Liderët tanë, fatkeqësisht, nuk mësuan asgjë nga profesor Baltazari

Edhe pse një nga «baballarët» e tij vdiq, karakteri i filmit vizatimor, profesor Baltazari, do të vazhdojë të jetojë në kujtimet tona si një faner i arsyes dhe i të kuptuarit të botës sonë, e cila ndryshe quhet - e çmendur.

Në ish-Jugosllavi, pamë se udhëheqësit tanë dhe shumë njerëz që i ndoqën ata nuk mësuan asgjë nga Baltazari. Ata zgjidhën probleme në një mënyrë tjetër: me plumba dhe bomba, duke paguar dividentën e tyre me kufoma.



Pasi jetoi deri në moshën 89-vjeçare, animatori, skulptori dhe artisti i njohur Zlatko Bourek vdiq të hënën e kaluar. Ai la pas vetes një trashëgimi të pasur. Bourek ishte një nga animatorët që filloi Shkollën e Filmit Vizatimor të Zagrebit, një nga më të njohurat në botë dhe një nga eksportet më të vlefshme të Zagrebit – më e vlefshme sesa tregu i Krishtlindjeve të Qytetit. Shkolla siguroi hapësirën për Dushan Vukotiqin për të krijuar filmin e animuar «Surogat», filmi i vetëm jugosllav që ndonjëherë fitoi Oskar.

Ashtu sikurse emri i tij «bourec» që në gjuhën çeke do të thotë «larva e krimbit të mëndafshit», Bourek ishte një punëtor shumë i zellshëm dhe i dobishëm, duke krijuar art, shfaqje teatrale dhe karikatura – si mëndafsh. Megjithatë, përtej çdo gjëje që ai bëri individualisht, ai do të kujtohet më së shumti për punën e tij në thesarin më të madh që Shkolla e Zagrebit ka ndarë ndonjëherë me ne – profesor Baltazarin. Supozuar se u frymëzua nga qyteti bregdetar kroat i Rijekës, Bourek krijoi peizazhin për qytetin Baltazar, banorët e të cilit kërkuan këshilla dhe ndihmë nga profesori i mençur.

Rreth 59 episode u krijuan midis 1967 dhe 1978 dhe u shfaqën në TV duke filluar nga Zelanda e Re në SHBA, nga Zimbabve në Finlandë, dhe nga Mbretëria e Bashkuar në Izrael, duke folur një gjuhë që anashkalonte dallimet kulturore. Gjenerata të tëra u sollën në Baltazar, me melodinë e saj hapëse e mjaft tërheqëse, të cilën disa nga ish-Jugosllavia ende e këndojnë herë pas here. Baltazari që shkon rreth e përqark, ndërsa mendon shumë për një zgjidhje të problemit që ka, është një nga gjërat e para që më vjen në mendje kur shoh dikë në një situatë të ngjashme.

Profesori i sjellshëm gjithmonë gjeti një zgjidhje apo shërim për problemin, duke mos bërë diskriminim asnjëherë mes njerëzve, elefantëve apo madje edhe bretkosave. Zgjidhjet e tij ishin të shkëlqyeshme, të mprehta dhe treguan mirëkuptim për të gjithë. Kur banorët e qytetit Baltazar kishin një problem me një njeri ose një kafshë, Baltazari gjente një zgjidhje që do t’u përshtatej disi të gjithëve, duke mos lënë askënd anash.

Në këtë mënyrë, ai shpesh ndihmoi të integrojë individin në komunitet për të mirën e të gjithëve. Një njeri i cili kishte një problem për të gjetur një punë, sepse gjithmonë rrëzohej në tokë, pasi që ishte aq i ngathët, kërkoi ndihmën e profesorit. Sigurisht që profesori nuk i tha atij: «Mbaje veten». Ai krijoi këpucë speciale që e penguan njeriun të rrëzohej në tokë.

Në një episod, tre burra, të cilët donin të luajnë me veglat e tyre si instrumente, nuk mund të gjenin një audiencë që nuk do të brohoriste dhe do të hidhte plehra tek ata. Ata kërkuan ndihmën e profesorit. Baltazari gjeti një planet të vogël, në të cilin këndonte një alien, dhe ndërtoi një makinë larëse fluturuese për të transportuar tre burrat atje. Atje, të tre burrat bashkuan forcat me këngëtarin alien dhe tingëllonin perfekt. Që ata të mos ndiheshin të vetmuar ose të izoluar, Baltazari prodhoi shumë makina larëse fluturuese për të sjellë publikun tek ata. Dhe kështu i aftësoi të gjithë, duke sjellë mundësi të barabarta për të gjithë. Askush nuk u la mbrapa.

Për vite të tëra, ne e shikuam Baltazarin duke ndihmuar të gjithë, duke kuptuar problemet, dëshirat dhe nevojat e secilit, e duke u përpjekur t’i pajtojë të gjithë. Duke na shfaqur një botë urbane të qyteteve të mëdha, ai mbështeste zgjidhjen e problemeve dhe jo t’i shtypte ose t’i injoronte ato. Baltazari ishte dhe do të mbetet arratisja jonë nga realiteti i ashpër i jetës së përditshme: ky kalvar vuajtjesh në udhëtimin e varfërisë materiale dhe intelektuale, i cili po na dërgon në destinacionin përfundimtar të vetëvrasjes ekologjike; e tërë kjo derisa ne pimë shampanjë dhe dëgjojmë muzikë në iTunes.

Por, edhe pse ne të gjithë e shikojmë atë duke zgjidhë probleme, duket se, vetëm disa prej nesh kanë mësuar diçka. Në ish-Jugosllavi, pamë se udhëheqësit tanë dhe shumë njerëz që i ndoqën ata nuk mësuan asgjë nga Baltazari. Ata zgjidhën probleme në një mënyrë tjetër: me plumba dhe bomba, duke paguar dividentën e tyre me kufoma. Zgjidhja e tyre ndaj një ekonomie të varfër dhe mungesës së vendeve të punës ishte të vriste ekonominë dhe të prodhonte edhe më shumë njerëz të papunë. Nëse njeriu i ngathët do të kërkonte ndihmën e tyre, në vend të ndihmës së Baltazarit, ai do të përfundonte i qëlluar për vdekje, apo, në rastin më të mirë, në byronë e punësimit.

Nuk ishin vetëm udhëheqësit tanë që nuk mësuan asgjë nga Baltazari. SHBA-të zgjodhën problemin e regjimit irakian të Sadam Husein duke filluar një luftë që vrau qindra mijëra njerëz gjatë 15 viteve të ardhshme. Mund të mbesim për ditë të tëra duke emëruar plot udhëheqës që nuk i kushtuan vëmendje profesorit apo recetave të tij. Disa do të thoshin: «Epo, kjo është jeta reale, jo trillim – rritu!» Unë do të përgjigjem duke parafrazuar Mark Twainin: «Nuk është habi që e vërteta është më e çuditshme se sa trillimi. Trillimi duhet të ketë kuptim.»