Liderët shqiptarë vëzhgojnë, udhëheqësit maqedonas marrin vendime

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë kërkuar që njëri nga tri postet udhëheqëse në shtet t’u takojë shqiptarëve, që vendimmarrja të jetë me konsenzus dhe që buxheti të ndahet në mënyrë proporcionale. Por në takimin e fundit të liderëve politikë nuk u diskutua fare për temat që prekin shqiptarët. Analistët politikë për këtë i akuzojnë partitë shqiptare BDI dhe PDSH, të cilat përshkruhen si të përziera në korrupsion dhe rrjedhimisht të shantazhuara nga partitë maqedonase.




Marrja e njërit nga tre postet udhëheqëse në shtet, presidentit, kryeministrit ose kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, vendimmarrja me konsenzus dhe ndarja proporcionale e buxhetit si dhe zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe: Këto kanë qenë disa nga kërkesat e partiva politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kështu synohet të përmirësohet pozita e shqiptarëve në këtë vend.

Madje Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) këto pika i ka përfshirë edhe në «Marrëveshjen e re», e cila është platformë zyrtare e kësaj partie, ndërsa zgjedhja e një presidenti me konsenzus ishte shkaku që Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) bojkotoi zgjedhjet e fundit presidenciale.

Por në takimet e fundit të liderëve asnjëra nga këto kërkesa të palës shqiptare nuk u trajtua fare.

Në bisedimet ku po marrin pjesë edhe Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi përmenden vetëm Marëveshja e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike dhe marrëdhëniet me fqinjët. Këtu theksohet edhe përmirësimi i marrëdhënieve me Shqipërinë dhe Kosovën. Katër partitë janë dakorduar për reforma dhe ndryshime ligjore për gjyqësorin, admnistratën, luftën kundër korrupsionit, sigurinë, mediumet, financat, buxhetin. Tani ato po negocjojnë vetëm për formatin e Qeverisë kalimtare.

Por as në draftmarrëveshjen e 2 qershorit dhe as në propozimet e reja që shtrohen në tryezë të bisedimeve nuk gjendet asnjë nga kërkesat e shumëpërmendura më herët nga BDI dhe PDSH. Analistët politikë në Maqedoni thonë se ky është dështim i dy partive shqiptare që ishin pjesë e takimeve të liderëve. Në lidhje me këtë analisti Sefer Tahiri thotë: «Reformat që do të ndërmerren janë substanciale sa i përket reformimit të sistemit juridik për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Fakti që kërkesat e shqiptarëve nuk përfshihen fare në bisedime tregon për defaktorizimin e subjekteve politike shqiptare. Faktorizimi në politikë nuk varet nga dëshira e mirë, por nga aksioni dhe ky aksion politik pragmatik te shqiptarët sikur mungon. Vetë partitë shqiptare ia kanë caktuar vendin vetes në spektrin politik».

Një zgjidhje e mundshme për statusin e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte koncepti i qytetar i organizimit shtetëror të Maqedonisë. Një kërkesë e tillë, sipas publicistit Xhelal Neziri, do të ishte ndoshta më e pranueshme për spektrin politik, por edhe më e dobishme për shqiptarët. «Ajo që duhet të parashtrojnë si kërkesa liderët shqiptarë është intervenimi në Kushtetutë, ku Maqedonia do të definohej si shtet i qytetarëve të barabartë të saj», thotë Neziri. Shteti maqedonas, sipas tij, duhet të përkufizohet në atë mënyrë që secili qytetar të jetë i barabartë në gëzimin e të drejtave individuale dhe kolektive, por edhe në përmbushjen e obligimeve ndaj shtetit. «Nëse demokracia në Maqedoni vendoset mbi këtë platformë, atëherë mendoj se nuk do të jetë problem që një qytetar shqiptar që plotëson kushtet të jetë president, kryeministër apo kryeparlamentar, pastaj buxheti të ndahet në bazë të nevojave praktike e jo inercisë etnike apo ideologjike», vlerëson Neziri.

Vëzhguesit e rrethanave politike në Maqedoni theksojnë se nuk janë të befasuar me epilogun e bisedimeve të partive politike, sidomos kur të merret parasysh pozita inferiore e partive shqiptare. Sipas Sefer Tahirit shpresa e fundit mbetet qeveria e ardhshme, kur partitë shqiptare do të kenë edhe një mundësi, ndoshta të fundit për të kushtëzuar. «Iluzion është të pritet se në këtë fazë të bisedimeve do të mund të hapen çështjet që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve. Këto çështje i takojnë Qeverisë së re, e cila duhet të përballet me kërkesën për marrëveshje të re politike dhe historike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, që nënkpton konsensusin në vendimmarrje dhe ndarjen e barabartë të buxhetit, pra respektimin e barazisë faktike dhe juridike si kusht për marrëdhënie të mira ndëretnike», thotë Tahiri.

Analistët thonë se jo vetëm në këtë rast, por edhe në të kaluarën shqiptarët kanë lëshuar mundësi të arta për avancimin e pozitës së tyre. Xhelal Neziri thotë se problemi kryesor i shqiptarëve në Maqedoni tanimë janë bërë vetë partitë shqiptare dhe zyrtarët e tyre të lartë, të cilët dyshohet se janë të përzier në korrupcion dhe të shantazhuar nga partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE. «Para Nikolla Gruevskit», thotë Neziri, «këta zyrtarë nuk mund të hapin gojën për asnjë çështje që ka të bëjë me shqiptarët».