Lëndët e reja mësimore të Akademisë Ushtarake të Serbisë

Politika e krimeve të luftës fillimisht është e turpshme, e tani shumë hapur po kthehet në institucionet shtetërore të Serbisë. Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë na thërret që ta braktisim të kaluarën dhe të shikojmë kah e ardhmja. Por, sytë po na djegin nga një pamje e tillë.

Kriminel lufte: Vladimir Lazareviq.



Në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 549 të Ushtrisë Jugosllave (UJ) gjatë konfliktit në Kosovë, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999 u vranë rreth 2200 civilë shqiptarë. Gjatë të njëjtës periudhë, në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 37 të UJ-së u vranë 1400 civilë. Kurse në territorin e gjithë Kosovës, të kontrolluar nga Korpusi i Prishtinës i Ushtrisë Jugosllave u vranë rreth 6200 civilë. Komandantët e këtyre njësive, Bozhidar Deliqi, Lubisha Dikoviqi dhe Vladimir Lazareviqi, siç mëson Veçernje Novosti, do t’u ligjërojnë kadetëve në Akademinë Ushtarake.

Për çfarë? Çfarë lloji të njohurive dhe të përvojës për oficerët e ardhshëm mund të sjellin njerëzit, në fushën e përgjegjësisë të të cilëve gjatë dy muajve e gjysmë të intervenimit të NATO-s u zhvillua terror ndaj popullatës shqiptare të Kosovës, terror ky i cili, përveç vrasjes së 6200 civilëve shqiptarë, rezultoi edhe me dëbimin e rreth 800 mijë shqiptarëve në Maqedoni dhe Shqipëri, me abuzime sistematike, me përdhunime, me shkatërrimin e fshatrave dhe qyteteve, me plaçkitjen e niveleve të paparashikueshme? Njohuri dhe përvojë e mjaftueshme për gjithë semestrin!

Sulmet e Ushtrisë Jugosllave dhe të MUP-it të Serbisë në fshatrat dhe qytetet shqiptare në fushat e përgjegjësisë të ligjëruesve të (ministrit të Mbrojtjes të Serbisë Aleksandar) Vulin janë zhvilluar me pretekst të qërimit të hesapeve me UÇK-në, e shumë shpesh gjatë aksioneve të tilla ata kanë vrarë zero pjesëtarë të UÇK-së dhe dhjetëra apo qindra civilë – burra, gra, fëmijë, të moshuar. Gjatë ndërhyrjes së NATO-s janë vrarë rreth 1200 pjesëtarë të UÇK-së dhe, siç u përmend më parë, 6200 civilë shqiptarë. Kjo është performansa ushtarake për të cilën duhet t’u ligjërohet kadetëve të Akademisë Ushtarake. Prandaj, e kemi mësimin e parë – si të sulmohet UÇK-ja e të vriten civilë.

Më tej, gjatë periudhës prej dy muajve e gjysmë u përndoqën plot 800 mijë njerëz nga territori prej rreth 11 mijë kilometrash katrorë. Nëse gërshetohen kohët, numri i civilëve dhe zona nga të cilat ata janë dëbuar, është e qartë se ishte një ndërmarrje e denjë për lavdërim. Ky do të ishte mësimi tjetër – për efikasitetin.

Pastaj, ushtria me të cilën kanë komanduar tre gjeneralët e përmendur ka marrë pjesë në heqjen e trupave nga vendi i krimit dhe kështu ka punuar në fshehjen, në vend se për zbulimin e krimit dhe për ndëshkimin e autorëve. Në katër varreza masive në Serbi, në të cilat janë gjetur trupat e rreth 1000 civilëve shqiptarë, janë gjetur dhe viktimat e operacioneve ushtarake, duke përfshirë edhe ato nga fusha e përgjegjësisë së Brigadës së komanduar nga Deliqi dhe Dikoviqi. Ushtria me këtë, në mënyrë mjaft të suksesshme ka arritur ta fshehë rolin e vet në gjithë operacionin, prandaj në opinion është krijuar imazhi se vetëm policia është përgjegjëse për gjithë procesin. E, nuk është vetëm policia. Ja mësimi i tretë – ruajtja e sekretit ushtarak.

Ka edhe mundësi tjera për t’i klasifikuar përvojat dhe njohuritë e ligjëruesve të Vulinit. Të themi, gjeneralët Deliq dhe Dikoviq mund që një mësim t’ia kushtojnë temës – si t’u shmangemi gjykimeve për krimet e luftës, pavarësisht nga dëshmitë e mjaftueshme për përgjegjësinë, ndërsa Lazareviq do të mund t’i mësojë kadetët sesi pas lirimit nga burgu 14-vjeçar kthehet në shtëpi me avion qeveritar. Rrjedhimisht, një mësim gjithëpërfshirës si bonus për fund – si ta humbësh luftën, e bashkë me të edhe fytyrën.

Për të qenë të sinqertë, në të vërtetë, këta tre nuk do të ligjërojnë me të vërtetë atje, nuk kanë kohë, njëri është shef i shtabit, tjetri deputet popullor, e i treti e kompenson kohën me nipat dhe mbesat, të cilët me plot arsye nuk i kishte parë vite më parë. Këtu bëhet fjalë për një gjest simbolik të ministrit të Mbrojtjes, i cili edhe një herë na thotë – të nëntëdhjetave nuk u turpërohemi, të nëntëdhjetat janë model për të ardhmen.

Krimet e luftës të të nëntëdhjetave ishin pjesë e politikës shtetërore, ndërsa krimet e luftës, në mënyrë të veçantë kjo shihet qartë në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, e bënë institucionet shtetërore – Ushtria, Policia, Qeveria dhe Presidenti (i Serbisë apo i RF të Jugosllavisë, krejt njësoj). Që nga ndryshimet demokratike më 5 tetor 2000 e këtej, disa prej këtyre politikave, dhe disa nga kuadrot e tilla, me dëshirën e pushtetarëve dhe rrethanat fatlume (të themi se disa kanë shkuar në Hagë) janë larguar nga institucionet. Vulini tani po i kthen atje. Nuk kanë guxuar, thotë, «as të hyjnë në Akademi apo në ndonjë strukturë tjetër ushtarake» (mendon për të dënuarit për krime të luftës). E, tash ata do t’i akomodojë atje.

Politika e krimeve të luftës fillimisht është e turpshme, e tani shumë hapur po kthehet në institucionet shtetërore. Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë na thërret që ta braktisim të kaluarën dhe të shikojmë kah e ardhmja. Por, sytë po na djegin nga një pamje e tillë.

Autori është studiues i Fondit për të Drejtën Humanitare.