Lidhja Demokratike e Krimit të Organizuar

Dënimi i ish-inspektorëve të komunës së Prishtinës është edhe një dëshmi se LDK nuk dëshiron as të reformohet, as të qeverisë mirë. Në të vërtetë LDK po kalbet si parti e pareformueshme për shkak të dominimit të figurave politikisht të harxhuara, por të cilat ende kanë energji për të vjedhur. Të tillët aktualisht po fërkojnë duart për të marrë kreun e partisë.



Para disa vitesh një politikan lokal i LDK-së, pas lidhjes së koalicionit me PDK-në në nivel qendror, kishte thënë se bëhej fjalë për një koalicion «Guns N’ Roses». Nuk duhej shumë fantazi për të kuptuar se në këtë konstelacion partia e armëve ishte PDK, ndërsa ajo e trëndafilave LDK. Në këtë rrëfim PDK ishte një parti anarkiste që vringëllon me armë, ndërsa LDK një parti institucionaliste.

Ky rrëfim prej vitesh është i pavërtetë, por LDK është përpjekur ta përhapë atë sa më shumë dhe shpesh nuk e ka pasur vështirë ta bëjë këtë përballë plaçkitjes së organizuar të Kosovës që dyshohet se e kanë bërë deri më tani PDK e Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe AAK e Ramush Haradinajt. LDK vazhdimisht i është referuar njëfarë fryme rugoviane për të dëshmuar gjoja aftësinë për t’u marrë me punë të shtetit.

Të premten, kur gjyqtari Beqir Kalludra po lexonte aktgjykimin kundër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, shumica anëtarë të LDK-së apo të afërt me këtë parti, qytetari i Kosovës nuk e kishte përshtypjen se LDK është parti e trëndafilave, e paqes, e qeverisjes me duar të pastra. Pasi tregoi se sa vite burg do të vuajnë hajdutët e LDK-së, Kalludra numëroi revolet që do të konfiskoheshin, pastaj një pushkë, municion, vetura, banesa. Disa armë ishin prodhim i «Cërvena Zastavës» së Kragujevcit të Serbisë. Ky aktgjykim është një vulë turpi edhe mbi qeverisjen e Isa Mustafës në komunën e Prishtinës. Sipas gjykatësit të dënuarit kanë vepruar si grup kriminal, nuk kanë rrënuar objekte pa leje dhe kështu ua kanë mundësuar investitorëve apo ndërtimtarëve të përfitojnë rreth 28 milionë euro.

Në mesin e të dënuarve është edhe një biznesmen. Ish-inspektorët në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010–mars 2014, me qëllim të përfitimit me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, duke mos parandaluar ndërtimet pa leje dhe duke mos ndërprerë ndërtimet kundërligjore. Ose përkthyer në gjuhë jo-juridike: mafia e LDK-së e instaluar në komunën e Prishtinës ka qenë e lidhur ngushtë me mafian e ndërtimeve dhe së bashku kanë rrotulluar miliona euro, duke e shndërruar qytetin në një xhungël të vërtetë. Nëse PDK e ka plaçkitur Kosovën në çdo cep, LDK s’ka vepruar aspak më ndryshe në komunën e Prishtinës.

Dënimi i ish-inspektorëve të komunës së Prishtinës është edhe një dëshmi se LDK nuk dëshiron as të reformohet, as të qeverisë mirë. Në të vërtetë LDK po kalbet si parti e pareformueshme për shkak të dominimit të figurave politikisht të harxhuara, por të cilat ende kanë energji për të vjedhur. Këto figura duhet të izolohen dhe të përjashtohen nga partia.

Nuk mund të jetë LDK kurrë alternativë serioze politike nëse atë e dominojnë politikanët që ditën thirren në institucionalizim, ndërsa natën (ose në mbrëmje) lidhin koalicione biznesi me PDK-në; nuk mund të jetë LDK alternativë politike nëse shumica e kryetarëve të komunave që sundon ajo janë milionerë – me prona e biznese brenda dhe jashtë vendit; nuk mund të jetë LDK parti serioze nëse nuk shkëputet nga të korruptuarit, të cilët besojnë se populli do të mbyllë njërin sy, sepse edhe më të zi janë këta të PDK-së dhe AAK-së (gjë që është e vërtetë, por nuk është shfajësim i LDK-së). Kosova ka hyrë në qorrsokak politik, ekonomik, moral dhe kulturor edhe për shkak se LDK është shndërruar në patericë të krimit të organizuar, korrupsionit e nepotizmit, vetëm se këto krime të saj ajo është përpjekur t’i mbulojë me njëfarë çarçafi institucional dhe me demagogji rugoviste.

Dënimi i ish-inspektorëve vjen në një moment kur shumë matadorë e dinozaurë lokalë të LDK-së po mprehin dhëmbët për të marrë kreun e saj. Asnjëri prej tyre nuk i plotëson as parakushtet minimale për të qenë në krye të partisë. LDK ka nevojë urgjente për një reformim të thellë, të gjithanshëm dhe për një freskim masiv me kuadro të reja. Nëse një parti gjermane brenda 10 vitesh mund t’i ketë gati 10 kryetarë, atëherë LDK – pas tri dekadash në skenën politike – duhet të ketë guximin të shkëputet nga garda e vjetër e milionerëve të rinj, të cilët s’kanë çfarë i japin më Kosovës përveç ndonjë përralle për Ibrahim Rugovën dhe ndonjë seance me demagogji.