Lideri nacionalist i trazirave në Charlottesville frymëzohet nga fashizmi rumun

Një lider i nacionalistëve të bardhë në SHBA, tubimi i të cilit përfundoi në dhunë të shtunën në qytetin Charlottesville u frymëzua nga lëvizja fashiste rumune, e cila vrau mijëra vetë në masakra dhe gjatë Holokaustit.

Matthew Heimbach me bluzën e fashistit rumun në gjykatë në Charlottesville të hënën. Foto: Steve Helber/AP.



Një organizator i tubimit të nacionalistëve të bardhë të të shtunës, «Të bashkojmë të djathtën» në Charlottesville ka dalë në titujt kryesorë të lajmeve në Rumani pasi veshi një bluzë me një udhëheqës fashist rumun të Luftës së Dytë Botërore gjatë një seance gjyqësore të hënën.

Matthew Heimbach, 26 vjeç, kreu i Partisë së Punëtorëve Tradicionalë në Indiana dhe bashkëthemelues i Rrjetit Rinor Tradicional, kishte veshur një bluzë me një foto të rumunit Corneliu Zelea Codreanu, kreut të Legjionit Fashist të Shën Majkëllit dhe partisë politike Roja e Hekurt.

Partia e tij vranë dhjetëra mijëra hebrenj rumunë në fund të viteve 1930 dhe gjatë Holokaustit.

Heimbach njihet gjerësisht ndër nacionalistët e bardhë amerikanë pas gjyqit për goditjen e një protestuesi në një tubim të Donald Trump në Kentaki në vitin 2016.

Ai ishte një nga organizatorët e tubimit të të shtunës në Charlottesville, ku nacionalistët e bardhë, neo-nazistët dhe anëtarët e klanit Ku ​​Klux u përleshën me protestuesit antifashistë, një prej të cilëve u vra nga një shofer i cili shtypi turmën.

Heimbach veshi një bluzë të fashistit rumun në gjykatën e Charlottesville, ku doli në gjyq shoferi.

Këmisha nuk tërhoqi vëmendjen e mediave amerikane, por rumunët menjëherë njohën fytyrën e Corneliu Zelea Condreanu dhe fotoja e tij u përhap në mediat sociale.

Heimbach është një admirues i deklaruar fashistit rumun dhe thotë se është i lidhur me njerëz që ndajnë pikëpamjet e tij jo vetëm në Rumani, por në disa vende të Europës Lindore dhe të Ballkanit.

Në një intervistë të publikuar në korrik 2016 pas Konventës Kombëtare Republikane, ku ai mori pjesë bashkë me nacionalistë të tjerë të bardhë për të mbështetur Donald Trump, Heimbach tha se ai merrte shembull nga «Corneliu Codreanu i Rojës së Hekurt [të Rumanisë], Jose Antonio i Falangës Spanjolle, Sër Osvald Mosley nga BUF [Bashkimi Britanik i Fashistëve], Lén Degrelle nga Partia Rexiste [Belge]».

Ai gjithashtu tha se admironte «Baathistët, Bashar al-Assad, ish-Sadamin dhe kolonel Kaddafin».

Sipas uebsajtit të Rrjetit Rinor Tradicional, të cilin e drejton Heimbach, ai është i lidhur me lëvizjet fashiste të Europës Lindore dhe Ballkanike.

Ai është takuar dhe ka mësuar nga Agimi i Artë në Greqi dhe mori pjesë në një takim nacionalist ndërkombëtar ortodoks në Shën Petersburg në Rusi.

Faqja e tij gjithashtu përmban një reklamë për botimin në gjuhën angleze të një libri të Corneliu Zelea Codreanu, «Për Legjionarët e mi», ku parathënia është e shkrimtarit dhe aktivistit famëkeq neo-nazist, Kerry Bolton.

Heimbach ka botuar një përmbledhje të tij në uebsajtin e tij, ku thekson cilësitë e një ‘nacionalisti të bardhë’ sipas mësimeve të Codreanu – aktivitet fizik, vajtje në kishë, lutje dhe agjërim.

«Unë nuk e identifikoj si neonazist. Frymëzimi im më i madh shpirtëror është Legjioni i Shën Mikaelit», tha Heimbach në një intervistë të botuar në 2015.

«Kur shkova në Rumani me gruan dhe bisedova me disa të moshuar për Legjionin, pashë te ata të krishterë të përulur dhe besnikë ndaj ortodoksisë, të cilët ishin të gatshëm të vuanin dekada në burg», shtoi ai.

Legjioni i Arkangjelit Mikael u themelua në vitet ’20, kur studentët e universitetit formuan grupe anti-semite që kryen masakrën e parë rumune në 1927, në qytetit perëndimor të Oradeas në Transilvani.

Në mesin e viteve 1930, partia fashiste e Rojës së Hekurt, krahu politik i Legjionit, mori përgjegjësinë për vrasjen e disa figurave hebreje.

Në qershor 1941, oficerë të ushtrisë rumune dhe gjermane, të mbështetur nga policia e Rojës së Hekurt, rrethuan hebrenjtë në qytetin lindor të Iasit dhe në Bukuresht, ku shkatërruan sinagogat dhe shtëpitë e tyre dhe vranë 13,000 njerëz.

Codreanu, i quajtur «kapiten» nga shokët e tij legjionarë, u vra në vitin 1938 së bashku me 13 anëtarët e tjerë të partisë, me urdhër të mbretit rumun Çarlsi II.

Legjioni është ende aktiv në Rumani dhe ka një faqe interneti, por nuk ka kërkuar leje për të organizuar një tubim publik që nga viti 2013.

Heimbach filloi të tërhiqte vëmendje negative në vitin 2012 pasi themeloi një Bashkim Studentësh të Bardhë në Universitetin Touson në Baltimore, Marilend dhe në vitin 2014, kur u bashkua me Kishën Ortodokse Lindore, por u përjashtua për nxitjen të racizmit dhe fashizmit.

(https://www.reporter.al/lideri-nacionalist-i-trazirave-ne-charlottesville-frymezohet-nga-fashizmi-rumun/)