Lëvizja studentore SKV thotë se Parlamenti Studentor po manipulon

Lëvizja Studentore për Barazi- Studim Kritike Veprim (SKV) përmes një komunikate për opinion ka akuzuar Parlamentin Studentor se po punon për interesa të tjetërkujt për të rrëzuar rektorin Zejnullahu, ndërsa ka thënë se pa angazhim të përbashkët për Republikën, nuk do të kemi as Universitet, transmeton Koha.net.




Në komunikatë SKV thekson:

Në sistemet politike që shtypin vullnetin e qytetarëve, e drejta e protestës duhet të shfrytëzohet, madje është domosdoshmëri. Një sistem që nuk e përfill vullnetin e shumicës, nuk e përfill sakrificën e së kaluarës dhe nuk mendon për perspektivën e brezave të rinj imponon rezistencën. Nëse bazohemi në këto argumente, atëherë na del se Kosova ka shumë nevojë për protesta e demonstrata!

Në kohën kur në Qeverinë e Kosovës Lista Serbe me partnerët e koalicionit kanë vendosur që ta bllokojnë Ligjin për Arsimin e Lartë, në Universitetin e Prishtinës këtë javë janë paralajmëruar disa protesta nga organizata e organe të ndryshme studentore kinse në lidhje me kundërshtimin e vendimit të Senatit të nxjerrë në nëntorin e vitit të kaluar. Ky vendim trajtonte vlerësimin e studentëve duke përcaktuar afatet në të cilët studentët do t’i nënshtrohen provimeve, anulonte afatet shtesë të absolventëve, trajtonte kalimin nga viti në vit duke eliminuar kreditë e provimeve, e të tjera.

Lëvizja Studentore për Barazi- Studim Kritike Veprim qysh në vitin e kaluar ka dalë me qëndrimin e vet për secilën pikë të vendimit, qëndrime këto që vlejnë edhe sot, e që po i rikujtojmë:

– Afati i prillit dhe i nëntorit nuk duhet kufizuar, por duhet të njihen si të rregullt. Kjo nënkupton paraqitjen e provimeve pa kufizime;
– Afatet e absolventëve duhet të rregullohen me vendim të veçantë te Senatit, me të cilin njëherë e mirë do te sqarohet çështja e vlerësimit të absolventeve. Kundërshtojmë fuqishëm heqjen arbitrare të afateve të absolventeve;
– Kalimi nga një vit në vitin tjetër duhet të jetë i rregulluar në bazë të kredive (ECTC), e jo me numër fiks të provimeve siç është aktualisht
– Vlerësojmë si të dëmshme kërkesën për afatin e tetorit, pasi ky afat është në kundërshtim me çdo të drejtë studentore; është afat i shantazheve dhe i dallavereve. Sipas Statutit,viti akademik fillon me 1 tetor, ndërsa po kërkohet që më 20 tetor apo edhe më vonë të kuptojmë a e kemi kaluar kushtin apo jo.
Kryesia e Parlamentit Studentor, e cila për sot ka thirrur protestë kinse për çështjen e afateve, kushtit … në të njëjtën kohë ka nënshkruar peticionin e nisur nga dekanët e pushtetit për shkarkimin e rektorit. Pushteti, që nga ministri Bajrami e deri te Bujar Dugolli me dekanët e tjerë kriminalë, në vend se ta kundërshtojnë Listën Serbe dhe Qeverinë e Kosovës, që e ka bllokuar Ligjin, po kërkojnë eliminimin e rektorit Zejnullahu nga se ky i fundit ua ka ndalur avancimet false akademike dhe shume manipulime të tjera. Kësaj i janë bashkangjitur edhe «Senatorët Studentë» dhe Kryesia e Parlamentit Studentor,të cilët po duan t’i shfrytëzojnë në protestat e studentëve të pakënaqur për eliminimin e Rektorit.

I bëjmë thirrjes studentëve që të mos pranojnë manipulimin nga ana e Parlamentit Studentor. Në të njëjtën kohë na duhet angazhimi i secilit studentë si në çështje partikulare ashtu edhe në ato kolektive. Republika jonë është duke kaluar nëpër moment të vështira duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike e që janë themelimi i «Zajednicës» dhe humbja e territorit në demarkacionin me Malin e Zi. Pa angazhim të përbashkët për Republikën, nuk do të kemi as Universitet, as punësim e as ngritje të mirëqenies. Na duhet organizimi. Na duhen protestat e mirëfillta dhe na duhen demonstratat për mbrojtjen e Republikës!