty kujtohen ngadhënjimtarët. Ata ishim ne zviceranët. Rrallë kujtohen humbësit. Sepse ata ishin të tjerët.

Por as verës, as dimrit nuk mund të na kalojë pa e parë: kjo trevë përreth liqenit të Luzernit, të cilën treni e braktis brenda një kohe të shkurtër, për të vazhduar përgjatë liqeneve të tjera dhe për të ofruar në Schwyz pamjen e dy kodrave të Mythenit, ka një bukuri absolutisht imponuese. Kur në Brunnen sërish arrijmë te liqenit i Urit dhe nëpër tunele marramendëse dhe galeri mbërrijmë te pjesa e epërme e liqenit, duhet pranuar se edhe pa imazhe patriotike në kokë këtu hapet një kulis paraalpin, të cilit nuk i mungon as rrezikshmëria, as butësia. Çfarë e ndan trevën thiktë dhe e bllokon, ndërlidhet dhe bashkohet përmes vullnetit të ardhacakëve dhe banorëve. Çfarë lulëzon e rritet, i nduket tokës me shumë mundim. E vogël është çdo tokë e dukshme pjellore. Nëse ekziston një trevë që ofron shkas për sjellje kokë më vete dhe izolim, këtu ajo është e parapërgatitur. Megjithatë, shumë herët me gjasë është kuptuar se është më mirë të bashkohesh se sa ta provosh vetë!

Dijetari gjerman Johann Kaspar Riesbeck shkroi në shekullin e ’18: «Duhet të jesh një studiues me profesion për të depërtuar në veçantitë e një populli të tërë». Njeriu ka shumë dëshirë të kuptojë se si trevat i karakterizojnë njerëzit, se si i ngjallin nevojat e tyre, vrullin për veprim dhe ambicien. Por edhe si e formojnë shpengimin dhe optimizmin. Apo mos është më mirë t’i referohemi Robert Walserit, i cili njëherë mendoi kështu: «Një vend dhe një popull nuk duan të përshkruhen, prezantohen apo pasqyrohen përnjëherë, por dëshirojnë të lihen në qetësi». Qetësia është punë në vete. Veçanërisht në një grykë, e cila që nga Mesjeta konsiderohet si grykë transitore për tregti dhe ndryshime. Aty jetohet nga pështjellimi, gjallëria, tregtia, jo nga prehja dhe idili. Banorët e grykave transitore e dinë këtë prej shekujsh.

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).