Letër Anilës




Mos u trishto, Anila!
E di: tani shpirti yt i përngjet rrëmujës së bregdetit
kur ikën dikush.

Ti ke qenë vajzë e gëzuar,
me të qeshurën tënde, si një fjalë ujëvare
që sjell rastësisht era,
me vështrim të pastër, sikur çel një lule në oborr.
Anila, zog i lumtur, që ikën mbi çatitë e ditëve!…
Rinia jote erdhi si një lajm i madh që i bie portës.

Qe e bukur bota kur dorë për dorë
kaluan nën qiellin e periferisë dhe natën
fshihej si një fëmijë i qeshur pas drurëve.
Hëna pikturonte akuarele të bardha përrallore.

(Tani më shkruan se nganjëherë, sidomos netëve,
ti thërret
përmes ndarjes, që befas bëhet transparente,
po ai ikën dhe ikën

Ç’të ngjau kështu, Anila! Thonë se je trishtuar?…)

Anila!
Kështu u largofshin përherë nga ti meskinët!
Një ditë do të presin më kot te dyert e dashurisë sate,
besomë!
Bile te dyert e gjithë dashurive.
E qeshura jote si një fjalë ujëvare që sjell rastësisht era,
do na gëzojë patjetër,
Anila, zog i lumtur që ikën mbi çatitë e ditëve.