Ligjet për fushatën elektorale nxisin frikë për të drejtat politike

Një taskforcë e re është ngritur për të siguruar se burimet shtetërore dhe nëpunësit nuk do të përfshihen në fushatë, por disa thonë se kjo rrezikon lirinë politike të çdo njeriu.

Lulzim Basha dhe Edi Rama



Mirela, (ky nuk është emri i saj i vërtetë), ka qenë një mësuese gjimnazi në Tiranë prej 22 vitesh.

Ajo thotë se fushata e këtij viti për zgjedhjet e përgjithshme është ndryshe nga ato të viteve të mëparshme. Në këtë kohë, ajo thotë se nuk është detyruar të shkojë në miting për partitë në qeveri.

«Jemi disi të qetë këtë vit, askush s’po na ushtron presion të votojmë për partinë në pushtet apo të marrim pjesë në mitingjet e tyre», tha ajo për BIRN-in.

Rreth 63,000 mësues në shkollë fillore dhe gjimnaz, ashtu si Mirela pritet të përfitojnë nga shtimi i mbrojtjes nga presioni politik përpara zgjedhjeve të 25 qershorit, teksa një taskforcë e re është krijuar për të parandaluar abuzimin me burimet dhe stafin shtetëror.

Për herë të parë, aktiviteti i nëpunësve të shtetit – përfshirë mësues, personel shëndetësor, policë, ushtri, shërbimi sekret dhe punonjës të administratës publike qendrore – po monitorohen nga grupe pune të caktuara nga taskforca.

Kandidatët për deputetë do të jenë subjekt i të njëjtave masa, ashtu si drejtorët e institucioneve dhe agjencive publike, disa prej të cilëve janë akuzuar në të shkuarën për përdorim të ndikimit të tyre te punonjësit që t’i shërbejnë nevojave të partive të tyre.

Masat janë rezultat i një marrëveshje të arritur më 18 maj mes kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha, mbi monitorimin e burimeve publike, përfshirë stafin.

Ngërçi politik

Marrëveshja i dha fund një ngërçi tre-mujor gjatë të cilit partitë opozitare – drejtuar nga demokratët – bojkotuan parlamentin dhe refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Synimi është të sigurohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që punonjësit e sektorit publik të mos kenë presion mbi votën apo pjesëmarrjen e mitingjeve të partive të caktuara nga frika se do të përballen me hakmarrje në vendin e punës.

Taskforca kryesohet nga zv.kryeministrja teknike Ledina Mandija – caktuar nga Partia Demokratike. Ka disa ministra mbështetës dhe krerë agjencie, përfshirë anëtarë aktualë të kabinetit dhe disa ministra teknikë nga partitë opozitare.

Ata që mbajnë postet do të monitorojnë disa departamente dhe agjenci shtetërore, përfshirë departamentet e shëndetësisë, arsimit, mirëqenies dhe rinisë, financës, drejtësisë dhe ministrisë së brendshme.

Krijimi i taskforcës u miratua nga Këshilli i Ministrave më 2 qershor, i cili do të japë detaje për kufizimin e nëpunësve të administratës publike në fushatën elektorale.

Vetëm disa ditë pas krijimit të taskforcës, dhjetëra zyrtarë janë shkarkuar nga pozicionet e tyre ose i janë dërguar prokurorisë nga Mandija, akuzuar për abuzim me pozicionet për mbështetje të partive politike.

Lideri i PD-së, Basha gjatë një dalje televizive në Opinion të hënën vlerësoi punën e taskforcës dhe ministrave teknikë.

«Mandati i tyre po funksionon. Ka 25 zyrtarë të lartë dhe të mesëm që janë hequr ose referuar në prokurori për praktikë të paligjshme fushate elektorale», tha ai.

Megjithatë disa përfaqësues të partive politike kanë shprehur zemërim për heqjen e zyrtarëve të lartë pasi janë akuzuar për shkelje të ligjeve të reja.

Anëtarë të hequr nga partia LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, e ka ndarë pushtetin me Partinë Socialiste të Ramës për katër vitet e fundit. Ajo dënoi me forcë rastet kur mbështetësit e tyre janë hequr apo i janë dërguar prokurorisë, duke theksuar se shumica ishin anëtarë të LSI-së.

Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili publikoi të hënën një letër ku kritikoi ligjet e reja elektorale si të zbatuara në mënyrë të padrejtë dhe të zbatuara pa diskutim me anëtarët e kabinetit nga LSI.

«Ky vendim nuk përputhet me legjislacionin që rregullon zgjedhjet në Shqipëri dhe me liritë dhe të drejtat e njeriut», shkruhej në letër.

Skënder Minxhozi, kryeredaktor i portalit Java News, i tha BIRN-it se ndërsa shumë punonjës shteti, përfshirë mësuesen Mirela mund të jenë të çliruar nga presioni politik, ka probleme të mundshme serioze te ligjet e reja dhe taskforca.

Ai beson se vendimet e taskforcës mund të konsiderohen të diskutueshme nga shumëkush dhe të hapet një debat.

«Është vërtet e rëndësishme të kemi vendimmarrje shumë delikate, pasi të kemi parë çdo provë. Situata është bërë vërtet komplekse me njerëzit që nuk lejohen të bëjnë fushatë brenda orareve të punës, por mund ta bëjnë atë pas pune», tha ai.

Përveç kësaj, Minxhozi beson se krijimi i taskforcës mund të kufizojë në mënyrë të panevojshme që punonjësit e shtetit të ushtrojnë të drejtat e tyre politike dhe të mbështesin parti – edhe brenda ligjeve aktuale.

Ai gjithashtu është i shqetësuar se ligjet dhe taskforca janë dakordësuar me ngut si një lëshim ndaj opozitës, thjesht për të siguruar vazhdimin e zgjedhjeve.

«Nëse duam të rregullojmë punët gjatë fushatës së zgjedhjeve duhet ta bëjmë me legjislacion të saktë dhe jo me një taskforcë që është krijuar për t’i dhënë fund një ngërçi politik», përfundoi ai.

(https://www.reporter.al/ligjet-per-fushaten-elektorale-nxisin-frike-per-te-drejtat-politike/)