Ligji për media – për pushtetarët apo për gazetarët?

Më mirë do të ishte sikur shoqata e gazetarëve të jetë ajo që e propozon ligjin për media e jo pushteti, qoftë për të ngritur përgjegjësinë e mediave - gjë që është në dobi të tyre dhe të tërë shoqërisë -, por më shumë për disa të drejta, të cilat i gëzojnë gazetarët falë ligjeve të tilla, e të cilat në praktikën tonë janë harruar apo janë të panjohura fare.

Ilustrimi: Shutterstock



Paralajmërohet me bujë, vazhdon me ndonjë ekskursion e ndonjë debat, rëndom në ndonjë pushimore dhe përfundon – në rast se nuk janë të përfshirë në ndonjë mënyrë edhe ndërkombëtarët – me përkthimin e ndonjë ligji të rajonit (me të gjitha honorarët e mundshëm) dhe atë duke e gjymtuar në finale, me motivin se «disa gjëra nuk bëjnë për mjedisin tonë». Kështu, pak a shumë, thënë me atë humorin në të cilin gjysma është e vërtetë – është rruga e rëndomtë e inicimit, e hartimit dhe miratimit të ligjeve në Kosovë.

Deputeti Nait Hasani Hasani tashmë e ka vënë veten në këtë gjysmën e të vërtetës në mahinë e fillimit. Si kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ai ka propozuar një ligj për mediat. Sigurisht, si të gjithë zyrtarët kosovarë, edhe ai e ka siklet të ulet e të shkruajë, kështu që, në vend se të arsyetojë me shkrim pse ka nevojë e si e do këtë ligj, ai këtë e bëri gojarisht, së pari në Komisionin të cilin e kryeson, e pastaj edhe në medie. Oh po, edhe ekskursioni (më falni – vizita e punës!) aty është – si e tha vetë – paska shkuar deri në Romë (dhe për këtë sigurisht pret se duhet të mbesim të mahnitur), për të parë përvojat e atjeshme në këtë fushë. Është pak e habitshme që në kohë të sotme, kur nga interneti mund të gjesh më lehtë e më mirë shembuj nga më shumë vende, të marrësh një rrugë të tillë të largët, madje që në fillim të hulumtimit. Për shembull, me pak klikime në internet, mund të shihet se Rai Uno, krahas shumë dokumenteve tjera, Kodin e Etikës e ka në faqen e tij në internet dhe jo vetëm italisht, por edhe në anglisht. Dhe, e fundit, nuk u desh shumë për ta parë se ku e ka hallin më së shumti Nait Hasanit – po ia quajnë kolegët kriminelë në media! E çka kur ata i vënë njëri-tjetrit etiketa të ngjashme?

Ligji është i nevojshëm

Pushtetarët, sikur të donin vërtet të bëjnë ndryshime në këtë vend, së pari do të duhej të angazhohen që t’i kthehet integriteti sistemit të drejtësisë, pa të cilin sigurisht se gjithçka e humb vlerën në këtë vend, ndërsa kritika e mediave shndërrohet në rrahje të ujit në havan. Pastaj, kur e nis hartimin e një ligji me një fokusim të tillë, ekziston droja që ai të mos i mbulojë mirë të gjitha aspektet e veprimtarisë dhe të jetë vështirë i zbatueshëm.

Por, një ligj për media gjithsesi është i nevojshëm. Madje, edhe më mirë do të ishte sikur shoqata e gazetarëve të jetë ajo që e propozon ligjin për media e jo pushteti, qoftë për të ngritur përgjegjësinë e mediave – gjë që është në dobi të tyre dhe të tërë shoqërisë -, por edhe më shumë për disa të drejta, të cilat i gëzojnë gazetarët falë ligjeve të tilla, e të cilat në praktikën tonë janë harruar apo janë të panjohura fare. Sigurisht, në çdo ligj për media insistohet për ruajtjen e dinjitetit të njeriut, që të mos ketë gjuhë të urrejtjes, fyerje e shpifje. Por, po ashtu është e papranueshme që të ketë portale pa asnjë adresë, pa impresum, që do të thotë pa asnjë person të identifikuar për të marrë përgjegjësinë për informatat e publikuara. Kjo e dëmton më së shumti vetë profesionin e gazetarisë, për shkak se në këtë mënyrë është degraduar profesionalizmi dhe etika gazetareske, ndërsa gazetarëve u dëmtohet prestigji i zejes dhe pozita materiale.

Gjithsesi, për t’iu shmangur rrezikut të krijimit të mundësive për censurë, ligji duhet të jetë i harmonizuar me konventat dhe standardet evropiane. Nga pronarët e redaktorët e portaleve në internet dhe të mediave tjera, prandaj, duhet të kërkojë vetëm një gjë – të jenë të regjistruar në regjistrin e mediave publike në ndonjë institucion (Kroacia, p.sh. këtë e bën në Odën e atjeshme Ekonomike).

Por, ligjet e mira të këtilla janë në të mirë të vetë gazetarëve dhe të punës së tyre. Pa pasur tendencë për t’i përfshirë tërë kompleksitetin e fushës të cilën e mbulon një ligj i tillë, ja disa aspekte, të cilat e fuqizojnë rolin e gazetarëve dhe pozitën e tyre në media.

Në to rregullohet, për shembull, se marrëdhëniet ndërmjet botuesit, kryeredaktorit dhe gazetarëve dhe të drejtat e obligimet e tyre të ndërsjella përcaktohen me statutet e mediave. Me statutin e medias, si akt vetërregullues, përcaktohet mënyra e pjesëmarrjes së gazetarëve në procesin e emërimit dhe shkarkimit të kryeredaktorit (te ne rëndom e cakton pronari!), liria e punës dhe përgjegjësia e gazetarëve.

Fuqizim i gazetarisë

Statutin e medias e hartojnë botuesi dhe përfaqësuesi i gazetarëve me pajtimin paraprak të shumicës së numrit të përgjithshëm të medias. Gazetarët e zgjedhin përfaqësuesin e tyre me shumicë votash. Botuesi është o obliguar që me secilin person, prej të cilit porosit ndonjë krijim gazetaresk, më parë të lidhë kontratë në harmoni me rregullat e statusit të medias. Gazetari ka të drejtë të shprehë qëndrimet mbi të gjitha ngjarjet, dukuritë, personat e lëmenjtë, përkatësisht veprimtaritë. Gazetarit nuk guxon t’i ndërpritet kontrata e punës, t’i zvogëlohet paga apo t’i ndryshohet pozita në redaksi, përkatësisht t’i zvogëlohet apo t’i ndërpritet kompensimi i kontraktua apo një pjesë e tij për shkak të qëndrimeve të paraqitura.

Gazetari ka të drejtë të ka të drejtë të refuzojë të përgatisë, të shkruajë apo të marrë pjesë në formësimin e një krijimi gazetaresk, përmbajtja e të cilit është në kundërshtim me rregullat e profesionit të gazetarisë dhe ato etike, me çka me shkrim i bëhet e ditur kryeredaktorit. Sigurisht, as për këtë veprim, nëse pas procedurës së përcaktuar konstatohet se ka pasur të drejtë, gazetari nuk guxon të dëmtohet nga aspekti i pagesës e as i pozitës në redaksi.

Përmbajtja programore, në të cilën kuptimi është ndryshuar gjatë përpunimit redaktorial, nuk guxon të publikohet me emrin e autorit pa pëlqimin e tij. Në qoftë se në një rast të tillë është dëmtuar prestigji i autorit, autori mund të kërkojë dëmshpërblim.

Gazetari nuk është i detyruar t’i bëjë publike të dhënat mbi burimin e informatës së botuar apo të informatës të cilën e ka ndërmend ta publikojë. Kjo ka të bëjë edhe me kryeredaktorin, redaktorin dhe autorët e krijimeve të publikuara, të cilët nuk janë gazetarë. Në rast se me statut është e rregulluar që kryeredaktori të njoftohet për burimin anonim, atëherë ai e merr përgjegjësinë për  ruajtjen e tij. Sigurisht, ka raste kur gjyqi mund të kërkojë zbulimin e burimit anonim, por edhe kjo është e rregulluar me ligj.

Çështja e bërjes transparente të pronësisë mbi median dhe aksionarët e saj po ashtu do të vinte rend në konkurrencën ndërmjet mediave, e sidomos njoftimi për afarizmin – raportin financiar, të cilin duhet të publikohet çdo vit. Raporti financiar, sipas rregullit, përmban të dhënat mbi të ardhurat dhe pjesëmarrjen në treg të cilën e kanë realizuar në tregun e reklamës si edhe të dhënat mbi reklamuesit apo agjencitë e marketingut, për shembull me të cilat janë realizuar mbi 10 për qind të të ardhurave nga marketingu i botuesve. Raporti duhet të përmbajë edhe tirazhin mesatar të shitur, përkatësisht shikueshmërinë, dëgjueshmërinë, apo klikimet në rastin e mediave në internet.

Ka rregulla edhe për kufizimin e krijimit të pozitës monopoliste në treg si edhe për shpërndarësit e shtypit, në mënyrë që të mos e favorizojnë apo diskriminojnë ndonjë medie. Edhe shumëçka tjetër. E, sa për hallin e deputetit Hasani – që në gazeta të mos publikohen etiketimet nga Parlamenti – nuk ka ilaç. Mediat nuk janë përgjegjëse për transmetimin e atyre që thuhen në Parlament apo në një seancë gjyqi, me kusht që të jenë transmetuar në mënyrë të saktë!