Letra nga Washingtoni dhe bixhozi politik i Prishtinës

Letra që Donald Trumpi ia dërgoi presidentit të Kosovës as nuk duhet të mbivlerësohet, as të nënçmohet. Duhet të shihet si një sinjal se deri ku ka arritur debati i fshehtë për «korrigjimin» e kufijve të Kosovës. Në vend të vazhdimit të bixhozit politik, partitë në Kosovë duhet të gjejnë një përgjigje urgjente ndaj mesazhit të letrës.




Pas publikimit të letrës së Donald Trumpit dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në opinionin publik dominojnë dy këndvështrime: një grup i mysafirëve të rregullt të studiove televizive është i bindur se letra nga Washingtoni nuk duhet të mbivlerësohet, ndërsa grupi tjetër thotë se letra nuk duhet të nënçmohet.

Letra e nënshkruar nga presidenti amerikan bart dorëshkrimin e këshilltarit të tij për siguri nacionale, John Bolton. Në gusht, gjatë vizitës në Ukrainë, Bolton tha se SHBA nuk e përjashtojnë «korrigjimin» e kufijve në Ballkan nëse Serbia dhe Kosova merren vesh për këtë punë. Para tri javësh kryetari i Kosovës në një vizitë të orkestruar nga ekipi i tij dhe lobistët e tij takoi në Washington ministrin e Jashtëm amerikan Mike Pompeo dhe këshilltarin e Trumpit për siguri nacionale – John Bolton. Mesazhi i këtyre dy zyrtarëve ishte pikërisht ai që e përmend Trump në letrën e tij: Kosova dhe Serbia kanë një shans unik, pra të papërsëritshëm, për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. Këtë mesazh Trump e përcolli me nënshkrimin e tij që duket si vijat e elektrokardiogramit (EKG).

Me këtë letër bëhet shumë e qartë se procesin për zgjidhjen e konfliktit të hapur mes Kosovës dhe Serbisë e mbështesin dhe prapa tij qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky proces mund të çojë në ndryshimin e kufijve të Kosovës apo të përfundojë me një kuazi-republikë serbe brenda Kosovës. I pëlqeu kjo dikujt në Kosovë apo jo – ky është fakt me të cilin politika kosovare duhet të ballafaqohet. Letra duhet të shihet si një sinjal se deri ku ka arritur debati i fshehtë mes krytarëve të Serbisë dhe Kosovës për «korrigjimin» e kufijve të Kosovës derisa në Prishtinë ka vazhduar boxhozi politik dhe intrigat nëntokësore mes partive politike.

Në letrën e Trumpit qortohen liderët politikë të Kosovës për mungesë uniteti para një vendimi të rëndësishëm. Ndryshe nuk mund të lexohet apeli i Trumpit (më saktë: Boltonit dhe Pompeos) që liderët të flasin me një zë. Në letër paralajmërohet se marrëveshja duhet të përfshijë interesat e balancuara të të dyja palëve. Përkthyer në shqip kjo domethënë: të dy palët do të bëjnë kompromise. Për Kosovën këto kompromise mund të jenë të dhimbshme. Ato i ka paralajmëruar Hashim Thaçi në kuadër të strategjisë së tij për të përgatitur opinionin me «rezultatin» e negociatave të tij me Vuçiqin, që sipas disa burimeve diplomatike janë zhvilluar në SHBA, në Paris, në Stamboll dhe me gjasë edhe në Romë.

Pas letrës së Trumpit, në Prishtinë mund të vazhdojë bixhozi politik, sjelljet e dominuara nga inatet dhe aversionet personale, zemërimi që Thaçi sërish ia doli ta driblojë në një qoshe krejt skenën politike të Kosovës. Kjo ka ndodhur jo për shkak se Thaçi është ndonjë gjeni i politikës, por për shkak se partitë e tjera që kanë qeverisur viteve të fundit nuk kanë shprehur ndonjë interes të marrin përgjegjësi për negociatat me Serbinë. Pothuaj të gjithë – LDK, AAK e të tjerë, me përjashtim të VV-së – kanë qenë të lumtur që Thaçi po merret me temën e pakëndshme të bisedave me Serbinë, nga e cila në Kosovë nuk mund të fitosh asnjë saksi. Meqë me vite të tëra deputetët e gati të gjitha partive kanë lejuar që të degradohen në robotë për të votuar «rezultatet» e negociatave që Thaçi dhe ekipi i tij i kanë sjellë nga Brukseli, tani askush nuk duhet të befasohet me kulaçin që e ka gatuar Thaçi.

Me vite të tëra ai i ka pasur duart e lira të bëjë gati çfarë të dojë. Pengesa në rrugë nuk ka pasur. LDK ka qenë e kënaqur që PDK u tregua e mëshirshme dhe e lejoi Isa Mustafën të bëhet kryeministër. I pari i LDK-së në periudhën e pasluftës. Si me pushtet, si pa pushtet LDK shquhet për një tipar – atë të indolencës. Ramush Haradinaj këto ditë e ka zbuluar afrodizjakun e popullizimit dhe është pozicionuar si kundërshtar i rreptë i pazareve (eventuale) të Thaçit. Në paraqitjen e tij të fundit në Bruksel Haradinaj shkoi deri aty, saqë tha se kush mbështet «korrigjimin» e kufijve është armik i Kosovës. Por, po ky Ramush Haradinaj sapo u bë kryeministër tha se nuk ka kohë të merret me bisedimet me Serbinë, se nuk e njeh sa duhet procesin, se më i përshtatshmi për këtë punë do të ishte Hashim Thaçi. Përse Haradinaj tash është i tronditur me epilogun e bisedave të Thaçit me kolegun e tij serb? Zemërimi i Haradinajt kundër «ndarjes së Kosovës» duket i shpifur.

Ndërsa krejt absurd dhe me nuanca të komedisë është paraqitja në opinion e dy «kryenegociatorëve»: Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit. Pasi e kanë parë se s’mund të jenë më shumë se paterica të Thaçit, ata mbrëmë në një paraqitje televizive thanë se nëse nuk merren seriozisht nga Thaçi e Haradinaj dhe nëse nuk do të pajisen me të gjitha dokumentet për procesin e deritanishëm të negociatave, atëherë do të tërhiqen. As një javë pas zgjedhjes nga Kuvendi këta burra kërcënojnë me tërheqje.

Duket se partitë politike të Kosovës do ta kenë vështirë të kërcëjnë nga treni, i cili është nisur. Anëtarët e delegacionit janë në vagonin e fundit të trenit dhe derisa të mbërrijnë në kabinën e lokomotivistit, drejtuesi do ta çojë atë në cak. Prejt tyre pritet më së shumti duartrokitje. Mund të pritet ndërkaq që VV të kundërshtojë një pazar mes Vuçiqit dhe Thaçit me bekimin e Trumpit, por zor se mund të pasojë një mobilizim i madh popullor kundër «marrëveshjes», e cila, sipas presidentit amerikan, gati është arritur. LDK do të vrapojë e dëshpëruar pas trenit dhe ndoshta ndonjëri nga krerët e saj do të kacavirret diku në bisht. Dhe këtë LDK do ta bëjë duke u arsyetuar me përgjegjësinë e saj institucionale. Në të vërtetë do të jetë edhe një rast kur LDK do të korrë rezultatet e kompromiseve të saj të kalbura me Hashim Thaçin në të kaluarën. Meqë treni është nisur, bixhozi politik i Prishtinës duhet të marrë fund. Partitë në Kosovë duhet të gjejnë një përgjigje urgjente ndaj mesazhit të letrës së Trumpit.