Libri për familjen Jashari shitet pa lejen e institucioneve

Libri «Qëndresa heroike e Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore» tashmë gjendet në shitje pa lejen e Muzeut të Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës, që e kanë financuar projektin.




Veprën e ka nxjerrë në shitje autori i saj, Sadik Krasniqi, që njëherësh është edhe punonjës i Muzeut të Kosovës në pozitën e shefit të sektorit të historisë. Projektin e Krasniqit, Muzeu i Kosovës fillimisht e kishte përkrahur për ta hapur ekspozitën me të njëjtin titull në nëntor të vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Më pas institucioni më i lartë muzeor në vend, të dhënat dhe fotografitë e ekspozitës i kishte përmbledhur në librin «Qëndresa heroike e Jasharëve për liri…» që është promovuar në qershor të këtij viti. Libri është nxjerrë në shitje me çmimi prej 25 eurosh, përderisa Muzeu i Kosovës dhe Ministria e Kulturës nuk e kanë autorizuar autorin për ta bërë një gjë të tillë. Të hyrat nga shitja nuk shkojnë as në llogarinë e Muzeut e as në atë të MKRS-së, edhe pse bëhet fjalë për një projekt të brendshëm me ideator punonjësin e MK-së.

«Ajo çka mund të them është se kjo nuk është bërë me miratimin paraprak të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe as që është diskutuar bile. Nuk është diskutuar shitja asnjëherë. Pra, po ripërsëris se miratim të Departamentit nuk ka pasur», ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Për këtë çështje nuk ka dhënë leje as Muzeu i Kosovës, logoja e të cilit figuron në këtë botim