Liderët e Ballkanit japin ngushëllimet e tyre pas sulmit në Barcelonë

Liderët e Ballkanit iu bashkuan vendeve që dënuan sulmin terrorist në Spanjë të enjten, ku 14 persona mbetën të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Vendasit nderojnë viktimat e sulmit në Barcelonë. 18 gusht 2017. Foto: BETA/AP



Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq u shpreh se më shumë bashkëpunim ndërkombëtar është i nevojshëm për të parandaluar sulmet terroriste pasi të paktën 14 vetë vranë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën në dy sulme terroriste në Spanjë të enjten.

«Natyrisht ndihemi shumë të trishtuar për çdo tragjedi… por duhet të reshtim së dërguari vetëm ngushëllime dhe të punojmë së bashku për të ofruar siguri për njerëzit tanë», tha kreu i shtetit të Kroacisë për ABC News në Australi, ku po vizitonte komunitetin kroat.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i dërgoi një letër mbretit Felipe të Spanjës, në të cilën dënoi aktet terroriste «në emër të qytetarëve serbë dhe atij vetë», dhe shprehu trishtim për viktimat, si dhe i uroi «shërim të shpejtë të plagosurve». Kryeministrja Ana Brnabiq ndërkohë shprehu ngushëllime te homologu i saj spanjoll, Mariano Rajoy.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha në Twitter se ishte i tronditur nga sulmi: «I tronditur nga sulmi shqetësues në #Barcelona. Mendimet tona janë me familjet e viktimave. Terrori nuk do të mbizotërojë në #Spanjë apo kudo».

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati shprehu mbështetje për Spanjën: «Në këtë moment të vështirë» dhe ngushëlloi familjet e viktimave.

Zëvendëskryeministrja e Bullgarisë dhe ministrja e jashtme Ekaterina Zaharieva gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj në një telegram për homologun spanjoll Alfonso Maria Dastis Quecedo, tha Ministria e Jashtme në Sofje.

Presidenti rumun Klaus Iohannis postoi një mesazh në Twitter ku dënoi sulmin, ku u plagosën tre civilë rumunë. »Dënoj me forcë sulmin terrorist në #Barcelona, ​​ngushëllimet e mia për familjet e viktimave, solidaritetin me #Spanjën», shkroi ai.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se dënimi i urrejtjes dhe dhunës duhet të jetë vendimtar dhe i fortë. «Shprehim ngushëllimet për familjet e viktimave të këtij akti çnjerëzor të dhunës, si dhe për vendet nga të cilat vijnë ata, dhe i urojmë të plagosurve një shërim të shpejtë. Shpresojmë që siguria e qytetarëve të Barcelonës, si dhe të gjithë turistëve që janë aty të jetë garantuar», tha Zaev në një njoftim për shtyp.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i dërgoi një telegram kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy duke shprehur ngushëllimet.

I ashtuquajturi Shtet Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet ku një shofer fugoni shtypi qëllimisht këmbësorët, duke i bërë jehonë sulmeve të mëhershme në Nisë dhe Londër. Të paktën 23 shtetas të vendeve të ndryshme ishin midis të vdekurve dhe të plagosurve. Një italian dhe një shtetas belg konfirmohen të vdekur; Autoritetet spanjolle ende nuk e kanë publikuar identitetin e viktimave të tjera.

(https://www.reporter.al/lideret-e-ballkanit-japin-ngushellimet-e-tyre-pas-sulmit-ne-barcelone/)