Letra dhe llafe: një lojë kumari me Kosovën

Së pari presidenti i Kosovës i çon letër Donald Trumpit me gatishmërinë për kompromis me Serbinë, pastaj kryeministri i çon letër kryeministrave të krejt dynjasë dhe kërkon konferencë ndërkombëtare - dhe në fund shfaqet PDK dhe thotë: mos dërgoni letra, pizevengë. Po të ishte kjo lojë Counter-Strike sigurisht do të argëtonte popullin. Fatkeqësisht, është lojë me shtetin dhe me të ardhmen e dy milionë njerëzve.

Foto: Shutterstock



Presidenti i Kosovës është «i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do t’ i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë». Kështu i ka shkruar presidenti i Kosovës shefit të Shtëpisë së Bardhë. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës përfaqëson unitetin e popullit, rrjedhimisht për një letër të tillë Hashim Thaçi do të duhej të kishte arritur së paku një konsensus minimal me partitë e përfaqësuara në parlament dhe me një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë. Duket se ky konsensus për presidentin nuk është aspak relevant. Ai po shpreson se marrëveshjen e tij me Serbinë, të bekuar nga fuqitë e mëdha (në radhë të parë SHBA e Rusi), do t’ia prezantojë popullit dhe ky popull, i lodhur nga konflikti me Serbinë, do ta miratojë atë në referendum. Ndoshta ky kalkulim i tij mund të ketë sukses, si shumë kalkulime të mëhershme që i ka bërë presidenti i Kosovës dhe klasa politike ose ka rënë vullnetarisht në karremin e tij, ose është nënshtruar për poste e privilegje.

Tani për tani një akter tjetër politik, kryeministri i Kosovës, nuk po tregohet as i gatshëm, as i vullnetshëm që të bëjë «kompromiset e nevojshme» (sipas Thaçit). Pasi ka lexuar letrën e presidentit dërguar Donald Trumpit, kryeministri Ramush Haradinaj e ka parë të nevojshme t’u shkruajë homologëve të tij në krejt dynjanë dhe t’u thotë: në një konferencë ndërkombëtare për Kosovën çështja e kufijve nuk guxon të preket. Siç nuk ka të drejtë presidenti të çojë letra kokë më vete, e njëjta vlen edhe për kryeministrin. A është konsultuar shefi i kabinetit me partitë e koalicionit? Duket se jo. Sepse sot Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila faktikisht e kontrollon qeverinë, doli me një deklaratë, në të cilën kundërshton idenë e presidentit për korrigjimin e kufijve dhe thirrjen e kryeministrit për organizimin e një konference ndërkombëtare. Ideja e konferencës, sipas PDK, «përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces».

Kjo përplasje mes partive bartëse të qeverisë tregon se nuk ekziston kurrfarë koordinimi i politikave shtetërore, sepse ka humbur besimi i ndërsjellë. Nëse një pjesë e qeverisë i bie thundrës, ndërsa tjetra patkoit, atëherë kjo nuk është më qeveri. Rrjedhimisht, kryeministri ose duhet të gjejë partnerë të rinj të koalicionit, ose të japë dorëheqje dhe të hapet rruga për zgjedhje të reja.

Kjo betejë me letra e me llafe – njëherë presidenti, pastaj kryeministri, mandej shfaqet PDK dhe thotë: mos dërgoni letra, pizevengë, duhet të marrë fund menjëherë. Po të ishte kjo betejë lojë Counter-Strike sigurisht se do të argëtonte popullin. Fatkeqësisht, është lojë me shtetin dhe me të ardhmen e dy milionë njerëzve.

Problemi që kanë Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli është se nuk arrijnë të dalin nga mjegulla që e ka krijuar Hashim Thaçi. Ky i fundit i ka informatat mbi atë se deri ku kanë shkuar debatet për «korrigjimin» e kufijve të Kosovës, fundja këto debate i ka inicuar vetë dhe ka vënë në veprim një grup të konsiderueshëm lobistësh, të cilët për ndarjen e Kosovës shkruajnë edhe në «New York Times». Opinioni në Kosovë nuk e di sa herë dhe ku është takuar Hashim Thaçi me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të dizajnuar marrëveshjen. Veseli e Haradinaj flasin nga pozita e të hutuarve, pa plan e pa strategji. Për të dalë nga ky qorrsokak nuk mjafton kryeneçësia e Haradinajt, as vrapimi qesharak i Veselit për të hequr tarifat ndëshkuese ndaj Serbisë e Bosnjës pa asnjë parakusht.

Ndërsa Veseli e Haradinaj luajnë në ligën rajonale, Thaçi – me njëfarë kënaqësie sadiste – për çdo ditë ua bën të qartë se kush shtyhet me të, shtyhet me Shtëpinë e Bardhë. Ky është një poker i rrezikshëm, por jo i papritur. Ka pasur mjaft paralajmërime se zgjedhja e Thaçit president do të rezultojë me shumë të papritura, sepse përballë kësaj konkurrence të dobët ai s’do të mjaftohet në shpërndarjen e gurëve të çmuar si njëri nga paraardhësit e tij. Thaçi ka edhe një arsye shtesë për manovra politike: për aq kohë sa është «i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme» me Serbinë, ai shpreson se do të mbetet lojtar në skenën politike, pa pasur frikë nga retë e zeza të drejtësisë.

Pa marrë parasysh se si është disponimi publik ndaj aksioneve të Thaçit, një gjë nuk mund të injorohet: me hapjen e temës së kufijve ai ka siguruar një përkrahje të konsiderueshme ndërkombëtare, sidomos nga administrata e tanishme në Washington, i cili dëshiron të heq qafe një problem të mërzitshëm në Ballkan për t’u koncentruar në çështje globale me akterë si Kina. Atyre që e kanë zgjedhur Thaçin president nuk u mbetet tjetër përveç se të vrapojnë pas tij ose ta ndalin duke e shkarkuar (gjë që duket e pamundshme për shkak të konstelacionit të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja e së cilës i raporton presidentit në kabinetin e tij thua se është pioniere).

Ndërsa Veseli e Haradinaj qajnë hallet nëpër Prishtinë se Amerika ua ka refuzuar vizat, Thaçi është takuar me John Boltonin, këshilltar për siguri nacionale i Trumpit, dhe me Mike Pompeon, ministër i Jashtëm i SHBA, dhe ka diskutuar me ta për «marrëveshjen historike me Serbinë». Në fund të gushtit 2018 John Bolton tha në Kiev se nëse Kosova dhe Serbia bien dakord, nuk e kundërshtojmë rregullimin e territoreve. Mallkimi i Thaçit për shkak të lojërave të tij nuk do të sjellë gati asgjë. Nga tërë kjo tollovi duhet të nxirret vetëm një mësim për të ardhmen: punët e rëndësishme të shtetit nuk duhet të lihen në duar të njerëzve që kanë halle personale. Sepse hallet e tyre personale shpejt mund të shndërrohen në kokëdhembje popullore. Andaj, sot dëgjohen apele që liderët të bashkohen «për hir të gjakut të heronjve».

Sa herë që liderët politikë të proviniencës së UÇK-së luajnë kumar me Kosovën, pashmangshëm përmendet «gjaku i dëshmorëve». Ky gjak, fatkeqësisht, qëmoti ka nisur të keqpërdoret si lëndë djegëse në mësymjet për të plaçkitur vendin dhe për ta drejtuar aq keq, saqë politika e lartë shtetërore shndërrohet në politikë të kurtheve të brendshme: kush po nxjerr cilin përfitim? Se çka fiton Kosova nga kjo garë me letra, me llafe e kumar – kujt i intereson?