Lindja, Perëndimi dhe shpirtrat globalë

Një rrëfim për Elif Shafak, nëpërmjet ujit, lirisë dhe Stambollit.

Elif Shafak, shkrimtare turke.



«Ngjashmëritë tona jetojnë përtej tregimeve, ndoshta janë më shumë shpirtërore, sepse në çfarëdo forme, ato janë një dëshirë për t’i kapërcyer kufijtë e vetes, për t’i tejkaluar kategoritë ku jemi të vendosur, një lidhje me tjetrin deri atëherë kur shohim përmes syve të tij, dhe çka unë kam parë përmes syve të tjetrit është vetja ime».

Para pak ditësh, në kuadër të programit kulturor të organizatës Caravan, shkrimtarja e njohur turke Elif Shafak mbajti një prezantim në ambientet e kishës së njohur «St Martin-in-the-Fields» në Londër. Shafak njihet si novelistja dhe shkrimtarja më e lexuar në Turqi, një intelektuale e respektuar ndër vite, dhe një komentuese e çështjeve me rëndësi për lindjen dhe perëndimin. Ajo përzien traditat perëndimore të tregimit me ato të lindjes shpesh duke u nisur nga fëmijëria e saj. Përmes tregimeve që shkruan ajo, shumë zëra, si ato të grave, minoriteteve, dhe emigrantëve marrin forma të ndryshme përfaqësimi në artin e tregimeve dhe karaktereve të saj.

Duke sfiduar klishe e stereotipe të ndërtuara me shekuj, veprat e saj bazohen në kultura e qytete të ndryshme të cilat pasqyrojnë një interes të fortë për historinë, filozofinë, kulturën, misticizmin, dialogun ndërkulturor dhe barazinë gjinore. Në këtë mbrëmje të veçantë, nëpërmjet një kombinimi tregimesh, bisedash me organizatorët dhe një pjese interaktive me audiencën, Shafak foli për identitetin, diversitetin dhe politikën e sotme duke i ndërlidhur me përvojat e saj personale. Ndër të tjera, shkrimtarja u shpreh e brengosur për kahun që ka marrë Turqia dhe sfidat bashkëkohore të shoqërisë.

Politikat e identitetit

Definimin e identitetit Shafak e ndërlidhë me ujin. Uji është elementi kryesor, dhe njerëzit për të janë fluid dhe jo statik. Uji mbetet me rëndësi në kuptimet që ajo ndërton dhe simbol i rëndësishëm për shkrimet e saj, dhe kjo pikërisht vjen si kundërshtim i politikave të identitetit. «Unë jam shumë kritike ndaj politikave të identitetit, sidomos kur ato përcaktojnë kategori përjashtuese, statike, të qëndrueshme që përpiqen të na përulin, të na ngushtojnë. Është shumë kundër natyrës sonë, kundër elementit të ujit». Sipas saj, njerëzit nuk janë të kufizuar ndaj një përkatësie, përkundrazi, të gjithë përqafojnë përkatësi te shumëllojshme, dhe kjo është e shkëlqyer për njerëzimin, sepse si lidhja me vendin e lindjes e rritjes, është e mundshme të mbarten edhe përkatësi tjera. E ajo vetë thotë se nuk ka rrënjë, një qasje ndaj identitetit që, sipas saj, ndihmon të përkasim kudo dhe me çfarëdo. «Rrënjët e mia nuk janë domosdo të rrënjosura në tokë, jam e frymëzuar nga pema e tubave, që është përdorur shumë si metaforë në letërsinë osmane, dhe kjo duhet të jetë një pemë që rrënjët i rriten në ajër». Shumëllojshmëria është shumë e rëndësishme. Për vete Shafak thotë se është e lidhur me Ballkanin, Egjeun, Mesdheun, e plot elemente tjera vijnë nga Lindja e Mesme. Njëkohësisht ka zgjedhur të jetë europiane.

Edhe më interesant prezantimin e saj e bënte diversiteti i audiencës, e cila përbëhej nga llojlloj njerëzish të metropolit anglez, e dominohej nga lexues të saj mbi të gjitha. Intriguese dukej natyra e prezantimit se ajo sikur i fliste secilit prej tyre. «Këto identitete të shumëllojshme nuk janë patjetër në kundërshtim, jam e interesuar ne koeksiztencë, dhe dua ta shoh veten si një shpirt global dhe një qytetare globale, dhe sinqerisht them se ne të gjithë mund të jemi të tillë, sepse nëse i përmbahemi një kategorie, ka shumë më shumë gjasa të përplasemi me njëri-tjetrin».

Historia në bërje

Bota ka hyrë në një periudhë të historisë ku shoqëritë po u ridrejtohen fiseve. Në fise njerëzit ndjehen më të sigurt, e përmes kësaj sigurie shkohet drejt një identiteti të njëtrajtshëm, por tërë kjo për autoren është një iluzion. Prandaj në shumicën e tregimeve të saj ajo ndërlidhë konceptin e diversitetit me kosmopolitizmin, gjë që shumë njerëz e shohin si klishe, por ajo beson se vet lidhja me vendin e saj Turqinë e bën të kapet me këto dy koncepte. «Turqia e ka humbur diversitetin e saj në masë të madhe, dhe kjo humbje është disfatë për Turqinë». Por përveç ngjarjeve në Turqi, ajo reflektoi edhe rreth fenomeneve në rritje, siç janë nacionalizmi dhe partitë populiste të cilat po e dëshmojnë fuqinë e tyre përtej anës politike.

Lidhjet

Një nga elaborimet më të rëndësishme në shpjegimet e Elif Shafak është lidhja mes njerëzve, shpirtrave. Sot njerëzit janë të ndërlidhur më shumë se kurrë më parë. Lumturia e dikujt në Pakistan ndikon në jetën e tjetrit në Kanada. Kështu i pëlqen asaj të mendojë për lidhjet. «Ngjashmëritë tona jetojnë përtej tregimeve, ndoshta janë më shumë shpirtërore, sepse në çfarëdo forme, ato janë një dëshirë për t’i kapërcyer kufijtë e vetes, për t’i tejkaluar kategoritë ku jemi të vendosur, një lidhje me tjetrin deri atëherë kur shohim përmes syve të tij, dhe çka unë kam parë përmes syve të tjetrit është vetja ime».

Feminizmi

Autorja është shumë e lidhur me Stambollin, dhe Stambollin e sheh si një qytet grua, me plot femininitet. Më shumë se termin feminizëm, Shafak preferon atë të sisterhood/motërsi. Kjo sepse duke parë dallime të mëdha mes grave lindje-perëndim, e bën të mendojë për diçka më shumë se feminizmi. Këtë mungesë motërsie ajo e sheh veçanërisht në vende si Turqia, ku polarizimi politik është shumë i ndryshëm dhe gratë janë gjerësisht të ndara, ndaj e vetmja gjë që vazhdimisht ka përfituar dhe vazhdon të përfitojë nga kjo është patriarkia. «Autoriteti që kam parë te një nënë perëndimore, të arsimuar, të pavarur, urbane, moderne, sekulare, krahas ndërtimit të gjyshes sime lindore, tradicionale, shpirtërore, supersticioze, irracionale, është diçka që s’eksizton në shoqëritë lindore, sepse gratë janë gjerësisht të ndara».