Letra që rrezikoi hetimet kundër Sali Mekajt

Prej pesë qershorit deri ditën e arrestimit, Sali Mekaj, ishte treguar i kujdesshëm gjatë komunikimit me telefon dhe në takimet publike.




Atë ditë prokurorja nga Prizreni, Ervehe Gashi, kishte zbuluar për të tjerët hetimet sekrete se Salih Mekaj ishte incizuar në Katedralen e Prishtinës, duke ndërmjetësuar për një shumë parash prej 200 mijë eurosh në emër të kushëririt të tij, Asdren Mekaj, shkruan sot Koha Ditore.

Prokuroria pretendon se ndërmjetësimi kishte të bënte me fajde, e kryetari i Gjykatës së Apelit pretendon se ka qenë një borxh.

«Koha Ditore» ka siguruar një shkresë të prokurores së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Ervehe Gashi, dërguar kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, dhe Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Shkresa mban datën 5 qershor 2015. Shkresa ishte dërguar nëpërmjet Kryeprokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxha. Para kësaj date Mekaj kishte rënë në përgjim dhe vëzhgim të Policisë, mirëpo, prej asaj date kishte ndryshuar krejtësisht sjellje.

Mekaj është arrestuar më 20 korrik të këtij viti në cilësinë e të dyshuarit për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit. Prokuroria ndërkohë ka zgjeruar hetimet kundër tij për shkak të dyshimeve se kishte ndërmjetësuar në fajdet e kushëririt Asdren Mekaj që gjendet në arrati.

Asdren Mekaj ishte dënuar për një rast të detyrimit dhe zhvatjes me 6 vjet burgim. Ai ishte liruar nga paraburgimi pak kohë pasi rasti ishte kthyer në rigjykim.

Pas lirimit ka vazhduar me veprime të tjera kriminale, duke i përfshirë fajdetë. Kundër tij është lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar.