Linda Morina është metafora e shoqërisë kosovare

Ajo shpreh ndrydhjen. Porse e metaforizuar ajo shpreh estradën, politikën dhe etikën, partitë politike dhe qeverinë, presidentin, institucionet arsimore e shkencore të të gjitha niveleve, moralin e dyfishtë, intencën për lumturi, hapjen shizofrene të shoqërisë neoliberale. Metaforizimi i sëmundjes dhe kontekstualizimi i saj me gjendjen në shoqëri e ka stigmatizuar kështu viktimën, qytetarin. Linda Morina është një viktimë.

Një shoqe virtuale e Linda Morinës? Ilustrimi: Shutterstock



Linda Morina është VETJA jonë e defiguruar nga VETJA jonë, në kohë shterpësie e boshllëku, për t’u ndier më komod. Kur e shohim dhe e dëgjojmë Linda M., ne ndihemi se jemi «ok», normal, por në thelb ajo është vetëm manifestim transaparent i sëmundjes, vdirjes, zvetënmit dhe akulturimit tonë.

Ne kërkojmë vetjet tona të sëmura sepse ato zbulojnë deskriptin e historive personale dhe egove, percepcioneve të botës perifere me gjuhë trivialiteti, që thjeshtë neve na e bëjnë jetën të durueshme, duke na e krijuar idenë se jemi mirë dhe normalë.

Porse Alberto Moravia thoshte se njerëzit normal s’janë të mirë: «… se normaliteti paguhet gjithnjë, me vetëdije apo jo, me çmim të lartë, me bashkëfajësi të ndryshme, po të tëra negative, me pandjeshmëri, budallallëk, poshtërsi, në mos kriminalitet». Po e jetojmë frikën nga një akulturim, (akulturimi si sëmundje, sipas Susan Sontag), frikën nga pamundësia, nga një vdirje e gjuhës, etikës dhe estetikës, po e jetojmë, pra, frikën.

Në librin briliant «Sëmundja si metaforë» shkrimtarja dhe eseistja Susan Sontag mendon se pushteti e kthen sëmundjen në metaforë, që qytetarëve t’u duket vetja se janë normnalë, se çdo gjë është «ok» dhe se ka vend madje edhe për lumturi e festa.

Njeriu është qenie e papërkryer, e pabërë, pra ende jonjeri, prandaj ka nevojë edhe për vizllima festash e besim se Babadimri ka me ardhë e me e gëzue me dhurata, si ndërrim për të drejtën për lumturi ose intencën për dëshirim ekonomik ose lirinë ekonomike.

Ne të gjithë jemi neurotikë: të trentë, pas diçkahit apo për diçka, siç ishin Giordano Bruno, Nicolaus Copernicus, Mozzart, Nietzsche, Einstein etj. Ne të gjithë jemi të çmendur dhe normalë, vetëm vendet në shoqëri dhe kontekstet psikosociale janë të ndryshme – sepse brenda egos ekzistojnë superego, alterego dhe ego të tjera të fshehura në palcë të shpirtit, me tendenca separate, që copëzohen (çahen, një e çarë në tru), që duan të pavarësohen, të bëjnë një «udhëtim psikik», ta shijojnë një vegim të parajsës, pra duke ia kaluar çështjen konfliktit të përhershëm midis të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmës.

Ekziston një fjalë që është esenciale për teorinë e Sigmund Freudit, kjo fjalë është «ndrydhja» dhe mbi këtë fjalë ngrihet tërë godina e psikanalizës. Shikuar nga perspektiva më e re freudiste, qeniesimi i shoqërisë është ndrydhja e individit, ndërkaq qeniesimi i individit është ndrydhja e vetvetes. Teoritikisht më të rëndësishmet janë ëndrrat. «Ëndrra vetë për vete është simptom neurotik. Sipas kësaj, ne të gjithë jemi neurotikë. Nëse asgjë tjetër ëndrat tregojnë se dallimi midis neurozës dhe shëndetit vlenë vetëm ditën» – thotë Norman O. Brown. Freudi thotë se «njeriu është kafshë që e ndrydh vetveten dhe që krijon kulturën dhe shoqërinë që ta ndrydh vetveten.»

«Historia, ky është ankthi nga i cili dua të zgjohem» , shkruante James Joyc, ndërkaq Nietzsche e shihte botën të ishte një çmendinë, tepër gjatë. Njerëzimi sot ende vazhdon të krijojë historinë dhe ndërkohë nuk ka ndonjë ide të qartë mbi atë se çfarë në të vërtet dëshiron, cila është mësymja normale e tij dhe nën çfarë kushtesh do të pushonte të jetë i palumtur – duket qartë se ajo që e bën në të vërtetë akoma më shumë e bën të palumtur.
Mishërim i kësaj historie është padyshim Kim Kardashian. Supergruaja që nuk ka profesion. Që nuk ka kontekst, që nuk bën gjë dhe «çmend botën normale». Shoqëria postindustrialiste është katandisur në një apati dhe vetmi. Çmenduria, jo tuberkulozi siç e kundronte Sontag, është bërë tani përçuesja e mitit shekullor të tejkalimit të vetvetes.

Dhe një vajzë province duke qenë nxënëse e zellshme e shkollës mediatike kosovare trushpërlarëse, e quajtur Linda Morina, më mirë se askush tjetër ka përçuar në publik idenë se çfarë nuk duam të jemi e në realitet jemi. Të hallakatur, të çakërdisur, të zhytur në kiç. Linda ka parë idhujt e saj shumë përpara se të bëhej vetë idhull, ka parë se mbi sutjenat me shqiponjën dykrerëshe kanë efekt, kryejnë punë. Kështu nacionalizmi, siç thoshte Danilo Kish, merr përmasa të kiçit.

Kuptimi më i përhapur për metaforen është ai i Aristotelit që do të thotë «t’i japësh diçkaje një emër që i përket diçkaje tjetër». Në këtë kontekst për të çmendurin, institucionet zyrtare kanë emërtimin «njeri me çregullime psikike», ndërsa për çmendinën, ent për shërimin e njerëzve me të meta mentale. Emërtimi popullor është «shtëpia e të trentëve», ndërkaq për të çmendurin thuhet rëndom: «i trentë», porse në kuptimin familjar, ky emërtim zbutet, pra sëmundja metaforizohet për ta fshehur të vërtetën, duke thënë «po i dhemb kryet diçka».
Në botën postmoderne, si të rrëfyemit në kishë, njeriu është në kërkim, nga zbulesa e vetës, uni i lirë, pa autocensurë.

Dhe pikërisht vajza me emrin Linda tek qeshemi ose iritohemi me të (varësisht nga konteksti psikosocial), ajo është duke luftuar të çlirohet nga shtangimi si vulë e kësaj shoqërie, mësynë zbulesën e vetes, që e di se duhet bërë diçka me veten dhe lirinë e saj, porse duke qenë peng e një shoqërie arkaike, nuk e di se çfarë është ajo që duhet bërë dhe kapërdiset në darët mediatike të disa skizofrenëve që zyrtarisht u është dhënë e drejta ta manifestojnë vetën e sëmurë në transparencën e tjetrit të viktimizuar, siç bëri Ermal Mamaqi në emisionin e tij «Xing – Xing».

Përderisa Susanna Tamaro, shkrimtarja italiane e bestsellerëve, shfaq bindjen se pornoja sot shikohet aq shumë dhe merret si zëvendësim për muzikën «Rock ’n‘ Roll», jam i mendjes se janë pikërisht rrjetet sociale sot ato që e zëvendësojnë pornon, shpesh në Facebook është hallakamë, si në një disko të madhe, mirëpo rrjetet sociale zëvendësojnë pos pornos edhe arenën (e gladiatorëve?), sepse aty njeriu ndjen se po e humb peshën e trupit, gravitetin, si në një kohë të përjetshme.

Armiku i vërtetë i njeriut është paraardhësi i tij shtazor, që në ballafaqim më të njeriu-gjuetar, pas secilës përleshje, «rizgjohet» me shumë veti të bishës dhe kur e mund atë, ai ngjitet mbi pirgun e kufomave nga të dy taborret dhe ngërdheshet, vjen e bëhet i pushtetshëm dhe vështirë i mposhtshëm, është vetë bishë që thellë në vetvete ka diçka të egër.

Por ka dhe veti djallëzore, zjarrin. Atë zjarr që e shfaq tek kënaqet në tregimet e pështira që i trillon për tjetrin, zjarr me të cilin mëton poshtërimin e tjetrit/tjetrës, lëndimin shpirtëror të tij, duke e parë tjetrin pavetëdijshëm në vetveten, në errësirën prej bishe në zgavër të shpirtit vetjak.

Mamaqi dhe të dyja shoqëritë tona (në Shqipëri dhe Kosovë) kemi mëtuar ta poshtërojmë Lindën (zatën për këtë e nxorëm nga shtëpia idilike në fshat dhe e sollëm në studiot televizive) pa qenë koshient se ne jemi të poshtëruarit. Metafora shpreh mënyrën sesi sëmundje shumë të frikshme shikohen si «tjetri», i huaji, siç është armiku në një luftë moderne, e kalimi nga demonizimi i sëmundjes te fajësimi i të sëmurit është i pashmangshëm, pavarësisht a shikohen të sëmurit si viktima. Linda është viktimë e kësaj shoqërie, sepse është prodhim i saj – i shkollës, medias, politikës, estradizmit. Viktimat nënkuptojnë pafajësi. E pafajësia, nga logjika e pamëshirshme që sundon të gjithë termat e mardhënieve, të çon mendjen te faji.