Librat dhe vrasësit e tyre

Ti që sot do ta festosh Ditën Ndërkombëtare të Librit, ndalo e mendo një çast për krimin çnjerëzor të bibliocidit. Nëse arrin të kuptosh intolerancën prej një libri që rëndom shkakton vrasje librash, atëherë ai çast reflektimi ia vlen. Sepse librat kanë nevojë për miqtë e tyre.

Libra të vjetra në Bibliotekën e Vjenës. Foto: Shutterstock



Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, dua të kujtoj prapë armiqtë historikë të librave, besimin në një libër, e intolerancën që shkakton ai. Kalifi Omar, një figurë qendrore në islam, është ndër barbarët më të mëdhenj të njerëzimit. Ai është përgjegjës për dy bibliocide të pariparueshme, djegien e tretë të bibliotekës së Aleksandrisë, si dhe hedhjen në Eufrat të pergamenave nga biblioteka perandorake e Ktesifonit në Iranin e sotëm, ku kishte pothuaj njësoj shumë shkrime sa në Aleksandri.

«Për shtatë ditë e shtatë net, ujërat e Eufratit rrodhën të zeza nga ngjyra e pergamenave që u mbytën në ujë», shkruan një kronist i asaj kohe. Dëmi që ky barbar fetar i ka shkaktuar njerëzimit thjesht është i pamatshëm. Sulltani Abu Amir i Kordobës, sulltan Mahmuti afghan, imam Aladin Huseini në Gazni, osmanët në Biblioteca Corviniana me 1562, e talebanët që i dogjën 55000 manuskripte unike në bibliotekën e lashtë në Pulhumbri të Afganistanit më 1998, të gjithë këta barbarë së bashku nuk kanë prishur libra, e s’e kanë dëmtuar fondin e historisë intelektuale të njerëzimit, sa ka prishur kalifi Omar dora vetë. Krimet e tij ndaj librave janë aq më të tmerrshme pse ndodhën hershëm në histori, kur nuk kishte shtypshkronja as botime masive, e kur një dorëshkrim i djegur e privonte njerëzimin përgjithmonë nga ato që ishin shkruar aty.

Bibliocidi kristian është po aq barbar sa ai islamik. Djegia e dytë e bibliotekës së Aleksandrisë, që u krye nga Papa Teofili me miratim të perandorit kristian Teodosit I, është krim katil që i dha fund zyrtarisht epokës së përndritur të antikës. Në listën e bibliocideve të përmendura kristiane bëjnë pjesë edhe djegia e Bibliotekës Perandorake të Konstantinopojës nga ana e kryqtarëve më 1204; shkatërrimi i të gjithë pos i tre kodikëve të bibliotekës së perandorëve maja më 1562; si dhe shkatërrimi i qëllimshëm i Institutit të Orientalistikës dhe i Bibliotekës Kombëtare në Sarajevë, si dhe i Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë e dhjetëra bibliotekave publike e myslimane anembanë Kosovës, nga ana e talebanëve kristianë serbë.

Më 1933 nacionalsocialistët gjermanë organizuan djegie rituale librash pranē 34 fakultetesh e shkollash të larta ku u bënë shkrumb e hi, pos tjerash, vepra nga Bertolt Brecht, Franz Kafka, Theodor Lessing, Erich Maria Remarque, Heinrich Heine, Stefan Zweig, Heinrich Mann, Nelly Sachs, Karl Marx, Friedrich Engels, Albert Einstein, Sigmund Freud, e shumë tjerë. Ky qe bibliocidi i parë në histori që u transmetua direkt në masmedia moderne.

Nazistët gjermanë besonin se ishin të përzgjedhurit e Zotit, «Gott mit uns», për të lartësuar Gjermaninë mbi tjerët. Edhe ata besonin si fanatikë në një libër, «Mein Kampf», ku përsëritej i njëjti mesazh. Librat u sulmuan edhe gjatë diktaturës komuniste. Ajo zgjodhi tjetër rrugë, atë të censurimit, ndalimit e shkatërrimit industrial, ku miliona libra riktheheshin çdo vit në celulozë. Nëse përdorim një paralele me nazizmin, mund të themi se diktatura komuniste kreu holokaust industrial mbi librat. Edhe ky krim u krye nga njerëz me besim fetar te një libër i vetëm, «Kapitali». Për ironi, ndër dhjetëra mijëra libra që u censuruan qenë jo vetëm klasikë të letërsisë dhe vepra të shkencave sociale, por madje edhe vepra të klasikëve të marksizmit, përfshirë «Kapitalin».

Një situatë jo fort ndryshe nga ajo sot në teokracitë myslimane, ku Kurani redaktohet rëndë me ndërhyrje, e ku nuk mund të përmendësh kopje më të vjetra të Kuranit se ato të lejuara zyrtarisht. Sulmet ndaj librave vazhdojnë edhe sot, nga djegiet e Kuranit prej fanatikësh kristianë, te ndalimi i librave për gjenocidin armen në Turqi. Pas çlirimit të Kosovës, barbarë me armë e të qorruar nga urrejtja thyen Fakultetin Filologjik dhe nxorën që aty fondin e librave shkencorë e letrarë në serbokroatisht. Librat u dogjën me orë në një turrë plehrash jashtë fakultetit, pa guxuar të ndërhyjë kush. Ti që do ta festosh Ditën Botërore të Librit, ndalo e mendo një çast për krimin çnjerëzor të bibliocidit. Nëse arrin të kuptosh intolerancën prej një libri që rëndom shkakton vrasje librash, atëherë ai çast reflektimi ia vlen. Sepse librat kanë nevojë për miqtë e tyre.