Libri më i pistë tani mund të botohet

Në fund të këtij viti të drejtat për botimin e veprës «Mein Kampf» («Lufta ime») të Adolf Hitlerit do të skadojnë. 70 vjet pas vdekjes së diktatorit nazist libri i tij mund të shitet edhe në Gjermani. Profesori Christian Hartmann nga Instituti i Historisë në Munih është ngarkuar të përgatis botimin e shoqëruar me komente. Për magazinën e gazetës «Süddeutsche Zeitung» ai flet për këtë përvojë të jashtëzakonshme dhe të vështirë. Dhe thotë: «Ta kundërshtosh Hitlerin është një gëzim madhështor»




Vjet, gjatë verës, në Sarandë: burri i pushtetit zinte vend çdo mbrëmje në tarracën e hotelit B., shikonte rreth e rrotull si dikur në Zvicër kur ishte «marksist-leninist» pa e lexuar Marksin, porosiste një kafe, drejtonte kurrizin dhe merrte një pozë kinse intelektuale, sepse në tavolinë kishte librin «Mein Kampf» («Lufta ime») të Adolf Hitlerit. Ky, hajde të themi libër, është botuar në shqip nga një kooperativë botuese në Tiranë. Kur u botua në vitin 2012 opinioni shqiptar heshti. Ndonjë gazetar a gazetare shtroi pyetjen nëse një gjë e tillë është e lejueshme për shkak se Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e ndalon botimin e veprave që nxisin urrejtje ndërmjet kombësive, feve dhe racave. Ishte rastësi absurde që libri i Hitlerit doli bash në vitin 2012 – në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Politikani që i lexonte broçkullat e Hitlerit në bujtinën e Sarandës ende është në pushtet. Jo në Shqipëri, por në një shtet fqinj të Shqipërisë, që dominohet nga sllavët.

Në fund të këtij viti të drejtat për botimin e veprës «Mein Kampf» («Lufta ime») të Adolf Hitlerit do të skadojnë. 70 vjet pas vdekjes së diktatorit nazist libri i tij mund të botohet dhe shitet edhe në Gjermani. Profesori Christian Hartmann nga Instituti i Historisë në Munih është ngarkuar të përgatis botimin e shoqëruar me komente. Për magazinën e gazetës «Süddeutsche Zeitung» ai flet për këtë përvojë të jashtëzakonshme dhe të vështirë. Dhe thotë: «Ta kundërshtosh Hitlerin është një gëzim madhështor».

Historiani Hartmann shpjegon se ndonëse rrjedh nga një familje mjekësh dhe punës i qaset si patolog, leximi i veprës së Hitlerit e kishte neveritur shpesh për shkak të «gjuhës, dhunës, primitivizmit». Libri u botua në vitet 1925/27 në dy vëllime. Atëbotë Hitleri ishte mes të tridhjetave dhe gjendej në burg për shkak të përpjekjes për grushtet.

Hartmann thotë se libri është i dështuar në çdo aspekt. Por duhet të merret seriozisht për shkak se është burimi më i rëndësishëm për të kuptuar botëkuptimin e Hitlerit. «Libri ekziston në botën tonë. Në antikuariat mund të blihet krejt legalisht, në internet mund ta lexojë secili falas, në botën e jashtme botohet prej vitesh, edhe në gjermanisht. Kur i sheh ribotimet e lira nga India, atëherë është mirë që para skadimit të të drejtave në Gjermani të botohet një edicion i ‹Mein Kampf›, i cili e trajton gjerësisht polemikën e Hitlerit», thotë Hartmann.

Ai tregon se librit të Hitlerit i janë shtuar 3’500 fusnota dhe qindra detaje të tjera, ku kundërshtohet prijësi i xhelatëve nazistë. «Libri i tij është plot me rrena», thotë Hartmann. Libri nxit «emocione, frikë dhe urrejtje». Këto mund të luftohen vetëm me dije. Koncepti i Hitlerit në librin e tij është demagogjik: një përzierje mes rrenës, të vërtetës dhe gjysmë të vërtetës. Por Hartmann me ftohësi shkencore thotë se ka pjesë të librit, të cilat ai nuk mund t’i quajë ta pavërteta. Për shembull kur Hitleri thotë se shtypi gjerman është i dominuar nga hebrenjtë. «Atëherë më duhet të pranoj: para vitit 1914 ata, në raport me numrin e tyre në popullsinë e përgjithshme, vërtet kanë qenë të mbipërfaqësuar si punëtorë të mediumeve», tregon Hartmann. Por edhe kjo çështje qartësohet nga hulumtuesi: kishte shumë gazetarë hebrenj në atë kohë, por jo në atë nivel që shpifte Hitleri. Pastaj: para se të definoheshin si hebrenj ata kishin mendime dhe orientime krejt të ndryshme ideologjike. Disa identifikoheshin me anën nacionale gjermane, të tjerët ishin majtistë, disa liberalë, një pjesë konservatorë. Profesori Hartmann tregon se për një fusnotë ai dhe ekipi i tij kanë lexuar disa libra dhe kanë konsultuar plot specialistë.

Ai është kategorikisht kundër humorit me përmbajtjen e librit: «Humori për mua është forma më bajate e distancimit». Njëkohësisht Hartmann është optimist se askush nuk bëhet nazist nëse e lexon këtë libër sot. «Libri është botuar në vitet njëzet, koha ka qenë ndryshe – shumë më e dhunshme. Plagët e Luftës së Parë Botërore ende kanë qenë të dukshme. (…) Argumentet e Hitlerit atëbotë kanë prekur frymën e kohës».

Libri i Hitlerit që do ta botojë profesori Hartmann nuk do të jetë libri i Hitlerit, por një botim kritik i broçkullave të tij naziste. Titulli do të jetë i thjeshtë: «Hitler – Mein Kampf. Eine kritische Edition» (Hitler – Lufta ime. Një edicion kritik). Emri Adolf është hequr për të mos treguar devotshmëri personale.

Edhe një pyetje: përse te «Mein Kampf» mungojnë gratë? Hartmann: «‹Mein Kampf› është tekst i pistë. Është një roman zhvillimor, në të cilin mungon dashuria. Seksi përshkruhet vetëm në formën e tij të katranosur: si prostitucion». Hitleri shkumëzon kundër shtëpive publike, sepse aty shkojnë djemtë dhe nuk martohen për të ngjizur fëmijë dhe për të forcuar trupin e popullit.

Çfarë do të bëjë profesori Hartmann pas botimit të librit të Hitlerit? Ai thotë se për të episodi hitlerian merr fund me publikimin e librit, por prapë dyshon se mund të shkëputet prej Hitlerit: «Në google emri im ndërlidhet përgjithmonë me Hitlerin. Kjo nuk është diçka e mirë».