Ligji boshnjak që ndëshkon mohimin e gjenocidit zemëron serbët

Ndryshimet e propozuara në kodin penal të Bosnjës dhe Hercegovinës për ta bërë mohimin e gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit të dënueshëm me dënim me burg, kanë shkaktuar reagime të zemëruara nga serbët e Bosnjës.

Varret e masakarës së Srebrenicës. Foto: Shutterstock.



Të mërkurën pati reagime të zemëruara nga serbët e Bosnjës – të cilët nuk besojnë se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid – pasi Këshilli i Ministrave i shtetit ra dakord mbi amendamentet e propozuara të ligjit që do të penalizojë mohimin e gjenocidit.

Ministri boshnjak i drejtësisë Josip Grubesha, tha se projektligji parashikon «pesë deri në dhjetë vjet burg për miratim publik, mohim apo minimizim të krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës, siç është vendosur nga një vendim përfundimtar i një gjykate ndërkombëtare apo vendase».

Edhe pse ministrat nga Republikës Srpska në Këshillin e Ministrave të shtetit votuan për ndryshimet, autoritetet dhe të tjerë në entitet thanë se kjo ishte një përpjekje për të stigmatizuar serbët.

«Kjo është një tjetër përpjekje për të rishkruar historinë, për të rrëzuar Republikën Srpska dhe për ta portretizuar atë si një krijim gjenocidi», tha për BIRN-in Milorad Kojiq, kreu i Qendrës për Hulumtim të Luftës dhe Krimeve të Luftës dhe Gjurmimin e Personave të Zhdukur të Republikës Srpska.

Ai tha se kjo ishte gjithashtu një përpjekje për «t’i mbyllur gojën kujtdo që përpiqet të vërtetojë atë që ndodhi në luftën e kaluar, duke përdorur fakte dhe argumente ligjore».

«Qëllimi është të verifikojë gjykimet dhe gjyqet e manipuluara nga Gjykata e Hagës dhe institucionet gjyqësore të Bosnje dhe Hercegovinë», shtoi Kojiq.

Në vitin 2004, në rastin kundër ish-gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Radislav Krstiq, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë vendosi se vrasjet masive të boshnjakëve në vitin 1995 në Srebrenicë nga forcat serbe përbënin gjenocid.

Ky vendim u vërtetua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë dhe Malit të Zi.

Ministri i Drejtësisë i Republikës Srpska, Anton Kasipoviq, u ankua se Këshilli i Ministrave i shpërfilli sugjerimet e ministrisë së tij kur ajo përcaktoi ndryshimet në kodin penal.

«Për mendimin tim, jo mjaftueshëm vëmendje i është kushtuar asaj që kemi kundërshtuar ne nga Republika Srpska», tha Kasipoviq për mediat të martën.

Ministria e Drejtësisë e Republikës Srpska u shpreh se mohimi i një gjenocidi, krimesh lufte dhe krimesh kundër njerëzimit konsiderohet vepër penale vetëm nëse mënyra e shprehjes së mohimit realizohet duke bërë thirrje për dhunë apo urrejtje ndaj një grupi të caktuar – dhe duke qenë se thirrja për dhunë është një vepër penale, është nën kompetencën ekskluzive të entiteteve të vendit, nuk mund të jetë subjekt i një padie në kodin penal shtetëror.

Por sipas ministrave të Republikës Srpska dhe Këshillit të Ministrave, sugjerimet e entitetit me shumicë serbe dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, mbikëqyrësi gjyqësor i vendit, u pranuan gjatë përcaktimit të projektligjit.

«Ne këmbëngulëm për këtë dhe unë pranova të votoja vetëm pasi ata pranuan vërejtjet», tha për BIRN-in Ministri i Sigurimit i Bosnjës Dragan Mektiq.

Por Ministri i Tregtisë dhe Marrëdhënieve Ekonomike Mirko Sharoviq tha për mediat të mërkurën se Këshilli i Ministrave miratoi vetëm tekstin e amendamenteve të kodit penal «në parim» dhe se ministrat e Republikës Srpska në Këshill do ta pranojnë tekstin përfundimtar «vetëm nëse kundërshtimet e tyre pranohen».

Situata e paqartë nxiti një tjetër konflikt midis partive politike në Republikën Srpska. Koalicioni qeverisës në entitet, i cili është pjesë e opozitës në nivel shtetëror, ka akuzuar Sharoviqin, Mektiqin dhe anëtarë të tjerë të partive politike të serbëve të Bosnjës që janë pjesë e koalicionit qeverisës në nivel shtetëror se kanë tradhtuar interesat kombëtare.

Amendamentet do të hyjnë në fuqi vetëm nëse marrin mbështetjen e të dy dhomave të parlamentit boshnjak dhe koalicioni qeverisës në Republikën Srpska, i udhëhequr nga Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur, ka vetëm mjaftueshëm vota në një nga dhomat, Dhoma e Popujve, për të bllokuar ndryshimet.

«Në Srebrenicë nuk pati gjenocid»

Të mërkurën shumë pak njerëz në Banja Llukë, qytetin kryesor të Republikës Srpska, donin t’i përgjigjeshin pyetjeve të BIRN-it në lidhje me çështjen e gjenocidit në Srebrenicë dhe ata që pranuan më së shumti ishin dakord me qëndrimin zyrtare të autoriteteve të entitetit.

«Nuk besoj se në Srebrenicë pati gjenocid. Kjo ishte një gënjeshtër. Një krim i tmerrshëm, po, por jo gjenocid. Dhe jam i sigurt se nuk u vranë 8,000 njerëz. Unë besoj se numri është shumë më i vogël», tha Dragani, 25 vjeç.

«Në Srebrenicë nuk pati gjenocid. Ky ishte një produkt i propagandës së boshnjakëve me ndihmën e aleatëve të tyre nga Perëndimi», u shpreh Vukashini, 72 vjeç, një punëtor i dalë në pension.

«Është turp që ne serbët e Bosnjës do të mbajmë barrën e njerëzve që dyshohet se kanë kryer gjenocidin që nuk ndodhi. Ne duhet të luftojmë kundër këtyre gënjeshtrave dhe akuzave», tha Sanja, një studente 21 vjeçare.

Srgjan Puhalo, një analist politik nga Banja Lluka, tha për BIRN-in se përgjigjja nga qeveria e Republikës Srpska për projektligjin duhej pritur.

«Ne kemi mohim sistematik të vendimeve të Hagës nga autoritetet në Republikën Srpska. Është vënë në diskutim i gjithë legjitimiteti i Gjykatës së Hagës. Kjo është një politikë etnike për të shmangur ballafaqimin me të kaluarën», tha Puhalo.

«Autoritetet në Republikën Srpska e çmojnë pikëpamjen mbizotëruese në entitetin serb të Bosnjës se në Srebrenicë nuk ndodhi gjenocid. Këto ndryshime në ligj përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj një politike të tillë,” shtoi ai.

(https://www.reporter.al/ligji-boshnjak-qe-ndeshkon-mohimin-e-gjenocidit-zemeron-serbet/)