Lindje e dashurisë




Si lindi dashuria? Ishte vjeshtë.
E pjekur, bota
më s’të priste. Ti erdhe gazplotë,
lehtësisht bionde, mbi lartësinë e kohës duke rrëshqitur.
Dhe unë të vështrova. Sa e bukur
m’u duke ashtu buzëqeshur, e gjallë,
përpara hënës së mitur, ende të parritur në ndajnatë, pa dritë, por gjithë hir në ajrin e praruar, si ti që vije mbi kaltërsinë, pa puthje, por me dhëmbë të pastër, me padurim për dashuri!

Të vështrova. Pikëllimi
strukej larg, me petka të varura,
si një perëndim trashaluq që ujërat e veta i tërheq.
Një shi krejt i hollë (ç’i kaltër qielli!) ta njomte ballin e ri. I dashuruar qe, i dashuruar fati i dritës!
Aq të praruar të pashë, sa dielli
mezi guxonte të rrinte, të ndizej
për ty, nga ti, të të jepte përngaherë
zjarrmimin e tij të ndritshëm, valle e dhembshur diejsh që rreth teje vërtiteshin, o yll i ëmbëlth, që nginjet me rreze të lagështa, të fundta e që, pa gdhirë mirë, aurorat derdh.

Ishe ti, dashuri, dashuri e mbrame, dashuri fat, lindje e parafundit drejt vdekjeperëndimit.
Por jo. Ti u shfaqe. Zog, trup,
apo veç shpirt ishe? Ah, mishi yt i ndritshëm, puthje si dy flatra të ngrohta, si ajri që lëviz në një gjoks kur merr frymë, dhe unë të ndjeva fjalët, erëmimin dhe shpirtin e thellë: e kthjellët, ti hodhe spirancë! I depërtuar prej teje deri në palcën e dritës.
I trishtë u ndjeva, trishtim dashurie, se dashuria është e trishtë.
Në shpirt më lindte dita. Ajo buronte
prej teje. Shpirti yt qe tek unë.
Ndjeva thellë në gojë amzën e aurorës.
Sytë më dhanë të vërtetën e tyre të artë.
Ndjeva zogjtë të më pingëronin në ballë
duke ma shurdhuar zemrën. Nga brenda
pashë degët, lugjet e shndritshme, flatrat ndërkëmbyese dhe një trumë pendësh të ngjyrshme e dhuratash të ndezura m’i mori mendtë, ndërsa gjithë qenia ime mesditore, e forte, e çmendur, merrte zjarr duke u rritur dhe gjaku im zhurmshëm ziente prej dashurisë, prej dritës, prej plotërisë, prej shkumës.

Përktheu: Aurel Plasari