Letër vëllait në mërgim




Më thuaj vëlla
Kur del dielli i mërgimit n’ag
Me çka e ngjyros qiellin e shpresës

Çka e ndan fatin prej kobit
Çka e ndan dritën prej territ
Çka e ndan trupin prej shpirtit
Ajo që e bashkon ilaçin me plagën

Më thuaj me ç’avion kalohet
Mbi humnerat e ankthit
Mbi honet e mllefit
Mbi pellgjet e pikëllimit

A është i njëjti Zot që na krijoi
Dhe Ai që na mbron
Si n’Kosovë si në Zvicër

Më thuaj si kthehet kurbetçiu n’Atdhe
Si lule e gëzimit hyjnor
Apo si pikëpyetje e fatit tonë?

Ragip SYLAJ