Me libra në shtëpi fëmijët fitojnë më shumë në të ardhmen

Sa më shumë që iu qasen librave në moshë të re, aq më shumë fitojnë burrat më pas në jetë. Kështu kanë zbuluar shkencëtarët italianë.

Foto: Daniel Jedzura



Varësisht se sa libra gjejnë fëmijët në shtëpi, aq më me rëndësi është për të ardhurat e më vonshme. Ky është zbulimi i një studimi të Universitetit të Padovës. Për këtë studiuesit kishin grumbulluar dhe shfrytëzuar të dhënat e 5’800 burrave europianë, transmeton «20 Minuten».

Fillimisht shkencëtarët ishin interesuar të merrnin vesh nëse një shkollim më i gjatë i obliguar i rrit shanset e fitimit në jetën e mëvonshme. Dhe rezultati doli: Po, çunat që vijonin shkollimin për një vit më shumë se mesatarja, si të rritur fitonin pastaj 9 për qind më shumë.

Por, gjatë hulumtimeve ata u ballafaquan edhe me një rezultat tjetër interesant: Grupi i çunave me një vit shkollor ekstra fitonin madje 21 për qind më shumë se sa të tjerët, nëse në shtëpinë e tyre kishte pasur më shumë se dhjetë libra. Por, ato libra duhej të ishin të atillë që nuk kishin një lidhje me shkollimin, domethënë të ishin libra që lexohen vullnetarisht.

Realisht, me këtë rast nuk është zbuluar ndonjë lidhje midis asaj se sa më shumë libra që të kenë lexuar fëmijët, iu rritet edhe paga në të ardhmen. Vendimtar është thjesht fakti që çunat janë rritur me së paku dhjetë libra në shtëpi – nuk luan ndonjë rol nëse kanë qenë 50 apo 200.

Studiuesit e theksojnë që librat në vetvete nuk janë arsyeja e vetme e pagës më të lartë më pas. Por, fëmijët që rriten me libra i kanë më të mëdha shanset të mësojnë diçka mbi jetën dhe universin. Është afër mendësh që amvisëritë me me shumë libra i kanë edhe ashtu më të mëdha përparësitë kulturore dhe social-ekonomike, është shprehur autori i studimit Guglielmo Weber.

Për studimin shkencëtarët kanë intervistuar burra të moshës 60 deri 96 vjeçare në disa vende europiane, si Austria, Danimarka, Gjermania, Italia, Holanda dhe Suedia. ks