Ligji për duhanin nuk respektohet

Ka tre vjet që është në fuqi ligji për kontrollin e duhanit, por deri tani nuk është se ka gjetur plotësisht zbatim. Organizata Botërore e Shëndetësisë ngre shqetësim edhe për pasojat që duhani ka në shëndetin e njeriut, raporton KTV.




E për të parandaluar të këqijat që duhani sjell, Kosova po planifikon që të fillojë përdorimin e pakove të standardizuara të duhanit, që parashihen të jenë pa logo, dhe me një paketim një-ngjyrëshe e standard për të gjitha llojet.

Në Ditën Botërore të Duhanit, ministri i Shëndetësisë ka thënë se tashmë është finalizuar udhëzimi për këto pako. Ndërsa zyrtarë nga organizata KADC kanë paraqitur disa fotografi, modele, siç do të dukeshin paketimet e standardizuara, të cilat, sipas tyre, reduktojnë atraktivitetin e paketimit të duhanit.

Ligji i duhanit në masë të madhe nuk është respektuar as nga vetë institucionet. Ditë më parë ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pranuar se nuk e respekton këtë ligj, por ka thënë se atë do ta respektojë vetëm kur nis respektimi i të gjitha ligjeve. Sipas të dhënave të OSHB-së, duhani vret brenda çdo viti rreth 5 milionë njerëz në botë dhe vazhdon të jetë një ndër shkaktarët kryesorë të shumë sëmundjeve.