Lëvizja për Bashkim kërkon ndërhyrjen e prokurorisë për «skandalin» me veteranët

Subjekti politik Lëvizja për Bashkim, procesin e verifikimit të veteranëve të luftës nga Komisioni Qeveritar, i cili sot doli me rezultatin se në Kosovës janë 46,230 veteranë, e ka quajtur skandaloz.




LB, përmes një reagimi dërguar mediave për këtë çështje, ka thënë se kjo shifër është jashtëzakonisht e fryrë dhe ky proces del të jetë i manipuluar dhe skandaloz.

Ky subjekt politik thotë se për të parë se si është keqpërdorur ky proces, «po e japim numrin e veteranëve (sipas komisionit qeveritar) të shpërndarë nëpër zona».

Zona e Dukagjinit – 15,023;
Zona e Pashtrikut – 8,730;
Zona e Drenicës – 6,959;
Zona e Llapit – 4,310;
Zona e Nerodimes – 3,100;
Zona e Shalës – 1,950;
Zona e Karadakut – 1,070;
Njësitë Vartëse të ShP të UÇK-së–5,057 dhe
Shtabi i Përgjithshëm – 31!

Lëvizja për Bashkim konsideron se kjo shifër, jo vetëm që e komprometon emrin e veteranëve të vërtetë, por në të njëjtën kohë e njollosë luftën e drejtë të UÇK-së dhe qëllimet e saj!

«Në njërën anë, është e pandershme dhe e padrejtë që të dëmtohet e kaluara përmes barazimit të një veterani të vërtetë me një mashtrues ordiner, dhe në anën tjetër, është e papranueshme që kjo padrejtësi të paguhet edhe me të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve, përmes rëndimit të buxhetit të varfër të vendit», thekson LB në reagimin e saj.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim kërkon «ndërhyrjen e menjëhershme të prokurorisë për ta verifikuar këtë gjendje, në mënyrë që manipuluesit të dalin para drejtësisë, veteranit t’i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur dhe shtetit t’i krijohet mundësia për përkujdesje dinjitoze për veteranët e vërtetë».